E mërkurë, 5 Tetor, 2022

Ja pse Evropa Lindore u prek më pak nga koronavirus

Harta e përhapjes së koronavirus në Evropë bën të qartë një gjë: kombet më të pasura të Evropës Perëndimore kanë vuajtur më shumë nga virusi sesa vendet në Evropën Lindore, pothuajse pa përjashtim.

Krahasimi i shifrave të pandemisë nga vende të ndryshme është i vështirë, pasi kanë peshë shumë faktorë dhe variabla të ndryshme. Por krahasimi midis Evropës Perëndimore nga njëra anë, dhe Evropës Qendrore e Lindore nga ana tjetër, tregon një ndryshim në përhapjen e koronavirusit që është shumë i dukshëm për t’u injoruar.

Edhe ato vende që janë goditur keq në Evropën Qendrore dhe Lindore kanë infeksione dhe vdekje (për milion banorë) shumë më të ulëta se vendet e Evropës Perëndimore. Krahasimi i statistikave është vërtetë i jashtëzakonshëm: Sllovakia ka regjistruar vetëm 1.413 raste të konfirmuara dhe 25 vdekje. Austria fqinje, që konsiderohet gjerësisht se e ka trajtuar me sukses sfidën e virusit, ka 10 herë më shumë infeksione dhe 20 herë më shumë vdekje se Sllovakia, me një popullsi dyfish më të vogël se Austria.

Shkaqe të shumta mund të shkaktojnë këtë diferencim në përhapjen e Covid-19: Jetëgjatësia më e ulët për EL (që do të thotë më pak njerëz të moshuar sesa EP), densiteti më i ulët i popullsisë, më pak fluturime nga Kina dhe nivele më të ulëta testimi.

Arsyeja më e rëndësishme, megjithatë, është bllokimi i hershëm i zbatuar nga pothuajse të gjitha vendet e rajonit. Ndërsa në Britani dhe kombet e tjera të Evropës perëndimore, ngjarjet dhe mbledhjet publike vazhdonin akoma në javën e dytë dhe të tretë të marsit, në Evropën Qendrore dhe Lindore, qeveritë panë atë që po ndodhte në Itali dhe zbatuan bllokime të shpejta dhe karantinim të ashpër.

Në shumë vende, frika se sistemet e kujdesit shëndetësor janë të paafta për të përballuar kriza të mëdha shëndetësore, ndihmoi me vendosmëri për zbatimin e menjëhershëm të karantinimit. Kjo frikë gjithashtu i bëri popullsitë më të gatshme të ndiqnin urdhrat e lëshuara nga qeveritë. E kundërta ndodhi në vendet e Evropës Perëndimore apo SHBA. “Ishte pikërisht fakti që ndiheshim më të prekshëm për shkak të sistemit tonë të dobët të kujdesit shëndetësor, që i bëri njerëzit të ndjekin bllokimin. E gjitha kjo është për shkak se nuk i besonim sistemit,” tha Ivan Krastev, një politolog bullgar.

“Njerëzit nuk janë mësuar të shohin në Evropën Qendrore dhe Lindore për shembuj pozitivë,” tha një zyrtar qeveritar në një vend të rajonit. “Pjesërisht kjo është për shkak të stereotipave, por pjesërisht, për fat të keq, është dhe vetë faji jonë.” Por u desh një krizë e këtyre përmasave, që rajonet e EL të rifuten në hartën e mendimit të mirë politik, si vende që i bënë ballë krizës me mirëmenaxhim.

Zyrtarët në të gjithë rajonin mbeten gjithsesi të vetëdijshëm se mundësia e një vale të re infeksionesh është gjithmonë e pranishme. Për këtë arsye, shumë vende po mendojnë të lehtësojnë bllokimet e tyre, por duke mbajtur kontrolle të rrepta kufitare për të mbajtur jashtë vizitorët e huaj ose, të paktën, të karantinojnë të gjithë ardhjet e reja.

Burimi: The Guardian, shkrim nga Shaun Walker dhe Helena Smith, korrespodentë të The Guardian në EL dhe EQ./javanews

Të fundit