E mërkurë, 5 Tetor, 2022

MES “PADURIMIT” POLITIK DHE “NORMALIZIMIT” TË BRISHTË

Sipas të gjitha gjasave, LSDM do të insistojë deri në fund që të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërkohë që partitë tjera akoma nuk kanë një qëndrim të qartë dhe të vendosur për nismë të socialdemokratëve. Politikisht, Maqedonia e Veriut ndodhet mes një padurimi politik për t’i dhënë fund qeverisë teknike dhe krizës me virusin korona, e cila përkundër faktit që shënon normalizim, akoma shfaqet me rrezik potencial për qytetarët.

Autor: Bardhyl Zaimi

Pandemia e virusit korona kishte ndërprerë procesin zgjedhor në Maqedoninë e Veriut, në kohën kur duhej zyrtarisht të fillonte fushata zgjedhore. Siç dihet tashmë, para se të mbahen zgjedhjet parlamentare, nëpërmjet formulës së Përzhinos, qeveria politike zëvendësohet me qeveri teknike, e cila e përfshinë edhe opozitën në pushtetin ekzekutiv. Sipas ligjit, tre muaj para mbajtjes së zgjedhjeve formohet qeveria teknike, ndërsa mandati i saj përfundon me formimin e qeverisë që del nga zgjedhjet parlamentare.

Për shkak të krizës me virusin korona, ky proces ishte ndërprerë nëpërmjet të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nga ana e kryetarit të shtetit, Stevo Pendarovski. Në këtë situatë, qeveria aktuale teknike e udhëhequr nga kryeministri teknik, Oliver Spasovski, për shkak të situatës së krijuar i është vazhduar mandati, përkundër faktit që kjo qeveri teknike ka mandat vetëm për t’i organizuar zgjedhjet parlamentare. 

Në një situatë të këtillë të krizës dhe të gjendjes së jashtëzakonshme funksionimi i qeverisë teknike është shfaqur si domosdoshmëri, për shkak se nuk ka pasur një mekanizëm juridik që do t’i jepte përgjigjen e duhur kësaj situate duale. Realisht gjithë institucionet e shtetit dhe gjithë opinioni, ndërkohë kanë qenë të fokusuar me menaxhimin e krizës të krijuar nga pandemia, e cila në të njëjtën kohë solli edhe shumë anomali funksionimi institucional, por që nuk shpërtheu fatmirësisht në ndonjë kaos.

Me gjithë defektet e shfaqura në menaxhim, përgjithësisht qeveria teknike arriti të përballet me pandeminë si një rrezik i shkallës së lartë për jetën e gjithë qytetarëve. Masat e qeverisë kundër përhapjes së virusit përgjithësisht janë respektuar, ndërkohë që tashmë po raportohet për një rënie të lakores së infektimeve. Sigurisht, kjo rënie e lakores nuk do të thotë se virusi nuk është i pranishëm, por jep një shpresë se gjërat mund të kontrollohen dhe se kthimi në normalitetit gjithnjë duket se bëhet më i prekshëm.

Pikërisht, në një situatë kur, kjo lakore tregonte për një rënie të numrit të të infektuarve, në sferën politike u shfaqen edhe impulse e para të “pasionit” politik, që ndërlidheshin me statusin e qeverisë teknike dhe me legjitimitetin e vazhdimit të qeverisjes. Përplasjet e para u shfaqen pas paralajmërimeve nga LSDM, si bartëse e pushtetit, e cila kërkoi nga kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi, që parlamenti të mblidhet përsëri për të vendosur politikisht mbi të ardhmen e kësaj qeverisjeje, e cila, sipas ligjit, ka mandat vetëm organizimin e zgjedhjeve.

Pas përplasjeve mediatike, kryetari i parlamentit, disa herë kishte shpjeguar se mandatet ishin dorëzuar dhe se ligjërisht nuk mund të mblidhej më parlamenti. Duket se kjo ishte një përpjekje e partisë në pushtet LSDM-së, që t’i japë fund qeverisë teknike, e cila nuk mund të zgjaste pafundësisht, në kohën kur misioni i saj ishte i përcaktuar me formulën e Përzhinos. Brenda kohës kishte interpretime të ndryshme mbi këtë situatë, ndërkohë që më herët gjatë qeverisjes së ish kryeministrit Gruevski kishte ndodhur një rikthim i funksionimit të parlamentit kuptohet në një kontekst krejtësisht tjetër.

Me gjasë, rikthimi te ideja e mbledhjes përsëri të parlamentit dukej të jetë një operacion tepër i komplikuar dhe me shumë të panjohura, prandaj kjo ide sikur u la nën hije pavarësisht nga insistimi që vinte në formë prononcimesh politike nëpër media. Dështimi njëfarë dore i kësaj ideje për t’i dhënë fund qeverisë teknike, tashmë ka hapur debatin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, ashtu siç ishte paralajmëruar edhe gjatë shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nga kryetari Pendarovski, e që nënkuptonte, menjëherë sapo të krijohen kushtet, të normalizohej situata me pandeminë të vazhdohej me procesin zgjedhor nga aty ku kishte mbetur, pra fillimin zyrtar të fushatës zgjedhore.

Duket se padurim politik po bëhet gjithnjë e më i madh për t’i dhënë fund qeverisë teknike. Në kohën kur besohet se gjendja me virusin korona po normalizohet në skenë po shfaqen aktorët politikë, të cilët shohin mundësinë e rikthimit të qeverisë politike nëpërmjet mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ashtu siç ishin paralajmëruar. 

Këtyre ditëve, në një paraqitje për media, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, kishte paralajmëruar dhe në të njëjtën kohë kishte arsyetuar mbajtjen e zgjedhjeve. Ai ka kërkuar që zgjedhjet parlamentare të mbahen në mesin e muajit qershor. Sipas tij, vendit i nevojiten zgjedhje të menjëhershme, nëse për këtë japin pëlqim edhe institucionet shëndetësore. Ai ka shpalosur edhe srsyet ekonomike, shëndetësore dhe politike, të cilat do të prezantohen edhe në takimin e liderëve tek presidenti.

Sipas të gjitha gjasave, LSDM do të insistojë deri në fund që të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërkohë që partitë tjera akoma nuk kanë një qëndrim të qartë dhe të vendosur për nismë të socialdemokratëve. Politikisht, Maqedonia e Veriut ndodhet mes një padurimi politik për t’i dhënë fund qeverisë teknike dhe krizës me virusin korona, e cila përkundër faktit që shënon normalizim, akoma shfaqet me rrezik potencial për qytetarët. 

Ndërkohë qeveria teknike ka paralajmëruar lehtësim masash dhe kthim gradual në normalitetit ashtu siç rekomandojnë institucionet relevante ndërkombëtare. Me gjasë, gjithçka do të varet nga takimi i nesërm i liderëve të partive politike tek kryetari i shtetit Pendarovski. Sidoqoftë, një gjë mbetet e sigurt që do të insistohet në mbajtjen e zgjedhjeve për t’i dhënë fund qeverisë teknike. Përfundimi i gjendjes së jashtëzakonshme do të vijë me siguri me një datë për mbajtjen e zgjedhjeve.

Dhe, në këtë drejtim, shumë gjëra do të mbeten pezull, sidomos në kuptimin e shpalosjes së platformave politike, sepse e gjithë fushata do të përqendrohet pikërisht në idenë e menaxhimit me krizën e pandemisë. Mbetet e sigurt që të gjitha temat tjera do të mbeten në margjina, sepse në menaxhimin efektiv ose jo me krizën do të varen edhe kreditë dhe përfitimet partiake. 

Gjithashtu, mbetet tepër e rëndësishme që të mendohet edhe mënyra e zbatimit të gjithë këtij procesi, i cili pavarësisht nga tendencat për normalizim, do të zhvillohet nën hijen kërcënuese të virusit korona. Mbase për qytetarët jetike mbetet me sa më pak dëme të tejkalohet kjo gjendje me praninë e virusit, por pasioni politik determinohet nga tjera premise dhe pavarësisht nga shqetësimet reale që mund të ngrihen nga qytetarët e ndërgjegjshëm, agjendat partiake do të vazhdojnë me të veten.

Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme duket të jetë një operacion i komplikuar në këtë situatë pandemia përkundër faktit që shënohet normalizim. Sidoqoftë, duket se qeveria teknike aktuale nuk është tashmë një opsion për partitë, të cilat nguten që edhe në këtë situatë të etablojnë praninë e vetë politike në një qeveri, e cila do të vijë në kohë korone!

Të fundit