E enjte, 29 Shtator, 2022

Për partitë shqiptare

Autor: Sefer Selimi Jr. 

Për Bashkimin Demokratik për Integrim

Edhe ju e dini që ne e dimë se ‘’oferta për kryeministrin e parë shqiptar’’ është një flluskë politike parazgjedhore që nuk shkon përtej 16 Korrikut por jeni në të drejtën tuaj të plotë për ta përdorur atë si pjesë e PR-it tuaj politik. Më shumë se rishpikjen e ideve, votuesit tuaj duan të shohin fytyra të reja, ata të ‘’BDI-së së 20 viteve të ardhshme’’. Opinioni dëshiron t’i njeh e të dëgjoj nga ata 90% kryetar të ri të degëve e nëndegëve, ata kandidatë për deputet që nuk kanë qenë kurrë më parë në listë zgjedhore, reformistët të cilët do të duhet ta trashëgojnë partinë. Qindra drejtorë dhe funksionar politik i shohim vetëm një muaj në kafe e çajtore tek vrapojnë të mbledhin vota në fushatë. Të dëgjojmë nga ata se ç’kanë punuar dhe pse e kanë merituar rrogën e tyre dhe besimin tonë. Prandaj, para se të premtoni dhe të kërkoni vota, jepni llogari për punën e bërë, në çdo institucion në veçanti. Ka mbaruar koha e patriotizmit folklorik, kështu deklaroi lideri juaj pak muaj më parë.   

Për koalicionin ASH & AAA

Të jesh kundër BDI-së nuk është program zgjedhor. Të jesh kundër Ali Ahmetit nuk të bën lider. Të flasësh për të kaluarën nuk të bën vizionar. Të numërosh gabimet nuk është zgjidhje e problemeve. Qytetarët e këtij shteti, e në veçanti shqiptarët kanë kohë që kërkojnë ndryshim por ata nuk duan zëvendësim, prandaj: 

Fokusi i fushatës duhet të jetë në program përmbajtsor, që qytetarëve do t’u shpalos se çka nënkupton ndryshimi, një shkrepje nga e ardhmja më e mirë, e projektuar me hapa konkret, me plan të qartë se si do të arrihet deri atje. Qytetarët janë të lodhur nga nebuloza sipërfaqësore të mbushura me demagogji dhe retorikë boshe politike. Bëhuni konkret dhe specifik, me zgjidhje të qarta për problemet e pafundme që qytetarët përballen çdo ditë dhe vetëm përmes zgjidhjes së problemeve mund të arrini deri tek shumica e qytetarëve. 

Për Lëvizjen BESA 

Në një shtet multietnik si Maqedonia e Veriut, koalicionet parazgjedhore mes partive të ndryshme etnike janë të natyrshme, normale, të rëndësishme dhe të vonuara. Ju e bëtë një hap të tillë dhe për këtë mburreni me guximin tuaj për të vendosur një praktikë të re me kontratën parazgjedhore që trajton të gjitha problemet, përfshirë edhe ata ndëretnike duke shmangur kështu retorikën nacionaliste parazgjedhore që shuhej gjatë pazareve për ndarjen e pushtetit. Nëse ju vërtetë besoni që keni bërë hapin e duhur qëndroni kësaj deri në fund dhe argumentoni pse të tjerët duhet t’ju besojnë. Nuk është e turpshme të thoni që mandatari juaj për kryeministër është Zoran Zaev kur partitë tjera u vendosin para kësaj dileme. Nëse kontrata juaj është e sinqertë, nuk ju kanë gënjyer ose nuk na gënjeni, çështjet e rëndësishme për të cilat keni folur në opozitë mos i leni për diskutim të mëvonshëm por bëni pjesë të asaj kontrate, të shkruara e zeza në të bardhë që të mund t’ju kërkojmë llogari.  

Të fundit