E mërkurë, 5 Tetor, 2022

BOGOVINA NË ANKTH – MBI 100 PERSONA MBAHEN NË IZOLIM

Mbi 100 persona në Komunën e Bogovinës mbahen nën izolim shkaku i dyshimeve se mund të jenë të prekur nga virusi COVID-19, i thanë të mërkurën mbrëma KDP burime të sigurta zyrtare.

Shpërthimi i këtillë i virusit korona është deri më tani i paregjistruar në vend, kurse numri i të prekurve mund të shkojë mbi 200 persona.

Sipas burimeve, një mjek dhe një farmacist kanë rezultuar pozitiv në testin e COVID-19, ndërkohë që gjatë anamnezës që u është bërë kanë konfirmuar se ditëve të fundit kanë pasur kontakt me shumë persona. Kjo ka bërë që autoritetet policore të vënë në izolim shtëpiak afër 100 persona.

Të enjten në mesditë pritet të mbahet mbledhja e Këshillit të Sigurimit, ku pritet të propozohet që e tërë komuna të vihet në karantinë. Duke ndjekur shembullin e suksesshëm të Dibrës, ku shpallja e gjendjes së emergjencës ndaloi përhapjen e virusit dhe ktheu gjendjen normale, zyrtarët thonë se një masë e tillë do të jetë e nevojshme edhe në Komunën e Bogovinës.

Ndërkohë që brenda ditës së enjte në këtë komunë do të qëndrojë një delegacion qeveritar, i udhëhequr nga Koordinatori i Shtabit të Emergjencës, Bujar Osmani.

Sipas paralajmërimeve, delegacioni qeveritar do të takohet me autoritetet lokale që të koordinojnë aktivitetet në menaxhimin më të mirë të krizës. /KDP

 

Të fundit