E enjte, 29 Shtator, 2022

ZIGZAG: TË JESH E TË KESHË

Idetë, ka pas thënë Antonio Labriola, nuk pikin nga qielli, me demek, janë pjellë e mendjes njerëzore. Ali Ahmeti me projektin për ‘kryeministër shqiptar’ sikur na e risolli Kushtetutën e parë të  ‘Republikës Popullore Federative të Maqedonisë’(1946), për të na thënë se ky nuk bie ndesh as me nenin 90 të Kushtetutës së sotme, sipas të cilit Presidenti ‘e ka për detyrë që në afat prej dhjetë ditëve, nga dita e konstituimit të Kuvendit, mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Kuvend’. Pikë. Askund nuk thuhet se Kryeministri duhet të jetë i kësaj apo asaj partie, por duhet të jetë kandidat i shumicës parlamentare. Shembull: Si u bë kryeparlamentar i Republikës së Maqedonisë së Veriut komandant Talat Xhaferi! Dua të them: për të pasur – duhet të jeshë, besa edhe të keshë – mend!

Autor: Seladin XHEZAIRI

Perëndia na e ka falur mendjen, trurin, dhe po nuk e vëmë në përdorim, atëherë nuk ka e kanë fajin të tjerët. Psikologu i njohur Albert Bandura e trajton shumë mirë çështjen e efikasitetit dhe me të drejtë nënvizon se ‘njerëzit me efikasitet ia dalin mbanë në një shumëllojshmëri situatash, madje, edhe atëhere kur situatat janë ambivalente ose më tepër stresante’.

Debatet (në kampin politik dhe jo vetëm politik shqiptar) që po e shoqërojnë projektin më të ri të kreut të integristëve Ali Ahmeti, sikur provojnë mungesën e asaj që quhet besim në vetëvete, ndaj vijnë në shprehje edhe togfjalëshat ‘infantilitet, joseriozitet’, në vend se të njëjtin ta venin nën ‘thjerrëz’ për shkak se Abaz Gjuka në paraqitjen e tij të fundit tha shkurt’e shqip se nuk e shihte veten në këtë post! Pra, pyetja që shtrohet është: Bëhet apo s’bëhet? Unë them: Po! Noshta jo sot, po nesër, po se po! Një përcaktim i këtillë, fundja nuk bie ndesh as me normat kushtetuese, as me nenin 20 me të cilin edhe shqiptarëve ‘u garantohet liria e bashkimit me qëllim të realizimit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe bindjeve të tyre politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe të drejtave dhe bindjeve të tjera’.

Kur ne na njihet e drejta të zgjedhim, a domethënë kjo se angazhimi për Kryeministër shqiptar apriori nënkupton mohimin e kësaj të drejte? Për më tepër mbamendja politike për krijimin e qeverisë nuk është se nuk i njeh qeveritë e koalicionit, madje edhe qeveritë e pakicës që janë rezultat i marrëveshjeve politike mes më shumë partnerëve. Synimi për marrjen e pushtetit është e drejtë dhe dëshirë e çdo partie, sikundër që është e tejdukshme prirja që duke pasur mashën të mos i djegin duart!

Në shembullin e Maqedonisë së Veriut, qeveritë e shumicës, por edhe ato të pakicës, si kjo e fundit, me të gjitha të metat, deri tani kanë qenë rezultat i kompromiseve. Fundja, a nuk ishte lëshim pe i LSDM-së që në ballë të Kuvendit të vijë Talat Xhaferi? Analoge me këtë është: A nuk është e mundshme që pas zgjedhjeve, varësisht nga raporti i forcave në kampin maqedonas, partitë politike shqiptare të kushtëzojnë formimin e qeverisë me të mandatuarin nga radhët e tyre? E bëshme apo jo, edhe në teori njihet se qeveritë e koalicionit jo rrallë detyrohen të heqin dorë nga premtimet parazgjedhore (Lideri i socialdemokratëve gjykoj se reagoi shpejt kur tha se ai ka për të qenë kryeministër), prandaj është edhe i kuptueshëm, njësoj si projekti i Ahmetit, angazhimi I LSDM-së sot, apo i VMRO-DPMNE-së, në kohën e Gruvskit, për sigurimin e një ‘shumice të fuqishme’ që nuk do të varej nga kushtëzimet e BDI-së apo të partive shqiptare!

Psikologu kanadezo-amerikan Bandura thekson se njerëzit janë vetorganizues, vetërregullues, proaktivë dhe vetëreflektues. Ata formojnë qëllime, vendosin objektiva, parashikojnë rezultate, monitorojnë veprime dhe reflektojnë mbi efikasitetin personal, do të shtoja here-herë edhe kolektiv dhe – iu ekspozohen sfidave. Natyrisht, e njëjta vlen edhe për ata që kundërshtojnë! Idetë, ka pas thënë Antonio Labriola, nuk pikin nga qielli, me demek, janë pjellë e mendjes njerëzore. Ali Ahmeti me projektin për ‘kryeministër shqiptar’ sikur na e risolli Kushtetutën e parë të ‘Republikës Popullore Federative të Maqedonisë’(1946), për të na thënë se kjo nuk bie ndesh as me nenin 90 të Kushtetutës së sotme, sipas të cilit Presidenti ‘e ka për detyrë që në afat prej dhjetë ditëve, nga dita e konstituimit të Kuvendit, mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Kuvend’. Pikë. Askund nuk thuhet se Kryeministri duhet të jetë i kësaj apo asaj partie, por duhet të jetë kandidat i shumicës parlamentare. Dua të them: për të pasur – duhet të jeshë, besa edhe të keshë – mend! Reagimet pa karar, bëjnë zarar. Duhet hapur debatin, kjo është e domosdoshme, ama pa të qara e të shara!

Të fundit