E enjte, 29 Shtator, 2022

ZIGZAG: PËR MALLIN DHE HALLIN

Të gjithë flasim për mallin, atë ‘dëshirën e fortë për t’u kthyer përsëri në një vend që s’e harrojmë kurrë, për të takuar një njeri të dashur që është larguar, për të rijetuar edhe një herë si dikur ose për t’u marrë përsëri me diçka që na ka pëlqyer shumë, por nuk mund ta bëjmë, apo thënë më mire, nuk do duhej ta bëjmë, për shkak të hallit të kësaj hataje që na ka pllakosur prej muajsh! Një doktor, po më fliste, me ramazan në gojë, nga larg, për Qabenë e mbyllur apo edhe për mesazhet e Papës që të respektojmë masat e proklamuara nga autoritetet shëndetësore. ‘Lëre ti mallin, por shiko këtë hallin e kokëfortësisë sonë,’ më thotë miku im I largët. Vërte, si t’ia bëjmë?

 

Autor: Seladin Xhezairi

 

1. Në mbarë botën, deri tani, rezultojnë të infektuar mbi katër milion banorë, numri i viktimave ka kapërcyer shifrën prej 277 mijë vetësh. Shtetet e Bashkuara të Amerikës rezultojnë të jenë vendi më i prekur, të pasuara, për nga numri i njerëzve të cilët kanë ndërruar jetë – nga Britania e Madhe, Italia, Spanja e Franca. Sfida e radhës, kujtoj jo vetëm për ne ballkanasit e mjerë, por gjithandej, mbetet: Si ta bëjmë zap, jo tjetrin, po – veten? Doktori të cilit qëllimisht s’po ia përmend emrin, mëngjesin e kësaj të marteje sapo kishte dalë nga salla e të prekurve: ‘Vështirë është kur pacientit i rri mbi krye e nuk mjaftohesh ta pyesësh thatë, sa për sy e faqe, përmes dritares, ‘a je më mirë’?! Kur i rri mbi kokë, tamam si astronaut, vetëm ne e dimë se si ndjehemi, si marrim frymë, çfarë djersësh të ftohta na kaplojnë! Prandaj, edhe ndjehem keq kur shikoj se si reagojmë, si nuk ua varim fort thirrjeve për të respektuar masat, sidomos për ruajtjen e distancës fizike dhe mbajtjen e maskave!’- më thotë Doktori, një praktikant i devotshëm i fesë, jo më kot rikujton atë nasihatin nga ‘zanati’ I tij që përafërsisht thotë: ‘Para se ta kurosh dikë, pyete nëse është i gatshëm të braktisë të gjitha ato që e bëjnë të ndjehet i sëmurë’! Prandaj, vetëm mund ta kuptoj mllefin e së hënës të drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani, kur tha se e drejta për jetën, si e drejtë universale, është më e madhe dhe më me vlerë se ndalesa e përkohshme e lëvizjes: ‘Të gjitha masat që merren duken të padrejta për çdonjërin që nuk mendon e nuk sheh përtej hundës! Masat e kanë një qëllim: shpëtimin e jetëve!’. Ec e shtoji diçka edhe ti që nuk pajtohesh!?

2.Po në hall nuk jemi vetëm ne, në hall është edhe një kancelare si Angela Merkel. Ajo, thonë agjencitë e lajme ve, këtë fillim-javë mund ta ketë bërë deklaratën e vet më të shkurtër që kur është në ballë të Gjermanisë.’…Po hyjmë në një fazë të re të pandemisë dhe tani do të jetë e domosdoshme që krahas relaksimit të masave të jemi të sigurt se njerëzit do të respektojnë rregullat themelore: ruajtjen e distancës, mbajtjen e maskës mbrojtëse mbi gojë e hundë me qëllim të respektimit të njerëzve të tjerë. Kjo është shumë e rëndësishme!’ – Komentet e Merkelit pasojnë protestat e  fundjavës në disa qytete ku u kërkua heqja e masave kufizuese. I citova dy personalitetet e fushave të ndryshme sa për të thënë se punët në këto kushte pandemike, kur alarmi vazhdon të jetë i ndezur, nuk bën që punët t’i marrim me hyxhim!

3. Nuk duhet t’i marrin me hyxhim as liderët tanë  kur janë ulur e po kuvendojnë, jo për të çuar deri në fund strategji-taktikën e luftës kundër koronavirusit, por – si të bëjnë edhe një pale zgjedhje. Amani, amani, bre burra! Hallall ju qoftë. Tamam thuash ndonjë fjalë të mirë, se nuk jemi as si këta e as si ata, kur këta – ta bëjnë bozë. Ujku do mjegull, thotë fjala e urtë, pa çka se, vazhdon tjetra, për një plesh e djegim jorganin! Etika në politikë do të ishte e mirëseardhur, njësoj si llogaridhënia apo përgjegjshmëria. Do të ishte, sikur të ‘mendonim e të shikonim përtej hundës’! Mirë e ka thënë Dr Ramadani. Topi s’e luan!

Të fundit