E shtunë, 1 Tetor, 2022

NOSTALGJIA PRIMORDIALE PËR “TJETRIN”

Ekzistenca e qenies njerëzore gjithnjë merr kuptim në sheshin e marrëdhënieve me të tjerët. Së këndejmi mund të shihet nevoja e qenies njerëzore për “tjetrin” si entitet shpirtëror, social dhe kulturor. Në një ese të tij, krijuesi meksikan Oktavio Paz thotë se “ njeriu është nostalgji për përbashkësi”. Gjithë rëndesa e këtyre ditëve të vetëveçimit vjen pikërisht nga kjo “nostalgji” primordiale siç e përshkruan ai në “Dialektika e vetmisë”.

 

Shkruan: Bardhyl Zaimi

 

Tashmë është e qartë se nga kjo krizë e krijuar nga virusi korona nuk do të mund të dalim aq lehtë. Pavarësisht nga tonet optimiste për një hapje në nivel europian, duket se gjithçka do të shkojë me shumë kujdes, duke përllogaritur rrezikun e mundshëm nga një përhapje tjetër që do ta zgjaste akoma më tepër izolimin. Një lodhje dhe një padurim për t’i dhënë fund izolimit, me gjasë nuk do të jetë kaq e thjeshtë, sepse frika nga një shpërthim tjetër përhapjeje mbetet si shpatë Demokleu mbi udhëheqësit europian dhe botëror.

Nuk kanë munguar brenda kohës edhe përplasje në nivel global mbi origjinën e përhapjes së virusit korona dhe pakujdesisë që ka treguar Kina si shtet në menaxhimin dhe bllokimin e virusit. President i SHBA-ve, disa herë e ka kritikuar Kinën për përhapje të virusit, ndërkohë që media ndërkombëtare kanë raportuar për mundësinë e përhapjes së virusit nga laboratori në Wuhan. Sidoqoftë, virusi tashmë është i pranishëm dhe po merr jetë njerëzish, ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kërkuar nga qeveritë që ndërmarrin masa për parandalimin e tij.

Në gjithë globin tashmë vetëizolimi shihet si një mënyrë për të parandaluar përhapjen masive të virusit. Grafikoni i infektimeve në gjithë globin  shënon ngritje-rënie varësisht nga koha e shfaqjes dhe e përhapjes së virusit në një vend. Përgjithësisht, të gjitha vendet kanë ndërmarrë masat e izolimit, ndërkohë që përjashtim nga ky rregull përbën Suedia, e cila është mjaftuar me masa më të lehta kufizimesh edhe pse edhe atje nuk kanë munguar debatet mbi masat më rigoroze që duhej t’i merrte qeveria.

Ditëve të fundit shumë qeveri të vendeve europiane kanë paralajmëruar lehtësim të masave kufizuese, por jo më parë se nga fillimi i muajit maj. Bashkimi Europian, ndërkohë ka dalë me një plan për hapje, i cili parasheh lehtësim masash të matura, të cilat do të finalizoheshin në pranverën e vitit 2021. Duket se udhëheqësit europian dhe të shteteve janë plotësisht të vetëdijshëm se një hapje e mundshme kërkon shumë kujdes dhe një plan të menduar mirë, i cili do të zbatohet varësisht nga prania e virusit dhe varësisht nga situate që do të krijohet ndërkohë.

Një gjë mbetet e sigurt se nuk do të ketë një hapje spektakolare, një si tip ngadhënjimi mbi pandeminë, përkundrazi do të ketë një hapje graduale me shumë analiza dhe me shumë reflektime institucionale që do të ndjekin në mënyrë permanente oscilimet e përhapjes dhe shkallën e infektimit të virusit korona. Gjithashtu mbetet e sigurt se bota njëherë për njëherë nuk do të mund të funksionojë në normalitetin që jemi mësuar ta kemi. Kjo pandemi tashmë e ka ndryshuar rrjedhën normale të gjërave, duke krijuar kështu një realitet të ri global që kërkon edhe sjellje krejtësisht tjetër të qenies njerëzore në këtë realitet. Njerëzit nguten t’i kthehen realitetit të mëparshëm. Ata duken të lodhur nga kjo situatë, ndërkohë që projeksionet ekonomike flasin për një rënie dhe për një ballafaqim me një krizë globale ekonomike.

Duket tashmë që vetëveçimi i gjatë ka krijuar një situatë të rëndë psikologjike, që po përcillet me një ndjenjë vetmie të përhershme. Qenia njerëzore gjithnjë merr kuptim në sheshin e marrëdhënieve me të tjerët. Së këndejmi mund të shihet nevoja e qenies njerëzore për “tjetrin” si entitet shpirtëror, social dhe kulturor. Kjo krizë e ka ndërprerë pikërisht këtë raport me “tjetrin” që në një situatë normale funksionimi duket e pavërejtshme, por në një situatë privimi merr kuptime esenciale për ekzistencën njerëzore. Gjithmonë te njeriu janë të pranishme dy gjendje ekzistence, prirja për të qenë vetëm, për t’u veçuar nga totaliteti dhe prirja për të vendosur lidhje me “tjetrin” në kuptimin e një marrëdhënie shpirtërore dhe sociale. Në një ese të tij, shkrimtari meksikan Oktavio Paz thotë se “ Njeriu është nostalgji për përbashkësi”.

Gjithë rëndesa e këtyre ditëve të vetëveçimit vjen pikërisht nga kjo “nostalgji” primordiale siç e përshkruan Paz. Sigurisht, bota mbetet shumë më e komplikuar në raportet e veta, sidomos në rrafshet politike, ekonomike dhe sociale. Por, esenca e trishtimit vetëizolues më tepër vjen nga mungesa e raportit me “tjetrin” si vetërealizim në hapësirën publike, në hapësirën sociale dhe kulturore të lirisë ashtu siç e njohim përmes demokracisë, përmes qarkullimit të lirë të njerëzve, ideve dhe mallrave. Ky normaliteti tashmë ka marr goditje nga pandemia dhe rikthimi i këtyre raporteve kërkon strategji të menduara, politika publike, të cilat do të jenë në lartësinë e rrezikut që mund të ripërsëritet në një cikël tjetër të përhapjes.

Padyshim, gjithë kjo sipërmarrje globale nuk mund të bëhet pa ndihmën e shkencës, pa ndihmën e analizave të gjithanshme që i bëhen virusit për ta njohur natyrën e tij. Shumica e shteteve evropiane kanë paralajmëruar se një hapje e mundshme do të jetë në sinkron edhe me rekomandimet e botës së shkencës, me gjithë ato studime që krijojnë një perceptim real mbi evoluimin e pandemisë dhe shmangies së rrezikut.

E ndodhur përballë kërcënimit të virusit akoma të panjohur deri në fund nga shkenca e mjekësisë, bota po tregon një kujdes të vazhdueshëm, duke respektuar masat, por edhe duke bërë përpjekje që t’i  hapë rrugë jetës, normalitetit për aq sa është e mundur. Një betejë gati epike mes padurimit njerëzor dhe përgjigjeve shkencore që duhet të marr gjithë kjo situatë e krijuar nga virusi korona. Gjithsesi, në gjithë këtë planimetri angazhimesh që bazohen në realitetin e ri të krijuar, nuk kanë munguar edhe lajmet e rrejshme, nëpërmjet të cilave krijohet një atmosferë shpërfilljeje ndaj pandemisë. Kjo krijon një rrezik potencial mendjelehtësie për shkelur masat dhe për të zgjatur kështu periudhën e vetëizolimit që tash për tash mbetet ilaç i vetëm për të shmangur infektimet.

Gjersa koha e vetëizolimit po shtrihet para nesh me shumë të panjohura, padurimi i njerëzve dhe shkujdesja mund të jenë një problem më vete, sidomos për shoqëritë që bien pre e konspiracioneve të ndryshme që e vënë në pikëpyetje rrezikun nga virusi. Do të duhet ende angazhim nga gjithsecili për të sensibilizuar më shumë rrezikun real, por edhe për krijuar një vetëdije tjetër për një hapje graduale të paralajmëruar në nivel global.

Edhe qeveria e Maqedonisë së Veriut, tashmë ka paralajmëruar se nga fillimi u muajit maj do të ketë masa lehtësuese për qytetarët. Kryeministri teknik ka paralajmëruar një plan konkret për një hapje graduale gjatë muajit maj. Në kohë që gati dy muaj vendi ndodhet nën masa kufizuese tashmë një numër i madh i njerëzve ndodhen në zgrip të ekzistencës, ndërkohë që kompanitë kanë bërë të ditur se përballen me vështirësi të mëdha. Padyshim, dimensioni ekonomik mbetet jetik në gjithë këtë situatë dhe qeveria duhet të ketë një plan më konkret për këtë. Kapaciteti ekonomik i Maqedonisë mbetet i vogël për t’iu përgjigjur rënies sociale të qytetarëve dhe kjo krijon një shqetësim të jashtëzakonshëm te njerëzit. Mbyllja kërkon përkujdesje qeveritare, masa efektive, të cilat duket se nuk janë në lartësinë e duhur.

Të gjithë kemi “nostalgji” për përbashkësi, ashtu siç e thotë Oktavio Paz, dhe kjo na bën më të ndjeshëm, më me padurim gjatë kësaj periudhe vetëizolimi. Por, sheshi i jetës sociale dhe kulturore tashmë nuk mund të jetë i njëjtë dhe përfundimisht do të duhet ta rehatojmë veten me këtë fakt. Padyshim, në asnjë rast duke mos iu dorëzuar tjetërsimit të vetëveçimit në kuptimin e marrëdhënieve njerëzore, sepse qenia njerëzore mund të jetë gjithnjë kreative për të tejkaluar çdo situatë të imponuar dhe për të krijuar lidhje njerëzore në forma të ndryshme, ashtu siç do të duhet t’i krijojmë gjatë kësaj periudhe të trishtë gjersa përballemi me një armik që kërcënon jetën e gjithsecilit. /KDP

Të fundit