E enjte, 29 Shtator, 2022

Koronavirusi: Mbi 200,000 persona të vdekur në botë

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, mbi 200,000 persona kanë vdekur si pasojë e koronavirusit në gjithë botën.

Deri më tani është raportuar për mbi 2.8 milionë persona të prekur me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri.

Këto të dhëna janë bërë të ditura pasi numri i viktimave në Shtetet e Bashkuara ka arritur në mbi 50,000.

SHBA-ja përndryshe përbën territorin e prekur më së keqi nga kjo sëmundje.

Më 11 janar, media shtetërore kineze ka raportuar rastin e parë të infektimit me këtë virus, dhe nga ajo kohë, ai është përhapur në më shumë se 210 shtete dhe territore.

Përveç Evropës, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin për trendin e përhapjes së kësaj sëmundjeje në Afrikë, Evropën Lindore, Amerikën Qendrore dhe Amerikën Jugore.

Përmbledhja

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 2,858,489 njerëz të infektuar, 202,145 të vdekur dhe 830,919 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 946,066 raste të prekura me koronavirus dhe 53,461 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Italia me 26,384 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS – viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.

Të fundit