E enjte, 29 Shtator, 2022

Osmani shkarkohet nga pozitat udhëheqëse në LDK

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka shkarkuar Vjosa Osmanin nga postet udhëheqëse në parti, teksa Osmani ka paralajmëruar të gjithë ata që votuan për largimin e saj, se do të shihen së shpejti në zgjedhje.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka njoftuar se për shkarkimin e Osmanit nga posti i nënkryetares dhe anëtares së kryesisë, kanë votuar pro 70 anëtarë të Këshillit, 16 kanë qenë kundër dhe 28 nuk kanë marrë pjesë në votim, i cili është zhvilluar në mënyrë elektronike.

Mustafa ka njoftuar se Këshilli ka votuar që Avdullah Hoti të marrë postin e nënkryetarit të partisë.

Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së mori këtë vendim pas propozimit të liderit të kësaj partie, Isa Mustafa, sipas te cilit, Osmani ka shkelur statusin e partisë, kur është shprehur kundër qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Pas shkarkimit, Osmani, përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, tha se ajo u diferencua nga partia e tij sepse siç tha, nuk ndryshoi qëndrimet e saja.

Osmani tha se vetëm qytetarët mund ta rrëzojnë atë nga postet udhëheqëse, andaj porositi të gjithë ata që votuan që ajo të shkarkohej se do të shihen së shpejti në zgjedhje.

“Gara e vërtetë është para qytetarëve, edhe pse shumica dërmuese prej jush diferencues, jeni aq frikacakë sa nuk do të guxoni të dilni në atë përballje, por sërish do të fshiheni prapa dikujt tjetër. Por përballja e madhe do të ndodhë. Mua më ka ngritur populli dhe vetëm ai do të mund të më rrëzojë”, ka shkruar Osmani.

https://www.facebook.com/VjosaOsmaniMP/posts/1714755262020064

Ndërkaq, deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli, e ka cilësuar si “vendim skandaloz” shkarkimin e Osmanit nga postet udhëheqëse në parti.

https://www.facebook.com/haxhi.avdyli.5/posts/10219726582132677

 

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, e cilësoi shkarkimin e Osmanit nga postet partiake si “cenim të drejtpërdrejtë të frymës së demokracisë”.

https://www.facebook.com/jeta.krasniqi.503/posts/10164045385460077

Osmani, e cila është kryetare e Kuvendit të Kosovës, kishte shprehur publikisht pakënaqësitë e saja lidhur me prishjen e koalicionit mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, në mars të këtij viti.

Gjatë mocionit të mosbesimit të ngritur nga LDK-ja më 25 mars, ndaj qeverisë të udhëhequr nga Albin Kurti, Osmani kishte votuar kundër.

Osmani u zgjodh në krye të kuvendit, me propozimin e partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje dhe vazhdon ta mbajë atë pozitë edhe pas rrëzimit të qeverisë LVV-LDK.

Vjosa Osmani është shprehur kundër edhe qeverisë së re të formuar nga LDK-ja, që udhëhiqet nga Avdullah Hoti.

Në seancën e 3 qershorit, kur u votua për qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja, Osmani nuk mori fare pjesë.

Osmani ka kundërshtuar edhe vendimin e qeverisë më 6 qershor, për të hequr masat e reciprocitetit kundër Serbisë.

Ajo ka thënë se me heqjen e reciprocitetit, “Kosova ka hequr dorë “nga e drejta për t’u trajtuar sovran si Republikë e Kosovës”.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, të vitit 2019, Osmani ishte kandidatja e LDK-së për kryeministre.

Osmani është personi i dytë më i votuar në Kosovë, pas Albin Kurti. Ajo në zgjedhjet e fundit më 6 tetor fitoi 176 mijë vota.

Vjosa Osmani edhe në vitin 2014 kishte shprehur pakënaqësinë e saj lidhur me arritjen e marrëveshjes së koalicionit qeverisës ndërmjet LDK-së dhe Partisë Demokratike të Kosovës, duke mos e votuar qeverinë e udhëhequr nga kryetari i partisë së saj, Isa Mustafa.

Të fundit