E mërkurë, 5 Tetor, 2022

KTHIMI NË NORMALITETIN E KRIZAVE

Pas heqjes së masave parandaluese, ne nuk do të kthehemi në normalitetin që e kemi pasur. Normaliteti i ri është realiteti i krijuar nga gërshetimi i të gjitha krizave që u paraqitën rend gjatë pandemisë.

 

Autor: Xhelal Neziri

Nuk e kishim menduar se fjala më e përdorur në vitin 2020 do të ishte “krizë”. As që na kishte shkuar ndërmend se fjala më negative në këtë vit do të ishte “pozitiv”. Por ja ky vit, që duket si një jubile interesant me dy dysha e dy zero, filloi keq. Afër 4 milionë njerëz në mbarë botën deri tash janë prekur nga virusi i ri COVID-19, rreth 300 mijë kanë vdekur kurse e tërë jeta u paralizua në tërësi. Këto skena të tmerrshme ishin një “deja vu” për të gjitha ata që kanë parë filmin “Contagion”, i realizuar në vitin 2011. Skena e fundit e filmit zbulon se virusi fiktiv “MEV-1” buronte nga një derr që kishte hëngër një copë bananeje të rënë nga një lakuriq nate, i infektuar duke shpëtuar nga shkatërrimi i habitatit të pyllit të tij në Kinë. Si në këtë film që është realizuar para 9 viteve, lakuriqët konsiderohen nga disa epidemiologë si burimi i mundshëm i koronavirusit. Një parashikim të saktë e kishte bërë edhe Bill Gates, themeluesi i Microsoft. Në vitin 2015 ai kishte paralajmëruar se bota është e papërgatitur për pandeminë e re që do të paraqitet. Këto profeci në këtë krizë u bënë burim i konsipracioneve e thashethemeve të ndryshme, ku si zakonisht “illuminati” ka bërë diçka që as shtetet më të fuqishme nuk e dinë, e që njeriu i mëhallës tonë e ka marrë vesh këtë sekret nga Youtube apo Facebook. Kjo krizë, thonë infektologët, do të zgjasë aq sa do të zgjasë zbulimi i vaksinës dhe ilaçit kundër virusit. Deri atëherë do të zgjasë edhe kriza socio-kulturore, që ndërlidhet me shprehinë e besimit të rrenave spektakolare dhe dyshimit në të vërtetat e verifikuara.

Nuk e kishim paramenduar se një rritje ekonomike e ngadaltë e vendeve të rajonit dhe një përafrim me ato të Bashkimit Evropian (BE) do të ndërpritej kaq mizorisht nga një keqbërës i vogël, aq i vogël saqë nuk mund ta kapë syri i njeriut. Viruset e bakteriet ishin përditshmëri e njerëzimit, bile as që llogariteshin si rrezik. Ftohja, teshtimat, gripi, ethet, dhimbje fyti, koke, nyjesh, alergji…ishin tema të zakonshme nga fillimi i çdo vjeshte e deri në fillimin e çdo vere të vitit. Nuk ishte bile as arsyetim për të qëndruar në shtëpi nëse ishe i prekur nga një virus apo bakterie, apo kishe pakës temperaturë. Tani, ky keqbërës i vogël me fuqi të madhe do të shkaktojë edhe një krizë të paparë ekonomike ku, përveç nëpërmjet komplikimeve shëndetësore, do të marrë jetë njerëzish edhe përmes përkeqësimit të gjendjes socio-ekonomike në botë, e në veçanti në vendet në zhvillim. Agjencia e OKB ka përllogaritur se deri në fund të çerekut të dytë të vitit – pra fundi i qershorit – në botë do të mbyllen 305 milionë vende pune kurse recesioni do të jetë i paparë ndonjëherë në historinë e vonshme të njerëzimit. Deri në fund të prillit mbi 91 mijë personave u është ndërprerë kontrata e punës, në Maqedoninë e Veriut 16 mijë persona janë lajmëruar si të papunë, në Shqipëri – 66 mijë kurse në Bosnjë e Hercegovinë – 25 mijë. Në bazë të statistikave të qeverisë në Beograd, pa punë në Serbi kanë mbetur vetëm 4.300 persona. Në Kosovë, ndërkohë, reagime ngjalli deklarata e ministrit të Financave, Besnik Bislimi, i cili tha se në kohë të pandemisë madje është rritur numri i të punësuarve për 6.026 persona.

E kemi marrë me mend se në vendet e rajonit të paktë janë burrështatasit që mendojnë për gjeneratat e ardhshme, e shumicë janë politikanët që mbajnë llogari për zgjedhjet e ardhshme. Anketat në Serbi, por edhe të dhënat e sindikatave, kanë treguar se 30 për qind e numrit të përgjithshëm të të punësuarave kanë humbur vendin e punës shkaku i korona-krizës, e jo aq sa thotë qeveria. Në Kosovë nuk do të zvogëlohet përqindja e papunësisë nga 30% sa është tani, por pritet të deri në 50%. Tentimi për të manipuluar opinionin nga qeveritë në Beograd dhe Prishtinë buron nga fakti se në këto vende në qershor pritet të ketë zgjedhje parlamentare. Në fund të qershorit apo në fillim të korrikut edhe në Maqedoninë e Veriut pritet të mbahen zgjedhje parlamentare. Andaj në këtë periudhë parazgjedhore partitë bëjnë kalkulime se si ta kapitalizojnë maksimalisht krizën disashtresore që e solli virusi, në kuptimin e demonizimit të oponentit apo të përfitimit të pikëve politike nga menaxhimi i mirë i saj.

Nuk e kemi paramenduar se 2020-ta do të na ballafaqojë me këto kriza shëndetësore, ekonomike, politike e socio-kulturore, të renditura si tulla njëra mbi tjetrën, duke na ndërtuar kështu shtëpinë e re ku duhet të mësohemi të jetojmë. Edhe pas heqjes së masave parandaluese, ne nuk do të mund të  kthehemi në normalitetin që e kemi pasur. Normaliteti i ri është realiteti i krijuar nga gërshetimi i të gjitha krizave që u paraqitën rend gjatë pandemisë. Por, njeriu është qenia më adaptibile në planet. Do të përshtatet dhe do t’i gëzohet jetës në çfarëdo rrethane dhe do të vazhdojë të shpresojë se do të bëhet më mirë. /KDP

Të fundit