E mërkurë, 28 Shtator, 2022

BE i kërkon falje Italisë

BE i ka kërkuar “falje të përzemërt”, Italisë pasi nuk i erdhi në ndihmë në fillimin e krizës së koronavirusit.

Ndërsa Organizata Botërore e Shëndetit tha se kontinenti qëndroi i fortë “përballë stuhisë”, presidentja e Komisionit Evropian tha të enjten se ndershmëria politike dhe e vërteta ishin të nevojshme të thuheshin, për ta kapërcyer së bashku pandeminë e koronavirusit.

“Shumë nga ne nuk ishim atje në kohën kur Italisë i duhej ndihma më së shumti,” i tha Ursula von der Leyen parlamentit Evropian. “Dhe po, për këtë është e drejtë që Evropa në tërësi t’i kërkojë një falje të ndjerë kombit Itaian”.

Në fillim të krizës, Franca dhe Gjermania vendosën ndalime të eksportit për pajisjet mjekësore, ndërsa asnjë vend i BE-së fillimisht nuk iu përgjigj thirrjes së Italisë për ndihmë, përmes mekanizmit të urgjencës së bllokut. Edhe pse politika dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor është përgjegjësi e shteteve anëtare, BE ka për qëllim të mbështesë bashkëpunimin midis tyre.

Një sondazh i opinionit muajin e kaluar doli në përfundimin se 88% e italianëve mendonin se BE po dështonte të mbështeste vendin e tyre, duke shkaktuar frikë në Bruksel dhe kryeqytete të tjera, për një reagim euroskeptik. Fjalimi i drejtpërdrejtë i Von der Leyen shkoi më tej sesa një deklaratë. Ajo kritikoi vendet anëtare për reagimin e tyre që ishte “secili për vete”.

Ndërsa më shumë qeveri evropiane fillojnë të lehtësojnë kufizimet, një studim holandez sugjeroi se vetëm një përqindje e vogël e njerëzve mund të kenë zhvilluar antitrupa kundër Covid-19, duke forcuar shqetësimet në lidhje me një “valë të dytë” të infeksioneve, kur popullatat të fillojnë një kthim gradual të jetës normale.

Drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, paralajmëroi të enjten se përkundër “shenjave optimiste” në disa prej vendeve të goditura më së shumti nga virusi si Italia dhe Spanja, numri i rasteve globale është akoma në rritje dhe gjysma e rasteve janë në Evropë. / bota.al

Të fundit