E enjte, 29 Shtator, 2022

PËRALLA PËR POLITIKËN DHE VIRUSIN

Pse partitë kanë mungesë parimesh dhe pse njerëzit nuk i besojnë shkencës?

 

Autor: Xhelal Neziri

Futet një student në librari dhe fillon të kërkojë librin që kishte vendosur ta lexonte për pushimet verore.

I afrohet bibliotekistja dhe me një buzëqeshje mirësjelljeje e pyet nëse mund t’i ndihmojë.

– E keni librin “PARIMET POLITIKE” të autorit Robert A.Taft?, e pyet studenti pasi nuk arriti ta gjejë këndin e librave shkencorë.

– Po, e kemi – i përgjigjet bibliotekistja – por në gjuhën shqipe atë vepër e gjeni te pjesa e librave me përralla.

Kjo anekdotë është një lloj përkufizimi për politikbërësit në Maqedoninë e Veriut, të cilët shpesh përdorin goditje të ulëta për të mposhtur kundërshtarin. Me hapjen e debatit për caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve, nisi edhe fushata me “bomba”, siç quhen materialet e përgjuara.

Nga viti 2015 e deri më sot, në vend të një shteti të qeverisur nga sundimi i ligjit, qytetari fitoi një shtet Orwellian, ku Vëllai i Madh vazhdon të përgjojë dhe të dëgjojë. Në të njëjtën kohë, “bombat” bëhen një lloj shfaqje realiteti, një spektakël dhe një mjet për të kënaqur kuriozitetin njerëzor për bisedat midis figurave publike, veçanërisht nëse ato janë për çështje parëndësishme. Ky është një trend i rrezikshëm që tregon mosfunksionimin e institucioneve shtetërore, partizimin e shërbimeve të sigurisë dhe mungesën e moralit politik. Asnjë vend i rajonit nuk ngjan me tonin, ku kushdo që posedon një celular është një përgjues i mundshëm dhe ku aktorët politikë janë tregtarë të materialeve komprometuese. Ky mjerim spiunazhi për qëllime politike duhet të ndalet, faktorët politikë duhet të mësojnë se ka etikë në politikë dhe në vend të “bombave” debati publik duhet të jetë për platforma, ide dhe vizione për një nesër më të mirë për qytetarët.

Parimet, vlerat dhe interesi janë tre përbërësit kryesorë të politikës. Në çdo demokraci funksionale ka 5 parime bazë në politikë: i pari është parimi i arsyeshmërisë, që nënkupton se aktiviteti duhet të ketë një qëllim; i dyti është parimi i aktivitetit kolektiv, ku kërkohet bashkëpunimi për arritjen e qëllimit të përbashkët; i treti është parimi institucional, që përcakton që aktiviteti të jetë konform ligjeve; i katërti është parimi programor, i cili përbën lidhjen midis ambicieve personale, qëllimit të përbashkët dhe respektimit të procedurave institucionale; dhe i pesti – parimi historik, i cili thotë se nëse historia e ka formësuar identitetin e një partie politike, atëherë është joparimore të lëvizë jashtë asaj trajektoreje.

Vlerat e partive në vendet me demokraci perëndimore janë gati të njëjta me strukturat euroatlantike që i kanë krijuar. Ato janë: dinjiteti, liria, barazia, solidariteti, të drejtat e individuale dhe grupore si dhe drejtësia.

Dhe përbërësi i fundit janë interesat. Jo më pak të rëndësishme sesa vlerat dhe parimet, por sërish janë shtytës i veprimit politik. Por një parti që ka vetëm interesa, pa vlera dhe parime, nuk dallon shumë nga biznesi privat. Në biznes mbizotëron interesi i pastër, kurse parimet dhe vlerat janë material shpikur për një PR të mirë.

***

Përralla e dytë ka të bëjë me një të sëmurë që kishte shkuar në gjendje të rëndë të kërkojë ndihmë nga mjeku.

Një i ri disa ditë rresht kishte ndjerë dhimbje në nyje dhe në kokë, por kishte menduar se pa ndihmën e mjekut mund ta shërojë veten. Ishte futur në kërkuesin Google dhe kishte dhënë simptomat “dhimbje nyjash dhe koke”, ku si ilaçe i ishin rekomanduar nga “mjalti që shëron gjithçka” e deri te medikamentet kundër dhimbjeve.

I kishte provuar të gjitha, por gjendja e tij vetëm sa ishte përkeqësuar. E një ditë, kur e sheh se nuk mund ta durojë më dhimbjen, vendos të shkojë te doktori.

Kur e pyet se pse nuk ka ardhur më herët sepse dhimbjet ia ka shkaktuar një infeksion n fyt, ai i tregon se deri tash ka bërë siç i ka rekomanduar Google. I nervozuar doktori ia kthen: E tash shko te Yahoo mbase ta gjen ilaçin.

Mbase kjo do të jetë përgjigjja e mjekëve infektolog ndaj të gjithë atyre që do të preken nga koronavirusi e që u besuan lajmeve të rreme që i gjetën në Internet se virusi nuk ekziston, se qenka shpikur nga Bill Gates, se dëshirojnë të na injektojnë mikro-çipe e përralla tjera të ngjashme.

Që nga paraqitja e pandemisë me COVID-19 një pjesë e madhe e njerëzve nuk u beson ekspertëve, doktorëve e as instituteve shkencore. “Rrenë është”, thonë të gjithë ata që lëvizin pa maska e që nuk mbajnë as distancë sociale. Ky mosbesim është pengesa më e madhe për uljen e rasteve aktive me COVID-19 dhe shpalljen e fitores ndaj këtij virusi. Më 19 prill kishte 977 raste aktive, kurse deri më 6 maj ky numër ra në 394. Por, nga 6 maji e deri më 15 maj kemi një ndalim, me ç’rast numri i të infektuarve mbetet 392. Kjo zgjatje e krizës me koronavirusin shkakton padurim të madh te të gjithë ata që respektojnë masat dhe numërojnë humbje në punën e tyre.

Ky mosbesim ka bërë që rajoni i Tetovës, në dhjetë ditët e kaluara, të shënojë një ngritje graduale të numrit të të sëmurëve me COVID-19, ndryshe nga qytetet tjera ku numri vazhdon të bjerë.

Të fundit