E enjte, 29 Shtator, 2022

GABIMET E MËDHA PARAZGJEDHORE

Deklaratat në fushatë parazgjedhore janë si lëvizjet e para të lojës së shahut. Nëse nuk janë të kujdesshme, pason mat i papritur. Nëse i lëviz gabimisht, e humb lojën më vonë – pas zgjedhjeve. Deklaratat e mëdha në këtë periudhë mund të përthehen në gabime të mëdha me kosto të lartë politike.

Autor: Xhelal Neziri

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski nuk vazhdoi gjendjen e jashtëzakonshme, e cila ishte vendosur në prill për t’i dhënë fuqi qeverisë të menaxhojë më mirë krizën e shkaktuar nga virusi korona. Kjo do të thotë se vendi nis të numërojë deri te dita kur do të votohet përbërja e re parlamentare, e cila do të prodhojë qeverinë që do të drejtojë shtetin në katër vitet e ardhshme.

Menjëherë pas vendimit, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe ai i VMRO-DPMNE-së u takuan për t’u marrë vesh për datën e zgjedhjeve. Zaev kërkon zgjedhje të shpejta, 21 ditë pas ndërprerjes së gjendjes së jashtëzakonshme, apo më 5 korrik, kurse Mickovski – në fund të gushtit apo shtator. Takimi i tyre te zyra e Pendarovskit nuk rezultoi me sukses. Thanë se janë marrë vesh që të vazhdojnë komunikimin. Sipas të gjitha gjasave, do të arrihet një datë kompromisi kah mesi i korrikut pasi edhe Brukseli edhe Washingtoni nuk dëshirojnë zgjedhje pa opozitën e drejtuar nga Mickovski. Ky i fundit poashtu gjendet nën presion të që marrë pjesë në zgjedhje ku nuk do të ketë mundësi të bëjë fushatë të drejtpërdrejtë. Kjo mund të zvogëlojë gjasat që të bind mbështetësit e VMRO-DPMNE-së të dalin të gjithë në votime, ndërkohë që LSDM në pushtet duket se ka më shumë leva ta maksimalizojë votën.

Në bazë të të gjitha anketave, partia e Zaevit dhe Mickovskit kanë 1-2% dallim në mbështetje. Kjo favorizon një situatë të njëjtë si në 2016, kur baraspeshimi i votës maqedonase solli një numër afërsisht të njëjtë deputetësh për të dyja partitë – LSDM 49, VMRO-DPMNE 51. Ky realitet e bëri BDI-në me 10 dhe ASH-në me 3 deputetë vendimtare se kush do të jetë kryeministër dhe cila parti do ta formojë qeverinë.

A mund të bëjnë një koalicion etnik VMRO-DPMNE dhe LSDM që të detyrojnë BDI-në dhe ASH-AA që të ulin kërkesat e tyre eventuale? Pak ka gjasa të ndodhë kjo shkaku i dallimeve të mëdha ideologjike dhe konceptuale midis tyre. Siç nuk mund të ketë një përafrim në baza etnike midis liderëve shqiptarë.

Andaj deklaratat në fushatë parazgjedhore janë si lëvizjet e para të lojës së shahut. Nëse nuk janë të kujdesshme, pason mat i papritur. Nëse i lëviz gabimisht, e humb lojën më vonë – pas zgjedhjeve. Deklaratat e mëdha në këtë periudhë mund të përthehen në gabime të mëdha me kosto të lartë politike.

Si përmbyllje të këtij teksti, po sjell disa mësime nga gabimet e mëparshme të politikanëve të ndryshëm nga vendi dhe rajoni:  

  1. Suksesi dhe jetëgjatësia politike varet nga raporti i ndërtuar me median dhe gazetarët.
  1. Asnjëherë mos thuaj asnjëherë, edhe kur bëhet fjalë për mundësinë e koalicionit me armikun më të madh politik.
  1. Diversifikoi partnerët e mundshëm për koalicione.
  1. Kapaciteti koalicionues është po aq i rëndësishëm, ndonjëherë edhe më shumë sesa edhe fitorja në zgjedhje.
  1. Njihe fuqinë e tjetrit, ji i vetëdijshëm për fuqinë tënde.
  1. Mos u fut në vallen e faktorëve të mëdhenj global, asnjëherë nuk do ta mësosh lëvizjen e këmbëve të tyre.
  1. Mbahu i lidhur me vijat zyrtare të shteteve tjera, opozita është gati e parëndësishme në marrëdhëniet bilaterale.
  1. Mos lëviz as një milimetër nga orientimet strategjike shtetërore – NATO dhe BE.
  1. Suksesi i një lideri njihet me miqtë që krijon, kurse dështimet – me armiqtë. Asnjëherë mos u armiqëso me miqtë strategjikë jashtë dhe brenda, nga të cilët varet suksesi yt.
  1. Në politikë vepro për realizimin e qëllimeve, e jo për të kënaqur egon.

Të fundit