E premte, 30 Shtator, 2022

Shkëlzen Maliqi: Dy binaret e dialogut me Serbinë!

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak po qëndron për një vizitë 3 ditore në Kosovë ku do të takohet me krerët e shtetit dhe liderët e partive politike në vend.

Lajçak pas arritjes në Prishtinë, është takuar me Presidentin e vendit, Hashim Thaçi, takim ky që ishte në mëdyshje nga presidenti i vendit për shkak të qasjes së BE-së ndaj Kosovës.

Por qëndrimet e Thaçi karshi BE-së, ditët e fundit janë zbutur në krahasim me disa javë më parë

Kjo sipas njohësit të çështjeve politike, Shkëlzen Maliqi, po ndodh pasi Thaçi është këshilluar që të mos mbajë qëndrim refuzues ndaj Lajçak në këto momente, pasi mund të dëmtojë marrëdhëniet me BE-në, raporton Gazeta Blic.

“Deklaratat e presidentit Thaçi rreth takimit me Lajçak kanë qenë të ashpra në kundërshtim, por sikur e ka hapur mundësinë që të takohen dhe sqarohen. Thaçi po i’a jep shansin që Lajçak të sjell një agjendë premtuese për vazhdimin e dialogut. Përndryshe, ai më herët deklaronte se nuk ka pse të takohet me Lajçak, pasi që vjen nga vendi që nuk e ka njohur Kosovën dhe përfaqëson më shumë një gafë të BE-së, ku të dy personat kyç që e kanë për detyrë dialogun me Sebinë, vijnë nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, Spanja dhe Sllovakia”

“Me gjasa, Thaçi e ka zbut deri diku qëndrimin, sepse është i vetëdijshëm se bisedat Kosovë-Serbi do të rifillojnë në dy kanale, me SHBA-të, ku ai vetë është më i interesuar që të marrë pjesë sepse në agjendën e Grenellit është marrëveshja për njohjen reciproke të dy vendeve, por suksesi eventual i Grenellit për pasojë do të ketë “verifikimin” e kësaj marrëveshjeje në Bruksel, ku ndërmjetësues janë Borrel dhe Lajçak. Besoj se Thaçi është këshilluar që në këtë fazë të mos mbajë qëndrim refuzues për Lajçakun që mund të dëmtojë marrëdhëniet me BE-në. Besoj se ky është edhe fryt i koordinimit mes tij dhe kryeministrit Hoti. Marrëveshja gjithëpërfshirëse, nëse realizohet, do të duhej të kishte pajtimin e Uashingtonit dhe Brukselit” thekson Maliqi për Gazeta Blic.

Sa i përket arritjes së marrëveshjes finale mes dy vendeve, Maliqi përgjigjet kështu.

“Pasi që dialogu me Serbinë ka zgjatur 10 vjet dhe janë arritur disa marrëveshje të rëndësishme, e më pastaj ato kanë ngecur, është krijuar përshtypja se marrëveshja gjithëpërfshirëse (finale dhe historike siç e quajnë shpesh), nuk mund të arrihet me një dinamikë të përshpejtuar çfarë e premton emisari special i presidentit amerikan, Richard Grenel. Por, në esencë, nëse ekziston vullneti ose motivi që i lëviz të dy palët, dhe nëse ndërmjetësuesi e ka në dorë ofertën dhe instrumentet joshëse, marrëveshja e madhe mund të realizohet shpejtë si një listë e dakordimeve politike, ku në krye të tyre është njohja e ndërsjellë e dy shteteve, që mund të jetë edhe me modalitete kohore dhe etapa të finalizimit të plotë. Nëse kjo arrihet, të gjitha pjesët tjera të marrëveshjeve, përfshirë edhe ato të pazbatuara nga dialogu i Brukselit, mund të krijojnë marrëveshjen gjithëpërfshirëse”

Për fazën e parë, deri në vjeshtë, mua më duket e arritshme një marrëveshje e parimeve bazë, me fokus fillestar te masat e zhvillimit ekonomik të dy vendeve, por edhe të rajonit, i cili nuk po mund të qetësohet pa u zgjidh nyja kyçe e stabilitetit dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Tutje Maliqi shprehet se pret nga SHBA-të dhe BE-të, të eliminojnë ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perendimor.

“Nga ana tjetër, pres që SHBA-të, por edhe BE-ja, të sigurojnë modalitetet e eliminimit të butë të ndikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor para së gjithash në Serbi dhe Bosnje (përkatësisht Republikën Serbska), p.sh. duke hequr sanksionet dhe duke dakorduar mënyrën e bashkëpunimit ekonomikë (gazi dhe nafta ruse etj.) si dhe primet e zgjidhjes së krizave në zonën e Detit të Zi (Ukraina) dhe Lindjen e afërt (Siria, Iraku, Libia etj.).”

“Është gabim kur mendohet se Kosova do t’i shërbejë Trumpit për zgjedhjet e nëntorit në SHBA. Jo, ne jemi vetëm njëra nga pikat nevralgjike nga ku mund të fillojnë shtjellimet gjeostrategjike, siç ka mundur të vërehet në shumë fjalimet e presidentit rus Putin, i cili çështjen e Kosovës e krahasonte me çështjen e Krimesë”

Delegacioni kosovar dhe ai serb pritet të takohen në Uashington me datën 27 qershor.

Ky takim vjen me ftesë të emisarit special të Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell shkruan Gazeta Blic.

Të fundit