E mërkurë, 5 Tetor, 2022

Imperativi i shkrim-leximit mediatik 

Autor: Bardhyl Zaimi

Shekulli XXI nga shumë studiues është definuar si shekull i teknologjisë dhe i mediave. Progresi i jashtëzakonshëm i teknologjisë ka determinuar edhe funksionimin ndryshe të mediave, të cilat tashmë janë në një ndërvarësi të përhershme me këto zhvillime teknologjike. Kjo ndërvarësi mes zhvillimeve teknologjike dhe mediave ka krijuar tërësisht një paradigëm të re edhe në krijimin, distribuimin dhe receptimin e informacionit. Është krejtësisht një realitet i ri që determinohet nga teknologjia, por edhe nga përshtatja e mediave me këtë realitet.

Në këtë kontekst njohuritë tona mbi botën dhe të kuptuarit e saj, në mënyrë të pashmangshme, po formohen prej mediave dhe prej teknologjive të tyre pranë të cilave kalojmë ditën. Prandaj edukimi për median dhe shkrim-leximi mediatik, pra pedagogjia e mediave mbetet një imperativ i domosdoshëm për të zhvilluar aftësitë për kërkim, për të analizuar dhe vlerësuar përmbajtjet mediatike dhe të informacionit si dhe për përvetësuar një sens kritik mbi procesin e produksionit të përmbajtjeve mediatike.

Tashmë në nivel teorik tema e edukimit dhe shkrim-leximit mediatik është trajtuar në sa e sa studime, ndërkohë që gjithnjë e më tepër shkrim-leximi mediatik po promovohet si një premisë kryesore për të kuptuarit e botës dhe të realiteteve politike, shoqërore dhe sociale. Sigurisht, nevoja për edukim mediatik është më e hershme, pikërisht në kohën kur teknologjitë e reja tashmë kishin marr hov në shoqëri.

Që në vitin 1982, UNESCO paralajmëronte se “ ne duhet t’i përgatisim të rinjtë për të jetuar në botën e imazheve, të fjalëve dhe tingujve të fuqishëm”. Pikërisht, mes shumë definimeve teorike, një ndër definimet që ka marr karakter institucional dhe zyrtar është përsëri ai UNESKO-s dhe Këshillit të Europës, sipas të cilit edukimi dhe shkrim leximi mediatik kuptohet si “ kapacitet për qasjen në media, për të kuptuar dhe për të mësuar në një sens kritik aspektet e ndryshme të medias e të përmbajtjes së saj si dhe për të komunikuar në kontekste të ndryshme”.

Mbetet e nevojshme që të sqarohet se nocionet edukimi dhe shkrim-lexim mediatik përfaqësojnë kuptime të ndryshme dhe nuk janë sinonime të njëra-tjetrës. Edukimi mediatik më tepër nënkupton procesin e edukimit, të mësimit për receptimin e përmbajtjeve mediatike, ndërkohë që shkrim-leximi kap një spektër më të gjerë angazhimesh dhe nënkupton procesin konkret të dekodimit të përmbajtjeve mediatike.

Në aspektin teorik gjithashtu mbetet e domosdoshme të kuptohet edhe natyra e përfaqësimit dhe funksionimit të mediave, e cila gjithashtu përcaktohet përmes disa definimeve që i japin më pastaj kuptim edukimit dhe shkrim-leximit mediatik. Kthesën më të madhe në perceptimin e një realiteti të ri mediatik të determinuar nga teknologjia dhe konkretisht nga interneti e bëri, teoricieni kanadez i mediave, Herbert Marshall McLuhan, i cili ishte edhe i pari që lansoi definimin “fshati global”. Për më tepër, McLuhan, gjithashtu krijoi edhe metaforën e kthesës së madhe, kur e artikuloi idenë “ media është mesazh”.

Pikërisht, në kuadër të këtij definimi, por edhe të definimeve tjera të mëvonshme shfaqet edhe disa premisa tjera, që mbeten të domosdoshme për të proceduar me edukimin dhe shkrim-leximin mediatik. Në këtë drejtim, mbetet e rëndësishme të kuptohen definimet tashmë të pranuara nga të gjithë ata që merren me shkrim-leximin mediatik dhe që na bëjnë të ditur se:

  • të gjitha mediat janë konstruksione,
  • mediat konstruktojnë versione të realitetit dhe se
  • publiku u jep kuptim përmbajtjeve të transmetuara nga mediat.

Në gjithë këtë suazë, gjithashtu dalin edhe definime tjera të rëndësishme përveç këtyre, por ato kërkojnë një elaborim pak më të gjerë që nuk mund të shtrihet në këtë shkrim. Për më tepër, duhet ta përcaktojmë edhe funksionet e mediave, në mënyrë që të kemi kuptim se çfarë në të vërtet përfaqësojnë ato. Mediat mbi të gjitha kanë funksion informues, kritikues dhe kontrollues, arsimues, argëtues, shërbejnë si mjet për mësim permanent, kanë funksion integrues dhe të lidershpit (mediat në shumë mënyra bashkojnë njerëzit, kulturat, idetë dhe religjionet).

Pikërisht duke u mbështetur në këto definime që përcaktojnë natyrën dhe funksionin e mediave, realisht edhe përcaktohet gjithë procesi i edukimit dhe shkrim-leximit mediatik që shfaqet shumë kompleks, por në të njëjtën kohë edhe si domosdoshmëri për të kuptuar gjithë planimetrinë e informacionit që qarkullon në botën e mediave, në hapësirën mediatke, në mediat të definuara si tradicionale dhe mediat e reja, që tërësisht mbeten të lidhura me hapësirën e botës online.

Për ta sintetizuar këtë materie të gjerë të teorive të edukimit dhe të shkrim-leximit mediatik, domosdoshmërisht duhet të theksojmë nevojën që në kuadër të këtij procesi duhet të shpërfaqim konceptin e gazetarisë në të gjitha dimensionet e saj. Edukimi dhe shkrim-leximi mediatik domosdoshmërisht duhet të përfshijë edhe njohuritë mbi profesionin e gazetarisë dhe esencën e gazetarisë, që nënkupton lajmin, informacionin. Të gjitha zhanret tjera të gazetarisë më pastaj mbindërtohen pikërisht nga lajmi si esencë e gazetarisë.

Tashmë jetojmë në një botë të vërshuar nga komunikimet, nga informacioni dhe nga publikime që krijojnë një kaos të vërtetë në botën mediave online. Tashmë është theksuar nga teoricienë të mediave se jo të gjitha këto komunikime nënkuptojnë informacion të mirëqenë. Një informacion merr kuptim vetëm nëse është në funksion të interesit publik, prandaj edhe detyra e gazetarëve mbetet specifike.

Jo çdo komunikim, publikim, përfaqëson gazetari dhe bashkë me këtë edhe informacion të mirëqenë dhe me interes për hapësirën e përbashkët publike. Gazetaria njeh një proces të vështirë të mbledhjes, përpunimit dhe prodhimit të informacionit. Ky është një proces përgjegjësie dhe verifikimesh të shumta që i japin legjitimitet profesional lajmit të kumtuar gjegjësisht informacionit.

Komunikologët që kanë analizuar funksionet e mediave kanë arritur që si parësore të nxjerrin funksionin e raportimit mbi ngjarjet, dukuritë, proceset dhe lëvizjet në shoqëri si dhe funksionin e kambanës së alarmit që duhet ta ngrenë mediat edhe për rreziqet e pritshme. Në këtë drejtim, si mjete të komunikimit masiv në shoqëri mediat ndërmjetësojnë, mediatizojnë ndërmjet njerëzve, grupeve, bashkësive. Por në rolin e tyre të shpjeguesit dhe interpretuesit të informacioneve, “ndërtojnë” (konstruktojnë) realitetin shoqëror në atë mënyrë që informacionit i shtojnë disa elemente, të cilët mungojnë në informacionin burimor, ose informatat i formulojnë mbi bazë të kërkesave ose pritshmërive të qendrave të fuqisë ose të grupeve të tjera të interesit.

Së këndejmi vijmë tek aspekti i manipulimit mediatik, tek dezinformomi, tek lajmet e rreme ( fake news-at) dhe tek gjitha ai det i hiperinforamcionit që e bënë kaq të vështirë procesin e identifikimit të informacionit relevant, me interes publik dhe të verifikuar. Pikërisht, në këtë kontekst, edukimi dhe shkrim-leximi mediatik shfaqen si domosdoshmëri e kohës për një publik sa më të gjerë, për një përfshirje të të gjitha shtresave shoqërore dhe sidomos të rinjve.

Padiskutim, nga gjithë kjo suazë terorike, duhet të zbritet në nivele konkrete të edukimit mediatik nëpërmjet metodave dhe përmbajtjeve kreative. Kjo nënkupton dimensionin pedagogjik të këtij procesi, por edhe të gjitha ato modele implementimi që mundësojnë një shtrirje sa më të gjerë dhe më efektive të edukimit dhe shkrim-leximit mediatik. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga CNN mbi shkrim leximin-mediatik, Maqedonia e Veriut, nga viti 2008 shënon regres në sferën e promovimit të shkrim-leximit mediatik. Maqedonia e Veriut tashmë renditet kah fundi i listës së shteteve për edukim dhe shkrim-lexim mediatik.

Është koha që ta kuptojmë drejt këtë alert dhe gradualisht t’i kushtohet vëmendja e duhur këtij procesi, i cili tashmë ka kuptimin siç e kishte dikur shkrimi-leximi për njerëzit. Sensibilizimi mbi këtë nevojë urgjente mbetet domosdoshmëri për të gjitha institucionet, por edhe për të gjithë protagonistët tjerë të jetës shoqërore. Është koha për sa më shumë trajnime dhe për sa më shumë shpjegime se çfarë nënkupton procesi i edukimit dhe shkrim-leximit mediatik. Dimensionet e shkrim-leximit mediatik duhet të shtrihen në të gjitha nivelet e shoqërisë, por mbi të gjitha tek të rinjtë që janë përdorues të përhershëm te mediave online, aty ku zakonisht më së shumti shfaqen dezinformatat, lajmi i rremë dhe deformime tjera që krijojnë një perceptim krejtësisht të gabuar të realiteteve politike, shoqërore, sociale dhe kulturore.

Fillimi i aplikimit më të ngjeshur të edukimit dhe shkrim-leximit mediatik, në frymën dhe në praktikat e të menduarit kritik, do të mundësojë që të reduktohet hapësira për manipulim mediatik dhe në të njëjtën kohë do të zgjerohej hapësira e receptimit të lajmeve kredibile që ndërlidhen me interesin publik. Inkorporimi i edukimit dhe shkrim-leximit mediatik në kurrikulat mësimore gjithashtu mbetet një domosdoshmëri, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të krijohet predispozitë për interaksion me informacione të vlefshme dhe kredibile.

Pikërisht, edhe në kohën e pandemisë së virusit korona ne jemi tashmë dëshmitarë të dezinformacioneve dhe lajmeve të rreme të shumta që krijojnë një perceptim krejtësisht të gabuar mbi gjendjen reale me këtë krizë.

Përmes trajnimeve, punëtorive dhe formave tjera kreative, në mund të krijojmë një momentum tjetër për të promovuar dhe afirmuar konceptin e edukimit dhe shkrim-leximit mediatik si një dimension i padiskutueshëm në këtë kohë të zhvillimeve të shumta mediatike, që në vete përfshijnë edhe forma të sofistikuara të manipulimit mediatik, që bëhet tërësisht me qëllim për të krijuar huti dhe perceptime të gabuara te njerëzit.

Edukimi dhe shkrim-leximi mediatik nënkupton receptimin e informacionit profesional, kredibil, që mbetet një nga misionet themelore të gazetarisë. Ky edukim nënkupton informimin e drejtë dhe me etikë dhe gjithashtu nënkupton edhe demokraci të shëndoshë dhe funksionale. Modelet janë të shumta, duhet vetëm vullnet për t’i dhënë një shtytje më të madhe këtij imperativi që tashmë mbetet jetik për shëndetin e një shoqërie, në kohë e gjithëpranisë së mediave në jetën e gjithsecilit.

 

Të fundit