E mërkurë, 5 Tetor, 2022

INTERVISTË, MENDUH THAÇI: PDSH PA KONKURENCË NË TETOVË, DO T’I MPOSHTIM KEQ BDI-në DHE LSDM-në (video)

Lideri i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, është për zgjedhje të shpejta – 21 ditë pasi të ndërpritet gjendja e jashtëzakonshme. Në emisionin “Klan Debat” te Seladin Xhezairi, Thaçi tha se vetëm një qeveri legjitime dhe politike do të mund t’i japë fund krizës me pandeminë COVID-19 dhe efektet negative ekonomike që do të lë pas, përcjell KDP.

“Është fatkeqësi që kjo pandemi na gjeti në fushatë parazgjedhore. Stërkëmbëzat partiake dhe interesat e tyre të fitojnë simpatinë e votuesve kanë rikthyer koronavirusin. Tash na duhen zgjedhje sepse nuk mund të rrinë në një vend edhe derri edhe sëpata”, tha Thaçi, duke folur për përplasjet VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së brenda qeverisë teknike.

Beteja kryesore politike te shqiptarët, sipas tij, do të zhvillohet midis PDSH-së, BDI-së dhe LSDM-së, e cila ka në koalicion Lëvizjen BESA. Për koalicionin ASH-AAA tha se nuk do të kenë sukses pasi nuk kanë doktrinë politike.

“BDI ka integrizmin si ideologji, PDSH autonomizmin – pra veprimin autonom politik të shqiptarëve. BDI i bën konkurrencë LSDM-së me ideologjinë e saj. Koalicioni ASH-AAA nuk kanë ideologji – një herë imitojnë BDI-në, një herë PDSH-në prandaj do të dështojnë. BESA është shkri në LSDM dhe nuk i akuzoj për këtë. Kështu, 3 konkurrentë politikë do të jenë në zgjedhjet e ardhshme te shqiptarët – PDSH, BDI dhe LSDM”, tha Thaçi.

Ai u shpreh i bindur se në Tetovë dhe në pjesët tjera të banuara me shqiptarë do t’i kthejë votat që kishte më herët. “Këto ditë u aktivizuan sërish njerëz të devotshëm të PDSH-së. Janë nga Poroji. Ka interes te të gjithë të kthehen te ne. Në këto  zgjedhje do të kemi mbi 70 mijë vota. Në Tetovë do të kemi epërsi prej 20 mijë votash ndaj BDI-së dhe 25 mijë karshi LSDM-së”, tha kreu i PDSH-së.

Ai dha kritika të ashpra për mënyrën e menaxhimit të krizës me koronavirusin, duke fajësuar kështu edhe ministrat shqiptarë që kanë udhëhequr me Ministrinë e Shëndetësisë. “Ne për një vit e gjysmë në 2007 e kishim këtë ministri. Për atë kohë e bëmë Fakultetin e Mjekësisë, Klinikën e Tetovës…Arben Taravari ishte një vit ministër e nuk bëri asgjë”, tha Thaçi.

Intervistën e plotë e gjeni në videon më poshtë:

https://www.facebook.com/KlanMacedonia/videos/869887683488763/

Të fundit