E enjte, 29 Shtator, 2022

‘’Maskat’’ zgjedhore

Autor: Sefer Selimi Jr. 

Izolimi i detyruar dhe masat shtrënguese nga Qeveria për të parandaluar përhapjen e mëtejme të pandemisë së Covid-19 ndryshuan përditshmërinë tonë. Në masë të madhe reagimi i qeverisë, menaxhimi me krizën si dhe përgjigja ndaj pasojave që do të prodhoj në periudhën në vazhdim do të jenë edhe fushëbeteja për garën e ardhshme politike. 

Më 12 Prill 2020 ishte e paraparë që të organizohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut por shpërthimi i epidemisë ndërpreu paralojat e fushatës elektorale dhe anuloi datën e zgjedhjeve në takimin e liderëve me Presidentin Pendarovski. Anulimi i shqyrtimit të kushtetutshmërisë së vendimit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme nga gjykata Kushtetuese mund të jetë një paralajmërim se ato mund të mbahen së shpejti, ndoshta në dy muajt e ardhshëm. Deklaratat e fundita partiake dhe përplasjet publike mes partive kryesore gjithashtu lënë të kuptohet që me shumë gjasë afrohemi drejt fushatës politike. 

Për partinë më të madhe qeveritare, LSDM, duket qartë që është e pozicionuar që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen në një afat sa më të afërt. Madje, me ç’duket partia qeverisëse është e gatshme të bëj kampanjë virtuale, pa tubime masive të qytetarëve me qëllimin e vetëm që ato të mbahen në një afat më të afërt. Logjika pas këtij insistimi duhet të qëndroj në frikën nga periudha pasuese dhe kriza ekonomike që troket. Është e sigurt që, ashtu si gjitha vendet tjera edhe Maqedonia e Veriut do të ketë recesion ekonomik dhe kjo krizë do të ketë me shumë gjasë rritje graduale dhe efektet e vërteta do të shihen pas disa muajve. Prandaj, sa më shpejt të mbahen zgjedhjet aq më e vogël do të jetë fatura në vota që do duhet të paguaj LSDM-ja për krizën ekonomike. Gjithashtu, përgjigja e qeverisë ndaj pandemisë, e posaçërisht performanca e ministrit të shëndetësisë është vlerësuar pozitivisht nga qytetarët dhe në përpjekje për të kapitalizuar nga ky moment është tunduese edhe për vetë faktin që mbamendja kolektive është e shkurtër dhe me shumë gjasë nëse zgjedhjet vonohen ky fakt nuk do të ketë ndonjë ndikim të madh tek votuesit. Gjithashtu, LSDM pret që pakot stimuluese dhe injektimi i drejtpërdrejtë i parave në ekonomi, posaçërisht tek bizneset e vogla dhe të mesme të reflektohet pozitivisht te vota e tyre dhe nëse zgjedhjet mbahen së shpejti me shumë gjasë implementimi i pakove ekonomike do të jetë i shpejtë por edhe të keqpërdoret për klientelizëm dhe korrupsion elektoral.      

Plotësisht e kundërta ndodh me VMRO-DPMNE-në, e cila është e interesuar që zgjedhjet të mbahen sa më vonë të jetë e mundur. Madje, me shumë gjasë ato mund të kërkojnë që zgjedhjet të mbahen në afatin e rregullt të Dhjetorit kur efektet nga kriza ekonomike të ndjehen vërtet tek qytetarët dhe kjo t’iu ofroj mundësinë për të ndërtuar kampanjën mbi pakënaqësinë e qytetarëve dhe ‘’ofertën e artë’’ për dalje nga kriza. Gjithashtu ata kanë nevojë për kohë që të dëmtojnë perceptimin pozitiv për përgjigjen e qeverisë ndaj pandemisë, e posaçërisht për Ministrin Filipçe dhe kjo nuk përjashton që në periudhën pasuese të ketë kampanjë të organizuar denigruese mbi figurën dhe punën e tij. Sa i përket paketës stimuluese dhe për ndihmë ekonomike, ajo do të jetë një platformë e jashtëzakonshme për të ndërtuar akuzat për korrupsion, por edhe për të dhënë premtime parazgjedhore që do të shkojnë përtej mundësive reale për realizim e që do të tingëllojnë mirë për veshin e qytetarëve. 

Për partitë shqiptare, periudha pasuese me shumë gjasë nuk do të ketë ndonjë reflektim të madh dhe korniza e përplasjeve dhe garës mes tyre do të ngelet ajo e para pandemisë. I vetmi ndryshim do të jetë aftësia e tyre për të mobilizuar votues në qoftë se fushata do të duhet të jetë virtuale dhe këtu natyrisht rol luan kapaciteti financiar për të blerë PR-in e duhur. 

Mundësitë janë që zgjedhjet e parakohshme të mbahen në fund të Qershorit ose të Gushtit por ato mund të shtyhen edhe për në vjeshtën e vonshme dhe kjo do të qartësohet në dy javët e ardhshme. Gjithsesi, faktor kyç do të ngelet situata me pandeminë dhe ajo jo vetëm që do ta definojë tematikën e fushatës por edhe formën e organizimit të zgjedhjeve. ‘’Maskat’’ që dikur ishin sinonim për parregullsi zgjedhore kësaj radhe do të jenë normë për mbajtjen e tyre!        

Të fundit