E enjte, 29 Shtator, 2022

PROTOKOLLET PAMUNDËSOJNË MENAXHIMIN E MIRË TË HAPËSIRËS

Pronarët e restoranteve dhe kafeneve ankohen për protokollet e funksionimit. Sipas tyre këto protokolle duhet të rishqyrtohen, sepse me to nuk mund të menaxhohen siç duhet hapësirat. Ata kërkojnë përfshirjen e një gastronomi në përpilimin e tyre. Ata gjithashtu bëjnë të ditur se kanë humbje të mëdha dhe rrezikojnë të humbin edhe gjatë periudhës që vjen.

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Me vendosjen e protokolleve për funksionimin e kafeneve dhe objekteve hotelierike, pronarët ankohen se po humbasin shumë. Sipas tyre, protokollet duhet të vendosen nga gastronomë që janë kompetentë për këtë fushë.

Edhe pse kanë filluar me punë dhe janë duke iu përmbajtur protokolleve të qeverisë, pronaret e restoranteve  shprehen të shqetësuar se do të mund të rikuperojnë humbjet.

“Për ne si ndërmarrje dhe të gjitha ndërmarrjet, do të jetë shumë e vështirë për t’u rikuperuar, ne gjysmën e sezonit e kemi humbur, ne nuk jemi të sigurt se do e humbin edhe këtë sezon. Kufijtë janë mbyllur. Qytetarët s’kanë para për të ardhur të hanë në restorante”, thotë Gresa Sadiku, pronare restoranti.

Protokolli i obligueshëm për restorantet dhe objektet hotelierike i përcaktuar nga Komisioni për sëmundje ngjitëse, sipas pronarëve të restoranteve ka shumë lëshime.

‘Të kënaqur jemi nga procedurat, i respektojmë, dezinfektimin e bëjmë, distancën e kemi. Por është vështirë sepse kemi numër më të ulët të klientëve, humbje e madhe. Puna ka rënë shumë, punojmë vetëm 20 për qind. Klientët nuk janë të kënaqur sepse duan shoqëri, tavolina me më shumë ulëse”, thotë Gordana Zdraveska pronare restoranti.

Protokolli i funksionimit të restoranteve nuk i përmbushë pritjet e pronarëve, ndërkohë që ata shfaqin ankesa për menaxhimin e hapësirës. Sipas tyre, ky protokoll ka mangësi ndërkohë që kërkojnë të funksionojnë jo vetëm tarracat, por edhe ambientet brenda restorantit.

‘Kemi problem me klientët, nuk janë mësuar t’i urdhërosh, një tavolinë po, një jo, po ashtu duhet të ua kërkojmë letërnjoftimet për uljen e tyre, a janë familjarë apo janë shokë, d.m.th në tavolinë më të vogël të ulet një person, në tavolinë më të madhe dy persona dhe posaçërisht të jenë shokë, edhe 4 familjarë. Po ashtu është edhe protokolli 12 persona në një vend, por nëse shkojmë me këtë zihet i gjithë restoranti, dhe kështu që nuk kemi fitime nga kjo. Kështu që apeloj që qeveria sa më shpejtë të tërheq këtë protokoll, ose ta gjej një mënyrë tjetër funksionimi, d.m.th jo vetëm tarraca, por të funksionojë edhe brenda, pasi që humbim një pjesë të madhe të restorantit”, thotë Validin Ademi, pronar restoranti.

Pronarët e restoranteve të cilët funksionojnë me kapacitet të ulët ankohen për humbje të mëdha në bizneset e tyre, prandaj kërkojnë që protokollet për restorantet të vendosen nga persona kompetent të fushës.

Për momentin, thotë Validin Ademi, ne jemi duke funksionuar më së paku se gjysma, d.m.th mungojnë shumë punëtor shkaku i punëve, pasi që nuk mund të arrish të bësh pagesën  për krejt, kështu që shpresoj sa më shpejtë të fillojmë me punë të mbarë.

“Apelojmë deri tek qeveria që sa më shpejtë të hiqen këto protokolle ose të zëvendësohen me diçka më të mirë. Të vihet një njeri kompetent, posaçërisht të jetë gastronom, se si të bëhen protokollet për restorantet. Normal, ndryshojnë për restorante, për banka, por për restorante kemi nevojë për një gastronom që e din si është rendi i restoranteve”, thotë Ademi

Ndërkaq, Inspektorati Shtetëror i Tregut ka bërë të ditur se nëse gastronomët dhe vizitorët e tyre janë të ndërgjegjshëm dhe të vetëdijshëm dhe i respektojnë rekomandimet do të ketë edhe lehtësime plotësuese. Inspektorati tashmë ka dorëzuar propozime, duke theksuar se gjendja në sektorin e gastronomisë do të varet nga sjellja e të gjithë gastronomëve dhe vizitorëve.

Të fundit