E premte, 30 Shtator, 2022

Ç’kapja e Kosovës dhe Thaçi përballë Thaçit!

Nga Ben Andoni

Kurrë ndonjëherë në vitet e fundit, Hashim Thaçi, presidenti aktual i Kosovës nuk ka marrë këtë mbështetje nga palët e ndryshme brenda vendit dhe madje jashtë saj për pastërtinë e tij dhe luftën e drejtë të UÇK-së, me të cilën identifikohet. Por ishin vetëm pak orë më parë, kur ai anatemohej për çdo gjë në Kosovë dhe më shumë akoma i është vënë mbi shpinë përpos një mali korrupsioni dhe elementëve të tjerë negativë edhe ndryshimi i territoreve. Kjo e fundit, një fakt, që ai e ka përtypur, e ka pëshpëritur dhe në fund e ka mohuar. Ish-kryeministri e fyeu hapur duke mos e respektuar as në protokoll, kurse politikanë të ndryshëm nuk lanë gjë pa i thënë në vitet e fundit ndaj tij. Me pak fjalë, në Kosovë, tashmë mund të kënaqen, paçka se gjithçka e kanalizojnë me UÇK-në dhe me rezistencën e drejtë të shqiptarëve.

Në muajt e fundit nuk është se nuk është përmendur emri i Thaçit për Tribunalin e Hagës dhe konsekuencat që mund të rridhnin prej saj. Vetë presidenti jo vetëm i ka mohuar por ka treguar gatishmëri se ishte gati të përballej me Drejtësinë dhe se nuk tutej. Veçse do të mjaftonte shpallja e fundit zyrtare për ngritjen e aktakuzës ndaj presidentit Hashim Thaçi nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që Kosova të ndryshojë. Një valë përkrahje patetizmi për të dhe shumë më pak për bashkëpunëtorin e tij, kreun e PDK-së Veseli ka plasur në Prishtinë, e më shumë duket në Tiranë. Krejt ndryshe nga më parë, tashmë duket se dëshmitë janë më të qarta. “Kjo aktakuzë është një hap pozitiv për drejtësinë pasi këto krime të supozuara kanë rënduar mbi Kosovën për dy dekada”, tha Lotte Leicht, drejtore për Bashkimin Evropian (BE) në Human Rights Watch.

Thaçi dhe Kosova përballë Hagës e kishin nevojën që ta parashikonin me kujdes se cila do ishte konsekuenca e fundit e këtij institucioni që mori vite dhe mblodhi dëshmitarë, kurse institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës duhet të parashikonin dhe të paramendonin çdo pasojë, e një procesi që në fakt e kanë gatuar vetë për t’u dukur mirë para syve të Evropës dhe SHBA-së. Që do të thotë, brenda këtyre viteve, ishte e gjithë koha e mjaftueshme që institucionet e Drejtësisë së Kosovës të vinin pikat mbi “i”, ashtu si Tirana zyrtare të mendonte me kujdes çdo skenar me diplomacinë e saj. Por ja ku jemi: Qeveria e Tiranës dhe Kosovës dinin fare pak ose aspak për këtë vendim, ndërsa në vitet e fundit institucionet e dy vendeve kanë futur vetëm përçarje mes vete. Kurrë nuk ka ndodhur që Presidenti i Kosovës të kishte debate deri ofendimi me Berishën, ish-kolegun e tij shqiptar, gjë që nuk ka ndodhur dhe me ish-homologun serb, një nga funksionarët e forcave që bënë namin në Prishtinë e gjetkë në kohën e Luftës. Akoma më e lodhshme është ritirada e fjalëve që po mbahen në parlamentin shqiptar nga kryeministri, pasi duhet pritur nëse kjo akuzë ka bazë reale apo është ashtu si e mendojnë shumica e njerëzve që njohin rajonin: një zhurmnajë apo thjesht si pasojë e problemeve që tashmë po dalin në sipërfaqe hare hapur me s SHBA-së dhe Evropës. Por, në të vërtetë ka dhe një të vërtetë të hidhur që në Tiranë nuk e kuptojnë dot. Ka shumë njerëz që janë lehtësuar nga gjykimi i afërt i Thaçit, paçka se ky i fundit vazhdon të thotë se është thjesht përpara një procedure të zakonshme. Tek e fundit, sipas tyre, tashmë po nis realisht çkapja e vërtetë e Kosovës nga njerëzit që e munduan atë në Demokraci dhe në Liri. Sido që të jetë një gjë kuptohet mirë, Thaçi si rrallë herë është përballë vetë Thaçit. (Javanews)

Të fundit