E shtunë, 1 Tetor, 2022

BRUKSELI REAGON NDAJ RRËNIMIT TË TEATRIT: NEVOJITEJ DIALOG…

Autore: Erisa Zykaj / Bruksel 

Komisioni Evropian (KE) ka reaguar në lidhje me prishjen e Teatrit Kombëtar në Shqipëri. Në përgjigjjet ndaj pyetjeve të ABCnews, Komisioni Europian vë theksin te keqardhja që qeveria shqiptare dhe autoritetet lokale nuk i janë përgjigjur thirrjes për dialog nga Komisioni Europian para prishjes së godinës të Teatrit kombëtar, duke shprehur shqetësimin e madh për zhvillimet në vend dhe konstatimin e përdorimit të dhunës nga policia.

“Eshtë e vërtetë që shembja e Teatri Kombëtar në Shqipëri erdhi në kohën kur ne kishim bërë thirrje për dialog mes autoriteteve dhe shoqërisë civile, para se të merrej një vendim i pakthyeshëm. Shprehim keqardhje që thirrja jonë për dialog nuk u ndoq nga autoritetet kompetente kombëtare dhe lokale. Ne i kemi ndjekur me shqetësim të thellë zhvillimet në terren dhe konstatojmë në veçanti, se u përdor forca. Përdorimi i forcës duhet të mbetet gjitnjë proporcional me rrethanat dhe u bëjmë thirrje të gjithë palëve që të tregojnë përmbajtje”, tha Ana Pisonero Fernandez, zëdhënëse e KE-së.

Lidhur me tentativat e fundit të qeverisë shqiptare për të cënuar lirinë e shtypit dhe dhunën e ushtruar ndaj aktivistëve të shoqërisë civile, Komisioni Europian deklaron se “çfarëdolloj mase emergjence në kuadrin e pandemisë duhet të respektojë parimet themelore dhe përdorimin e masave proporcionale”.

“Ne e kemi bërë të qartë, se çfarëdolloj mase emergjence duhet të respektojë parimet themelore, të jenë të kufizuara në nivelin që është vërtet i domosdoshëm dhe të jenë rreptësisht proporcionale. Ne gjithashtu kemi bërë tê qartë, se liria e shprehjes është themeli i çdo shoqërie demokratike dhe është njê nga vlerat themelore të BE-së. Mesazhin që liria e shprehjes është në ADN e Bashkimit Europian, presidentja e Komisionit Europian e ka shprehur edhe gjatë samitit për Ballkanin Perëndimor”, tha Pisonero Fernandez.

Komisioni Europian ka konfirmuar, se do të prezantojë kornizën negociuese për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në qershor.

 

Autorja është korrespondente e Tv Klan Maqedonia nga Brukseli 

Të fundit