E shtunë, 1 Tetor, 2022

KRONIKA E “KORONAZGJEDHJEVE” TË PARLAJMËRUARA

Periudha e ardhshme në çfarëdo forme do të determinohet nga kriza e virusit korona, por aksioni politik në asnjë rast nuk mund të reduktohet vetëm në ngushtësinë e këtij uniformiteti. Me gjasë të gjitha temat tjera do të mbeten nën hije dhe me të drejtë këto zgjedhje mund të definohen si coronazgjedhje, në kuptimin e betejës politike mes partive politike. Ndërkohë, vetë debati për zgjedhje por krijon një perceptim të gabuar se gjithçka mori fund me virusin.

Autor: Bardhyl Zaimi

Në momentin që dikush e përmend fjalën zgjedhje domosdo gjithçka ndryshon. Dhe kur kjo fjalë kumtohet në një kohë pandemie, në një kohë kur serioziteti i përballjes me virusin duhej të ishte akoma në nivele të larta përgjegjësie institucionale, “keqkuptimi” nga njerëzit bëhet kaq i madh sa mund ta shpallin si të paqenë. Fillimisht folën për rikthim në normalitet, për rikthim gradual, ashtu siç realisht duhet të ndodh dhe siç po ndodh në vendet tjera që tashmë kanë një plan të qartë “rikthimi” në normalitet në ndërvarësi me rrethanat e krijuara, me kujdesin permanent që duhet të tregohet nga rritja e mundshme e infektimeve.

Partitë politike, javën që shkoi u takuan për caktimin e një date të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve dhe të gjitha në refren e përsëriten se shëndeti i qytetarëve është në rend të parë. Sipas të gjitha subjekteve brenda kohës, para se të mblidhen në një takim tjetër te presidenti i shtetit, do të sigurohet informacioni i domosdoshëm për gjendjen me virusin korona, ndërsa më pastaj do të shqyrtohet caktimi i datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Mes rreshtash dukej se të gjitha partitë politike tashmë kishin vendosur për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërkohë që duhej vetëm një ndërmjet kohë për të justifikuar atë që do të ndodhë brenda kësaj javë, pra caktimin e një date. Sigurisht, paraqitjet politike duhej të tingëllonin me shqetësimin e duhur për jetën e qytetarëve dhe të gjitha partitë këtë e thanë si në kor. Prononcimet politike nuk mund të dilnin jashtë kuadrit të pandemisë, ndërkohë që paraprakisht Maqedonia e Veriut kishte shënuar ulje të lakores së infektimeve. Mbase për koincidencë, por në momentin që filluan të përmenden zgjedhjet, brenda 3-4 ditësh numri i të infektuarve shënoi rritje.

Në ndërkohë po përfundonte periudha e gjendjes së jashtëzakonshme dhe duhej të merrej një vendim. Përderisa politika tashmë po fliste për zgjedhje, presidenti i shtetit me propozim të qeverisë e kishte vazhduar gjendjen e jashtëzakonshme edhe për dy javë. Por, sidoqoftë, mbajtja e zgjedhjeve mbetet në agjendën e partive politike.

Nga prononcimet e takimit të parë te presidenti duket se LSDM është e gatshme të shkojë në zgjedhje, ndërkohë që vërehet një hezitim te partia opozitare në bllokun politik maqedonas, VMRO-DPMNE. Përveç që mund të jetë një kalkulim për të shfaqur politikisht kujdes ndaj qytetarëve sikundër e arsyetoi lideri i kësaj partie Hristian Mickovski, duket se kjo parti nuk sheh një momentum të përshtatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve, një momentum që mund të shkonte në dëm të tyre. Nga ana tjetër, LSDM insiston me ngulm nga se beson se ka menaxhuar mirë me situatën e pandemisë, duke shpresuar kështu këtë ta ketë atu të fortë në zgjedhje.

Partitë në bllokun politik shqiptar nuk kanë shfaqur ndonjë insistim të theksuar, por kanë përsëritur se do të respektohen rekomandimet e institucioneve shëndetësore mbi gjendjen me korona virusin. Me gjasë ato të presin epilogun e vendosjes të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, ndërkohë që kanë theksuar se vendimi patjetër të jetë me konsensus.

Fundi i muajit qershor shihet si një periudhë e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. VMRO-DPMNE ndërkohë ka ripërsëritur se shëndeti i qytetarëve është në rend të parë. Nuk përjashtohet mundësia që gjithë kjo të jetë një prelud për të reflektuar kujdes dhe për të krijuar përshtypje te qytetarët se cila parti kujdeset më tepër për ta. Vetë fakti që zgjedhjet tashmë janë bërë kryetemë tregon se fokusi i partive mbetet te zgjedhjet e parakohshme. Çështja mbetet se cila do të përfitojë më tepër nga situata e pandemisë, e cila nëse zgjedhjet mbahen, do ta dominojë fushatën.

Trajektorja e zhvillimeve politike në Maqedoninë e Veriut, tregon se këto mospajtime për caktimin e datës për zgjedhjet gjithnjë janë një prelud politik përpara se të vendoset për një datë. Zgjedhjet me gjasë do të mbahen, ndërkohë që këto mospajtime të përkohshme shërbejnë për të vendosur gardin politik, por edhe për të artikuluar paraprakisht mesazhin politik që imponohet nga një situatë e ndjeshme për gjithë qytetarët. Në politik asgjë nuk ndodh rastësisht.

Janë dy momente për të cilat duhet të reflektohet në këtë situatë. E para, në një kohë kur gjendja me virusin akoma nuk është tejkaluar, problematizimi i zgjedhjeve të parakohshme i ka dhënë krah idesë se meqë flitet për zgjedhje nuk ka asgjë nga paralajmërimet mbi rrezikun nga pandemia. Lajmet e rrejshme dhe ky moment debati për zgjedhjet krijojnë një hapësirë për neglizhencë nga ana e qytetarëve, ndërkohë që menjëherë është vërejtur rritje e numrit të infektuarve. Të kërkosh kujdes, respektim masash, ndërkohë që bisedohet për zgjedhje, për një shumicë njerëzish mbetet absurde, për të mos thënë një sinjal për t’u lëshuar në pakujdesi fatale.

E dyta, shtrohet pyetja se çfarë zgjedhjesh mund të jenë këto, në një situatë të tendosur dhe të mbushur me një ndjeshmëri të theksuar mbi rrezikun nga virusi korona. Nuk do mend se kualiteti politik i këtyre zgjedhjeve do të jetë minimal, ndërkohë që besohet se gjithë fushata do të përqendrohet vetëm në menaxhimin ose keqmenaxhimin e gjendjes me pandeminë. Kjo fushatë tërësisht do të reduktohet në këtë uniformitet politik, pa pasur mundësi të shtrihet në dimensione tjera politike që janë me interes jetik për qytetarët.

Periudha e ardhshme në çfarëdo forme do të determinohet nga kriza e virusit korona, por aksioni politik në asnjë rast nuk mund të reduktohet vetëm në ngushtësinë e këtij uniformiteti. Me gjasë të gjitha temat tjera do të mbeten nën hije dhe me të drejtë këto zgjedhje mund të definohen si coronazgjedhje, në kuptimin e betejës politike mes partive politike. Dhe, nuk ka si të jetë ndryshe, në një situatë kur të gjithë njerëzit preokupohen me këtë problem dhe jetët e tyre ndjehen të rrezikuara. Në këtë situatë vizioni politik nuk mund të shkojë përtej këtij determinimi jetik. Se çfarë vizioni politik mund të shpalohet në një situatë trandjeje gati ontologjike, këtë partitë e dinë tashmë, por pasioni për pushtet do të jetë aty për të arsyetuar gjithçka!

Të fundit