E shtunë, 1 Tetor, 2022

Pasi e njofton Kurtin, Thaçi nis konsultimet me partitë tjera për formimin e qeverisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka nisur takimin me liderët e partive politike, pa Vetëvendosjen, në përpjekje të gjetjes së zgjidhjes për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Takimi me liderët politikë, pa partinë fituese, pason letrën që Thaçi i dërgoi liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes së cilës e ka njoftuar atë se pas mungesës së përgjigjes në lidhje me caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë, në bazë të autorizimeve kushtetuese, presidenti do t’i fillojë bisedimet me liderët e partive tjera politike.

“Me keqardhje konstatoj se me veprimet tuaja nuk e keni shfrytëzuar të drejtën e propozimit të kandidatit të ri për ta formuar qeverinë, në pajtim me vendimin e KQZ-së për certifikim të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, thuhet në letrën e Thaçit drejtuar Kurtit.

Ai e ka informuar Kurtin se do të veprojë në bazë të kompetencave që i garantohen me Kushtetutë dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014.

“Më duhet t’ju rikujtoj që në pajtim me mandatin kushtetues është përgjegjësi e imja që ta ruaj stabilitetin e vendit dhe ta garantoj funksionimin demokratik të institucioneve”, ka shkruar Thaçi.

Kështu, sipas tij, “në përputhje me nenin 95 të Kushtetutës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14 do të bëj konsultim të përbashkët me të gjithë liderët e subjekteve politike parlamentare për hapat e mëtejmë”.

Këtë vendim, Thaçi ka shkruar se e ka marrë pasi që Kurti dhe Vetëvendosje nuk i janë përgjigjur atij pavarësisht tri thirrjeve të bëra më 2, 10 dhe 15 prill.

Thirrjeve të presidentit Thaçi për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti u është përgjigjur me letra që sipas tij, e argumentonin se nuk mund të ketë qeveri të re.

Sipas Kurtit dhe Vetëvendosjes, qeveria aktuale në detyrë duhet ta vazhdojë punën deri në përfundimin e pandemisë së koronavirusit dhe më pastaj vendi të shkojë në zgjedhje. Ndërkaq, duke komentuar opsionin e formimit të qeverisë pa partinë fituese, në këtë rast pa Vetëvendosjen, Kurti kishte deklaruar se në një rast të tillë, ai do ta procedojë lëndën për aktgjykim në Gjykatën Kushtetuese, duke besuar se presidenti nuk e ka të drejtën që t’ia marrë mandatin partisë fituese.

Në ditën kur Thaçi paralajmëroi kalimin e mandatit për formimin e qeverisë te një subjekt tjetër, duke mos e pritur më tutje Vetëvendosjen, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë filluar takimet në kuadër të përpjekjeve për arritjen e koalicionit të ardhshëm qeverisës. Liderët e të dy partive, Isa Mustafa (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK) kanë zhvilluar një takim në të cilin, sipas informacioneve që u dhanë më pas, është diskutuar vetëm për lidhjen e koalicionit, por jo edhe për ndarjen e pozitave.

Besnik Tahiri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha gjatë një konference për gazetarë se takimi kishte si qëllim trajtimin e çështjes së koalicionit. Por, ai tha se fillimisht pritet vendimi i presidentit Hashim Thaçi në lidhje me mandatin kushtetues që duhet t’ia ofrojë eventualisht, LDK-së për formimin e qeverisë.

Takimi i liderit të LDK-së, Isa Mustafa me AAK-në ishte i pari në vazhdën e krijimit eventual të një koalicioni qeverisës. Takime të ngjashme priten edhe me Nismën Socialdemokrate, Aleancën Kosova e Re, Listën Serbe si dhe komunitetet tjera joshumicë, pasi që për formimin e qeverisë, Mustafës do t’i nevojiten të paktën 61 vota në kuvend.

Të fundit