E enjte, 29 Shtator, 2022

ZIGZAG: VIRAN

Jo, Noli nuk është vetëm një ndër stilistët më të mëdhenj, në mos më i madhi, në letrat shqipe! Fan S. Noli (1882 – 1965) mbetet njohësi më I mirë i tekeve dhe veseve, për të mos thënë i kokëfortësisë dhe kryeneçësisë sonë të cilën po e manifestojmë edhe sot në kushtet e kësaj murtaje! S’ka rëndësi, në pajtohesh apo jo, nëse do nisësh të vjellësh me fjalorthin pelin, po a nuk po e vëren se gojëkëqinjtë e telallët e rrenave, po na shtohen si këpurdhat pas shiut?

Autor: Seladin Xhezairi

Noli e bëri ‘Revolulcionin e Qershorit’ dhe shkoi si shkoi: zemrën pelin pse nuk e vuri në jetë atë objektivin e tij për t’i çuar shqiptarët përpara. Shpejt pas dështimit e pranoi dështimin: ‘Duke këmbëngulur tek reformat agrare, zgjova zemërimin e aristokracisë çifligare; duke mos i zbatuar reformat, humba mbështetjen e masave fshatare,’- do t’i qahej një mikut anglez. Kronikanët e veprës së tij, kanë  shënuar edhe reagimin e shqiptarëve të Amerikës, saktësisht të gazetës më të njohur të kohës ‘Dielli’ e cila i doli në mbrojtje, kur Noli ishte përshëndetur me politikën: ‘Fan Noli nuk ishte vetëm një politikan, sepse, të jesh politikan, është gjë shumë e lehtë … mjafton t’i vesh sipas qefit popullit … të mos u trazosh zakonet … të mbash terezinë e politikës. Por Noli nuk është i tillë, mbasi ai, duke iu referuar gazetarit të dëgjuar amerikan C. Prince ‘u përpoq t’i hedhë çapat e përparimit shumë shpejt …’ dhe, sipas një gazetari italian nga Brindisi ‘..qëllimi i tij që të vinte indipendencën e Shqipërisë në themele të shëndosha u përmbys; pa dyshim se populli shqiptar është armik i rreptë … i çdo gjëje të re dhe preferon të mbetet besnik në zakonet e tij të vjetra dhe në mënyrën e rrojtjes së tij tradicionale…’. Prandaj, Noli ka për tëshprehur me mllef zemëratën e vet në poezinë ‘Marshi I Barabbajt’, në të cilën shtrinë përtokë e denoncon me neveri elitet politike të kohës dhe jo vetëm ato për të zhbërë çdo vlerë kombëtare!

 

MARSHI I BARABBAJT

Allalla, o rezil e katil, allalla,
Stroni udhën me hithr’ e me shtok turfanda,
Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, baterma,
Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!

Tradhëtor, ti na nxive, na le pa atdhe,
Ti na çthure, na çkule, na çduke çdo fe,
Varfëri, poshtërsi, robëri ti na dhe,
Derbeder, ujk e derr: Hosanna, Barabba!

0 stërnip i Kainit, tepdil si bari,
Ti na shtyp e na shtryth e ti gjakun na pi,
Ti na ther e na grin e për qejf na bën fli;
0 kokuth e lubi: Hosanna, Barabba!

Në budrum, nëpër llom’ e kufom’ u-mallkofsh,
Në skëterrën, katran e tiran, u-harbofsh,
Me tam-tam e allarm’ e me nëm’ u-shurdhofsh,
Në zëndan mbretërofsh: Hosanna, Barabba!

0 i çgryer, i zhyer, i vyer për hu,
Turp-e-ndot-kundërmonjës të krusen mbi gju
Dallkaukët, kopukët e turmat pa tru,
Zëmër-krund-e-gërdhu: Hosanna, Barabba!

Allalla, o rezil e katil, allalla,
Shtroni udhën me hithr’ e me shtok turfanda,
Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, batërma,
Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!

Të më ndjesh o ti mik i nderuar, i solla këto vargje të Fan Nolit, jo për diçka tjetër, por për të të shtyrë të vrasësh mendjen dhe Ti se si po sillemi, ata dhe ne, politikanë e popull, në këtë gjendje të pazakontë, ndaj këtij viran koronavirusi, sa e si po shpifim, përse po përhapim lajme të rrejshme, jo vetëm përmes portaleve të verdha, përse po i shkelim edhe parimet e ‘shehrit e të Barrilevës’? Për një gram pushtet, për salltanet apo për ç’dreq?

Të fundit