E mërkurë, 5 Tetor, 2022

MASA EKONOMIKE QË I “PËRGJIGJEN KRIZËS” APO “TRANSAKSIONE POLITIKE”?

Masat ekonomike të qeverisë, sidomos të pakos së tretë, mes tjerash shihen edhe si një lloj transaksioni monetar dhe politik përkundrejt grupeve të caktuara. Ekspertët e ekonomisë kërkojnë qasje zhvillimore ekonomike dhe jo zgjidhje të cunguara vetëm për një muaj. Gjithashtu kërkohet përfshirje më e madhe edhe e kompanive tjera dhe jo vetëm atyre që ofrojnë produkte vendore. Përndryshe, masa ekonomike me vauçerët, për pushime dhe blerje pa TVSH do të zbatohet pasi të qetësohet gjendja me pandeminë.

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Masat e paralajmëruara të qeverisë për stimulim të ekonomisë vendase, përmes vauçerëve për produktet e vendit, për pushim dhe për blerje pa TVSH, do të zbatohen pasi epidemia me virusin korona të qetësohet, në fund të muajit gusht ose shtator. Me këtë sqarim të paktën për momentin do të ulet frika te njerëzit, të cilët vlerësonin se motivimi ekonomik me vauçerë do të shkaktojë turma në dyqane dhe me këtë edhe rrezik më të madh për përhapjen e infeksionit korona.

Qeveria ka paralajmëruar ekonomi të re zhvillimore me promovimin e pakos së tretë të masave ekonomike, në fokusin e të cilave është stimulimi i shpenzimeve brenda vendit për kategoritë më të rrezikuara përmes kartelave pagesore dhe vauçerëve. Është paralajmëruar  edhe shpërblime për personelin mjekësor, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë është përballur me të sëmurë me Covid-19, me paga më të larta për 20 përqind për dy muaj.

Profesori universitar, Visar Ademi, shprehet kritik ndaj masave dhe strategjisë për rimëkëmbje. Ai këto masat qeveritare i vlerëson si transaksione monetare shpesh edhe politike kundrejt grupeve te caktuara duke mos iu siguruar mirëqenie afatgjate.

“Nuk duhet t’u jepen qytetarëve para sa për të blerë një muaj, por duhet të përmirësohet mirëqenia ekonomike e atyre qytetarëve. Kjo është pasojë edhe e politikave të VMRO-së dhe kemi akoma ekonomi disfunksionale, sektori privat akoma po vuan”, thekson profesori universitar, Visar Ademi.

Fatmir Bytyqi, si këshilltar qeveritar thotë se struktura e ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, respektivisht dy e treta e BPV është konsum privat, gjë e cila në këtë rast sipas raporteve ndërkombëtare evidentohet si vendi, i cili do ta kalojë më lehtë krizën e pandemisë në aspekt ekonomik, krahasuar me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, nga pakot ekonomike, vetëm 17 përqind shkon tek konsumi privat kurse pjesa tjetër për rimëkëmbje ekonomike.

“Në të gjitha pakot kemi 550 milionë prej të cilëve 17 milionë shkojnë për konsum. Dihet se cilat janë arsyet dhe si përfitohet kriza. Duhet të ndërhyhet aty ku ka nevojë”, thotë Bytiqi.

Nga Oda ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore thonë që masat duhet të jenë të qarta dhe barabarta duke kërkuar që edhe familjet që kanë fëmijë në shkolla fillore të pranojnë vauçerë.

“Kemi kërkuar që ndihma mos t’u shkojë vetëm kompanive që merren vetëm me prodhime vendore, por të kyçen të gjitha kompanitë, pasi të gjitha janë të prekura nga kriza. Përveç hoteleve të kyçen edhe banjat”, thekson Agim Gorçaj nga OEMVP-ja

Pakoja e tretë e masave të qeverisë për ndihmë të ekonomisë vendase, e cila është në krizë për shkak të ngecjes së imponuar nga pandemia korona, do të duhet të ketë edhe efekte më afatgjata, si rritja e konkurrencës në kompanitë vendase, rritje të aftësive për zbatim të teknologjive të reja IT, formalizimin e një pjese të ekonomisë gri dhe modernizim të shërbimeve. Me vendim të qeverisë investimi i përgjithshëm në ekonominë vendore si rezultat i krizës me virusin korona janë tre pakot që arrijnë vlerën prej 550 milionë euro ose 5 deri në 5.5 përqind nga BPV e Maqedonisë së Veriut.

Të fundit