E enjte, 29 Shtator, 2022

Viti 2120…

Autor: Rean Saiti

Zgjohem… Fëmijtë ende janë në gjumë…I shoh përmes monitorit në dhomën tjetër. Nuk do t`i zgjoj përmes lazerit … Do dal në qytet për t`u qethur dhe për të pirë kafenë në qetësi…Le të flenë ata… Shoh se e kanë lëshuar në maksimum aparatin për lagështinë e ajrit, kurse dritarja është hapur…Ja se si po dyfishohen llogaritë…Por, s`ka lidhje … Vishem, ashtu në mënyrë klasike. Thonë se çdoherë kam patur shije… Maskë e kuqe, doreza të kaltërta, syze të zeza…Në këmbë Nike Handshake Air, këpucë speciale sportive për t`u përshëndetur me këmbë…

Nëpër rrugë rrëmujë. Në çdo dy metra një njeri…Smartphoni vetëm më paralajmëron përmes alarmit se jam afër tri metrave nga njerëzit… Mbërrij tek saloni i ondulimit…Shoh se brenda është miku im…Ai është mjeshtër i zanatit…E njoha përmes veshjes së gjelbërt e të vakumuar…Dukej si astronaut…Më thotë përmes xhamit të shkoj ta pijë kafenë, duhet të pastrojë, për shkak se kishte pasur tre myshterinj. Tani duhet ta bëjë testin ditor, për t`u verifikuar nëse është negativ me COVID 210 … Më pas mund ta vazhdojë punën…Nëse është pozitiv, 20 ditë nuk do të punojë…Ashtu është ligji…OK, pikërisht një orë kohë për ta pirë kafenë…

Hyjë në kafeteri…Gati të gjitha tavolinat me njerëz. Në ato më të mëdhaja janë ulur edhe nga dy persona, por distanca është në rregull…OK është, nuk duhet t`i paraqes…

Shkoj tek banaku. Shoh përtej xhamit punojnë dy persona… Njëra dukej pak e trashë me atë veshje të vakumuar. Afrohet afër meje. Urdhëroni? – më thotë. Kërkova kafenë… Dhe, ajo filloi rrëfimin…

Më tregon kamarierja se si ka kaluar biri saj gjatë ditës së djeshme në shkollë. Thotë se mësuesja kishte filluar orën me një rrëfim të çuditshëm…”E dini ju fëmijë të dashur, dikur njerëzit janë përshëndetur duke ia dhënë dorën njëri-tjetrit, kanë ecur bashkë shumë afër, nëpër kafeteri janë ulur shumë afër njëri-tjetrit, kamarierët nuk kanë patur maska, skafanderë, është paguar me para prej letre…Nuk do ta besoni…Kur dikush ka teshtitur i kanë thënë “shëndet” ose “e vërtetë”…!!!

E gjithë klasa ka qeshur dhe njëri prej nxënësve ka thënë “Unë në shtëpi kam një foto të gjyshit dhe gjyshes duke u përqafuar” … Po ! Thotë Mësuesja! Kjo dikur ka qenë normale…

A nuk është mirë që të përshëndetemi me këmbë? Puthjet t`i dërgojmë përmes prekjeve magnetike? Kur të shkojmë në shtëpi t`i heqim maskat. Në aparatin e testit në shtëpi të shohim a jemi pozitiv? A guxojmë të përqafohemi? – ka pyetur mësuesja.

Kësaj radhe një tjetër nxënës thotë:

Nuk guxojmë! Vetëm nëse 20 ditë kemi qenë në izolim dhe secili prej nesh të ketë nga 2 teste negative!

Të lumtë! – thotë e entuziazmuar mësuesja!

Ulu 5!

Siç ishte ulur për të shtypur notën në tablet, maska i bie nga fytyra dhe ajo fare pa menduar e vendos sërish në fytyrë… E gjithë klasa tmerrohet…Ajo duhet tani 20 ditë të izolohet…Kjo nuk guxon të bëhet…maska ra në sipërfaqe potencialisht të kontaminuar.

Një tjetër nxënës i thotë…”Mësuese, detyrat do t`i dërgosh on-line? Ose do t`ju zëvendësojë hologrami juaj derisa të ktheheni?

Mësuesja u thotë se ora ka përfunduar duke ua tërhequr vërrejtjen t`i respektojnë masat! Dronët ju ndjekin deri në shtëpi, distanca 2 metra – kini kujdes” – përfundoi rrëfimin kamarierja.

Para se të shkoja, porosita pijen e preferuar në kokra , i thashë se do ta pijë në mbrëmje në shtëpi. Kemi sonte shoqërim virtual me fqinjët. Në ora 20.00 duhet të jem gati, i pastruar dhe i sterilizuar.

Ajo mi jep dy kokra, duke më thënë “Qeras shtëpia”

Ia lash ‘bakshishin” pa e hetuar. Shtypa dy herë shumën në aplikacionin “pay” duke e falënderuar.

Çfarë ditë e bukur… Por, një dron edhe më i bukur me ngjyrë të kuqe më ndoqi deri në shtëpi. Ma kishte matur temperaturën tri herë… Ku ka më mirë….

P.S Plus sonte ka edhe ndeshje futbolli. Juventusi kundër Realit. Herën e kaluar 6 herë plasi interneti 12 G dhe gjysma e futbollistëve qëndronin në fushë…Nuk ishin të lidhur në server…

Të fundit