E enjte, 29 Shtator, 2022

NJË SHEMBULL I PËRGJEGJËSISË SHOQËRORE: PSE ËSHTË I RËNDËSISHËM DIMENSIONI HUMAN DHE SOLIDAR I NJË KOMPANIE

Autor: KDP 

Edhe në këtë krizë shëndetësore e ekonomike të shkaktuar nga virusi COVID-19, ndjenja e humanitetit dhe solidaritetit me të tjerët, mbetet kryefjalë për drejtuesin e kompanisë Ecolog International, Lazim Destani.

Në një situatë kur shumë fëmijëve iu pamundësohet që ta zhvillojnë mësimin online në kushte pandemia, kjo kompani është pranë tyre. Mijëra kompjuterë-tablet do të shpërndahen për fëmijët e familjeve në nevojë. Drejtuesit e kompanisë kanë theksuar se përgjegjësia shoqërore mbetet dimension që gjithnjë e kanë kultivuar.
KDP

Koha e pandemisë ka krijuar vështirësi të shumta në jetën sociale të njerëzve. Masat për izolim kanë ndërprerë tashmë mbi një muaj e gjysmë edhe procesin mësimor. Për të mos humbur nxënësit shkollat ka zhvilluar mësimin në distancë, një formë e mësimit që imponohet nga rrethanat e krijuara. Ky lloj mësimi nënkupton edhe mjete tjera mësimore, siç janë kompjuterat-tabletë, të cilat nuk janë të disponueshme për secilin nxënës. Ka nxënës që vijnë nga kategori të rrezikuara sociale, të cilët nuk kanë pasur mundësi të kenë pajisje teknologjike përmes të cilave po zhvillohet tashmë procesi mësimor.

Pikërisht, ky aspekt shumë i rëndësishëm në këtë kohë krizë të shkaktuar nga virusi korona tashmë është në fokusin e kompanisë Ecolog dhe pronarit të saj, Lazim Destani. Në një postim në profilin e tij në FB, Lazim Destani, ka bërë të ditur se tashmë janë në fazën e shpërndarjes së mijëra kompjuterë-tabletë që do t’iu dhurohen si ndihmë për fëmijët e familjeve në nevojë.

https://www.facebook.com/205624756139629/posts/3640975179271219/

“Përpjekjet për t’i dalë në ndihmë popullatës sonë në këtë periudhë pandemie janë obligim i secilit që e ka këtë mundësi dhe ato po inkurajojnë gjithnjë e më shumë”, ka shkruar Lazim Destani.

Fryma e solidaritetit me të tjerët, gjithnjë e pranishme te Lazim Destani, është shpërfaqur edhe kësaj here, në një situatë kur shumë fëmijëve iu pamundësohet që ta zhvillojnë mësimin në distancë, që nënkupton posedimin e pajisjeve teknologjike.

Ndihem mirë, shkruan ai, kur shikoj që biznese e kompani të shumta, shoqata e fondacione nga diaspora e nga vendet tona janë vënë në lëvizje e po tregojnë zemërgjerësi duke u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë e duke dhënë kontribut në sfera të ndryshme të jetës shoqërore.

“Në kuadër të këtyre përpjekjeve si dhe në përputhje me apelin tim, e çmoj dhe e falënderoj ekipin nga biznesi ynë familjar i cili pas një angazhimi prej dy javësh e finalizoi projektin për dhurimin e mijëra pajisjeve teknologjike për mësim online”.

Destani ka bërë të ditur se sipas evidencës nga institucionet shtetërore, në mungesë të këtyre pajisjeve shumë nxënës nuk e kishin mundësinë ta ndjekin mësimin nga shtëpia.

“Andaj, ky donacion u dedikohet nxënësve të cilët për shkak të mungesës së pajisjeve teknologjike mbetën jashtë procesit arsimor. Ndër gjërat më të rëndësishme që mund të bëjmë gjatë krizës që solli Covid-19 është që, e ardhmja e këtij vendi, fëmijët, të vazhdojnë me ndjekjen e procesit mësimor pa pengesa”, shkruan Lazim Destani në profilin e tij në FB.
Ky donacion, ka vënë në dukje ai, do t’i përfshijë fëmijët e familjeve me gjendje më të rënduar ekonomike si në Maqedoninë e Veriut ashtu dhe në Shqipëri, Kosovë e më gjerë në trojet tona. Sipas projektit, sot ka filluar faza e parë e shpërndarjes duke nisur nga qyteti i Shkupit dhe komunat e tij për të vazhduar pastaj edhe më gjerë në qytetet tjera.
Për t’ua mundësuar ndjekjen e mësimit online një numri të madh të këtyre nxënësve, një ekip i dedikuar i kompanisë Ecolog e projektoi këtë donacion brenda dy javësh. Për realizimin e këtij projekti Ecolog International e çmon dhe i falënderon institucionet shtetërore për kontributin e tyre duke siguruar evidencën e nxënësve që u mungojnë këto pajisje në të gjitha komunat e vendit. Në bazë të këtij informacioni u vendos që projekti të dizajnohet në mënyrë që t’i mbulojë rastet nga familjet më të rënduara sociale, duke filluar nga Shkupi, Tetova, Gostivari, Manastiri, Kërçova, Ohri, Struga, Dibra, Prilepi, Kumanova, Velesi, Strumica, Gjevgjelia, Krusheva, e duke u shtrirë edhe në zonat rurale.

Drejtuesit e kompanisë, të cilët janë kujdesur që ky donacion të jetë në nivelin më të mirë të mundur kanë theksuar se projektet e dedikuara për fëmijët në përgjithësi dhe në veçanti për nxënësit janë pjesa kryesore e filozofisë së përgjegjësisë shoqërore të kompanisë.
“Ky projekt ka qenë një sfidë e rrallë logjistike, por edhe një emocion i veçantë. Jemi jashtëzakonisht të kënaqur që përkrah vështirësive të mosfunksionimit të rregullt të tregjeve arritëm ta finalizojmë projektin duke siguruar disa mijëra pajisje elektronike për nxënësit që vijnë nga familjet në nevojë, në Maqedoninë e Veriut. Lehtësirat që u sjellim këtyre familjeve dhe gëzimi në fytyrat e fëmijëve përbëjnë kënaqësinë tonë më të madhe.”

Ky është një shembull i përgjegjësisë shoqërore të një kompanie prestigjoze, i cili duhet ndjekur nga të gjitha bizneset. Në kohët moderne një biznes mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse nga ai ka benefit edhe shoqëria, e jo vetëm pronarët. Një leksion i mirë edhe për firmat tjera me nam që të ndihmojnë njerëzit në nevojë që më kollaj të kapërcejnë krizën, duke filluar nga punonjësit e tyre. /KDP

Të fundit