E mërkurë, 5 Tetor, 2022

ZIGZAG: KRYEMINISTRI

Për shumëçka mund të mos pajtohemi me Ali Ahmetin, ama ideja e Tij që BDI-ja në zgjedhjet e radhës të dalë edhe me kandidatin e vet për ‘Kryeministrin e parë shqiptar’ është – qëllim në shenjë! Nuk është e thënë të jemi dakord, ama ky angazhim e dëshmon parimisht kauzën e lansuar po nga Ahmeti se edhe shqiptarët janë ‘dalzotës’ të këtij vendi! Së këndejmi, reagimet që vërshuan më duken tepër të vakëta dhe se ç’më kujtojnë atë të moçmen ‘për inat të s’ime vjehrë’… Po, pajtohem, të mos i bëjmë hesapet pa hanxhinë, por kjo vlen për të gjithë, apo jo?!

Autor. Seladin XHEZAIRI

Jo rastësisht, gjykoj, kreu i BDI-së, zgjodhi pesë qershorin, ditën e themelimit të kësaj partie, që të bëjë të ditur se në zgjedhjet e radhës integristët do të garojnë edhe me kandidat(e) për kryeministër të vendit: ‘Ne e nisëm bashkë këtë rrugëtim para 18 viteve, Bashkë u përballuam me çdo sfidë dhe i besuam njëri -tjetrit, Bashkë i përcaktuam dhe i realizuam synimet tona dhe në këtë përvjetor kaq të rëndësishëm për të gjithë ne, le ta përcaktojmë bashkarisht edhe qëllimin tonë të radhës që në zgjedhjet që pasojnë, të realizojmë synimin për të zgjedhur një personalitet të vlerësuar, të dëshmuar dhe të pranueshëm të cilin ose të cilën do ta përzgjedhim bashkarisht për KRYEMINISTRIN E PARË SHQIPTAR!!!’. Jo një, po tri pikëçuditëse! Si për t’i paralajmëruar oponentët e vet se është i vetëdijshëm për reagimet që do të pasojnë e që, ç’është e vërteta, edhe nuk munguan!

Kështu, Lëvizja Besa (e cila ka lidhur një ‘besëlidhje’ me socialdemokratët e Zoran Zaevit) të premten pas dite doli me qëndrimin se nuk diskutohet ‘që shqiptarët në të ardhmen edhe mund të kenë kryeministër në Maqedoninë e Veriut… por ky me siguri nuk do të jetë nga radhët e BDI-së: ‘Idenë e hedhur nga kryetari i BDI-së për kryeministër shqiptar në këto rrethana kur veçmë kemi të caktuara listat e kandidatëve për deputetë si dhe proces zgjedhor të pauzuar, e llogarisim si populiste dhe vetëm për përfitime të pak poenave politike. Hedhja e kësaj ideje në këtë moment më shumë i ngjanë arsyetimit se BDI do shkojë në opozitë,’- thuhet ndër të tjera në reagimin e kreut të Besës, Bilall Kasami.

Alternativa e Afrim Gashit që ka lidhur krushqi parazgjedhore me Aleancën për Shqiptarët të Ziadin Selës e pranon se angazhimi për Kryeministër shqiptar është ‘ide me dizajn të bukur’, por vlerëson se në esencë, për nga përmbajtja, është i zbrazët: ‘Sikur mos ta dimë se cila është historia e asaj partie, mbase edhe do të ishim ekzaltuar, por duke e ditur se ata ishin ata që më 2014 e shpikën idenë e “presidentit konsensual”, në mënyrë që Gjorge Ivanov të bëhej president, nuk na bën përshtypje as ideja e “kryeministrit shqiptar”. Na mbetet ta shohim se kujt do i shërbejnë kësaj radhe…’ – ka reaguar Alternativa.

Nga VMRO-DPMNE-ja deri tani nuk ka pasur ndonjë reagim, kurse i pari i LSDM-së, Zaev, ka lënë të kuptohet se po qe se partia e tij fiton zgjedhjet, ai ka për t’i prirë ekzekutivit të ri dhe, konform kësaj, ‘nëse BDI ka një kusht të këtillë për koalicion për qeveri, atëherë BDI-ja nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme,’ – shkroi Zaev në dritaren e tij në FB.

Pavarësisht qëndrimeve të këtilla e që s’do mend se ditëve në vazhdim kanë për t’u shtuar, kujtoj se duhet vënë në kantar vlerësimet e paradokohshme të Vlado Buçkovskit, ish-kryeministër dhe ish-kryetar i LSDM-së, për peshën e partisë së Ahmetit e cila ka dominuar për 18 vite skenën politike të shqiptarëve në Maqedoni. Buçkovski në TV Telma u shpreh pa dorashka: ‘Shumëkush në bllokun maqedonas e nënçmon fuqinë e BDI-së dhe meritat që kanë BDI dhe Ahmeti për këtë që kemi sot. Kanë shumë mangësi, ama duhet të mbajmë mend se ishte një formacion ushtarak, paraushtarak që u transformua në parti politike dhe që vazhdimisht rreth këtyre dy pikave, rreth NATO-s dhe BE-së, është konstant: Kanë përmbysur ose jo Qeveri, por me Zaevin u tregua se bënë koalicionin qeverisës që mbërriti në cak. Kjo është meritë e tyre të cilën e çmon më shumë komuniteti ndërkombëtar sesa dikush tek ne, madje edhe tek LSDM-ja në pushtet!’ – ka vlerësuar Buçkovski. Dhe, të mos e zgjas: Për shumëçka mund të mos pajtohemi me Ali Ahmetin, ama ideja e Tij që BDI-ja në zgjedhjet e radhës të dalë edhe me kandidatin e vet për ‘Kryeministrin e parë shqiptar’ është – qëllim në shenjë! Mundet edhe të mos pajtohemi, ama angazhimi e dëshmon parimisht kauzën e lansuar po nga Ahmeti se edhe shqiptarët janë ‘dalzotës’ të këtij vendi! Së këndejmi, reagimet që vërshuan më duken tepër të vakëta dhe se ç’më kujtojnë atë të moçmen ‘për inat të s’ime vjehrë’…

Të fundit