E mërkurë, 5 Tetor, 2022

Një “flluskë” pozitive për rimëkëmbjen ekonomike

A mund të përdoren flluskat e udhëtimit për rimëkëmbjen ekonomike? Përfitimet ekonomike do të ishin të mëdha, por kërkesat shëndetësore mund të jenë pengesë

Ky mund të jetë një fakt i dhimbshëm për t’u dëgjuar në këto ditë izolimi, por vitin e kaluar, në botë ka pasur një nivel rekord lëvizjesh, me kryerjen e 4.6 miliardë fluturimeve. Ndërsa në prill të këtij viti, aeroplanët transportuan vetëm 47 milionë pasagjerë; një nivel kaq i ulët fluturimesh është regjistruar më së fundmi në vitin 1978, shkruan The Economist.

Ndalja e udhëtimeve ka përkeqësuar problemet e ekonomisë globale, duke ndërlikuar lidhjet tregtare, duke pezulluar bizneset dhe duke shkatërruar industrinë e turizmit. Nuk është çudi që qeveritë duan t’i rivendosin lidhjet. Një ide që ka fituar mbështetje është krijimi i “flluskave” të udhëtimit, që lidhin së bashku vendet që e kanë luftuar mirë koronavirusin.

Një vështrim nga afër na jep disa arsye për optimizëm. The Economist ka identifikuar flluska të mundshme që përbëjnë rreth 35% të PBB-së globale, 39% të gjithë tregtisë së mallrave dhe shërbimeve dhe 42% të shpenzimeve të botës për turizmin. Por sfida e lidhjes së tyre nënvizon gjithashtu se sa e vështirë do të jetë rinisja e ekonomisë globale.

Rihapja e kufijve si në ditët para virusit, tani për tani është e pakonceptueshme. Shumë ekspertë të shëndetit, që fillimisht i kritikonin kufizimet e udhëtimit, tani i konsiderojnë kontrollet e rrepta të dobishme, sidomos për vendet që i kanë përmbajtur infeksionet lokale. “Çdo rast që hyn është një farë e mundshme që mund të shndërrohet në një shpërthim virusi”, thotë Ben Cowling, një epidemiolog në Universitetin e Hong Kongut.

Flluska e parë pritet të vihet në jetë më 15 maj midis Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, ndër performuesit më të mirë në Europë në përmbajtjen e virusit. Qytetarët e tyre do të jenë të lirë të udhëtojnë brenda zonës pa karantinë. Një tjetër mund të jetë një flluskë trans-tasmane, që lidh Zelandën e Re me shtetin e Tasmanisë në Australi, duke qenë se të dyja i kanë mbajtur rastet e virusit të ulëta. Kina dhe Koreja e Jugut kanë nisur një kanal “të shpejtë” për sipërmarrësit. “Mendoj se do të ketë një numër të madh flluskash të vogla udhëtimi”, thotë zoti Cowling.

Por ashtu siç marrëveshjet tregtare të rajonit janë më efikase sesa paktet dypalëshe, edhe përfitimet ekonomike nga krijimi i flluskave më të mëdha do të ishin më të larta. Mbështetur në një analizë të të dhënave për infeksionin, The Economist sheh dy zona të mëdha që mund të shfaqen si flluska, duke përfshirë ato më të voglat që janë duke u formuar.

E para është në rajonin Azi – Paqësor, ku vendet nga Japonia deri në Zelandën e Re, kanë regjistruar më pak se dhjetë infeksione të reja për 1 milion banorë, gjatë javës së kaluar. E dyta është në Europë – me më pak se 100 raste të reja mbi të njëjtën bazë – ku flluska mund të arrinte nga Baltiku në Adriatik, duke përfshirë edhe Gjermaninë (shiko hartën). Flluska jonë Azi – Paqësor do të përbënte 27% të PBB-së globale, falë Kinës dhe Japonisë. Ndërsa flluska jonë europiane do të përbënte 8% të saj.

Një faktor që mat vlerën e mundshme të flluskave është shkalla e integrimit të tyre në tregti, duke treguar nëse ekonomitë janë komplementare. Për vendet në flluskën tonë Azi – Paqësor, një mesatare prej 51% e tregtisë së tyre të përgjithshme kryhet me njëri-tjetrin. Në flluskën tonë nga Baltiku në Adriatik, mesatarja është 41%. Vendet e vogla do të përfitonin më shumë duke u lidhur me fqinjët më të mëdhenj.

Lëvizja e lirë do të ishte veçanërisht e dobishme për vendet si Tajlanda dhe Greqia që mbështeten në turizëm. Factory Asia dhe Factory Europe gjithashtu mbështeten në punëtorët sezonalë. Para pandemisë, në një ditë normale, deri në 3.5 milionë njerëz kalonin një kufi të brendshëm në Bashkimin Europian, dhe 700,000 udhëtonin midis Hong-Kongut dhe Kinës.

Flluskat do të kishin shtesa përtej kufijve të tyre, pozitive dhe negative. Shumë tregti këto ditë bëhen për shërbime, jo mallra, që kërkon më pak prani fizike. Britania do të ishte jashtë flluskës Baltik-Adriatik, por financierët e Londrës do të kishin ende shpresa për biznes, edhe nëse nuk do të mund të vizitonin klientët e tyre. Ose nëse për shembull, Vietnami hyn në flluskën Azi-Paqësor dhe Indonezia jo, investimi që mund të ishte drejtuar tek kjo e fundit mund të orientohet tek i pari.

Në çdo rast, kërkesat e shëndetit publik për krijimin e flluskave të udhëtimit do të jenë të forta. Në terma tregtarë, ato i ngjajnë një versioni ekstrem të negociatave jotarifore: vendet duhet të harmonizojnë qasjet e tyre për administrimin e pandemisë. Kjo është një pritshmëri e lartë, duke pasur parasysh faktin se Amerika dhe Europa nuk mund të bien dakord nëse është e sigurt të lahen pulat me klor.

Flluska udhëtimi

Shqyrtojmë pyetjen nëse vendet që kanë një shkallë të lartë, por të ngjashme infeksionesh, mund të formojnë flluska udhëtimi. Ky është tani për tani rasti i Britanisë dhe Francës: regjistrohen me qindra vdekje në ditë, por qytetarët nuk karantinohen. Sidoqoftë, kjo mund të përbëjë dy probleme.

Së pari, duke pasur parasysh se të dyja vendet ende bëjnë thirrje për distancim social, ato nuk do të miratonin grumbullimin e turmave të njerëzve në trenat Eurostar. Së dyti, nëse njëri nga vendet fillon të mposhtë më shpejt virusin, ai mund të vendosë t’i mbyllë kufijtë me vendin tjetër. Kështu, flluskat “e kontaminuara” të udhëtimit mund të jenë më pak produktive dhe më pak të qëndrueshme.

Versioni ideal janë flluskat “e pastra”. Që ato të funksionojnë, shtetet duhet së pari të kontrollojnë infeksionet brenda vendit, thotë Teo Yik Ying, dekani i Shkollës së Shëndetit Publik Saw Swee Hock, në Universitetin Kombëtar të Singaporit. Më pas, shtetet duhet të tregohen të hapur me partnerët e tyre: duke shkëmbyer të dhëna në lidhje me nivelet e infeksionit dhe testimit dhe duke treguar si i gjurmojnë dhe izolojnë ata që mund të kenë virusin. “Kjo do të varet nga besimi midis qeverive”, thotë zoti Teo.

Nevoja për besim e vë menjëherë në dyshim flluskën Azi – Paqësor, siç tregon edhe grindja më e fundit në këtë rajon. Kina pezulloi disa importe të mishit të viçit nga Australia, pasi kjo e fundit kërkoi kryerjen e një hetimi mbi origjinën e Covid-19. Kombet e varfra gjithashtu mund të përjashtohen. Laosi dhe Kamboxhia kanë raportuar pak infeksione, por vendet më të pasura nuk kanë shumë besim tek ato.

Testimet më të shumta mund të ndihmojnë në tejkalimin e deficitit të besimit. Marrim rrugën e shpejtë midis Koresë së Jugut dhe Kinës. Për sa kohë që udhëtarët e biznesit testojnë negativë për virusin përpara nisjes, ata karantinohen vetëm për një ose dy ditë dhe testohen edhe një herë përpara se të lejohen të dalin. Por kjo është e pavolitshme, çka ndihmon të shpjegohet pse Kina pranoi vetëm 210 koreanojugorë në dhjetë ditët e para të marrëveshjes.

Përfundimi është se nuk ka rrugë të shkurtra. Michael Baker, një epidemiolog në Universitetin e Otagos në Uellington, parashikon se vendet e zhvilluara do të ndahen në dy blloqe: ato si Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut që synojnë të eliminojnë koronavirusin dhe ato si Amerika dhe Britania që thjesht duan ta shtypin atë. Këto blloqe mund të përfundojnë në dy zona udhëtimi, thotë ai. Mallrat dhe paratë do të vazhdonin të qarkullonin midis tyre. Por njerëzit do të gjenin horizontin e tyre të diktuar nga fakti nëse janë në anën e pastër ose të kontaminuar të ndarjes.

Të fundit