E enjte, 29 Shtator, 2022

Si funksionon OKB gjatë pandemisë

Gjatë muajit prill Këshilli i Sigurimit të OKB zhvillon takime virtuale të hapura dhe të mbyllura. Më datën 24 paradite, Këshilli i Sigurimit do të zhvillojë një takim të hapur informues për Kosovën, i pari këtë vit.

OKB në Nju Jork ka adoptuar metodat e punës dhe që nga 16 marsi vazhdon funksionimin me punonjës në distancë dhe prezencë të minimalizuar fizike personeli. Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres i drejtohet herë pas here publikut me mesazhe të regjistruara në video. Zëdhënësi i tij, Stephane Dujarric, zhvillon përditë konferencën virtuale shtypi. Modifikimi në përputhje me situatën ka përfshirë edhe Këshillin e Sigurimit, i cili nuk mblidhet fizikisht në sallë, por konsultohet me video- konferenca ose bën marrëveshje online. Edhe Votimi në Këshillin e Sigurimit është vendosur të bëhet online.

Zahir Tanin do të informojë për Kosovën

Kjo metodë e re pune do të përdoret edhe më datën 24 prill kur Këshilli i Sigurimit, të zhvillojë takimin të hapur informues për Kosovën, të parin për këtë vit. Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, do të informojë anëtarët e Këshillit të Sigurimit për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe do t’i njohë me raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB. Securitycouncilreport.org, një OJQ që financohet nga fondacione dhe qeveri të ndryshme, mes tyre edhe qeveria gjermane, ka përmbledhur zhvillimet në Kosovë që priten të jenë pjesë e raportit të Sekretarit të Përgjithshëm.

“Më 2 mars, Robert O’Brien, këshilltar amerikan për sigurinë ndërkombëtare dhe Richard Grenell, i dërguari i posaçëm amerikan për Serbinë dhe Kosovën pritën në një takim në Shtëpinë e Bardhë presidentin kosovar Hashim Thaçi dhe presidentin serb, Aleksandar Vučić”, shkruhet në raportin e OJQ-së. “Për publikun nuk u bë e njohur asnjë agjendë specifike, por disa media raportuan se liderëve iu është prezantuar versioni i një projekt-marrëveshjeje përfundimtare për Kosovën. Sipas mediave, marrëveshja përfundimtare do të përfshinte mundësinë për rregullime territoriale, njohje reciproke të mundshme, dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.”

USA | Leerer Saal des UN-Sicherheitsrat (picture-alliance / imageBROKER)

Serbia pritet të dërgojë pjesëmarrës të nivelit të lartë, kurse Kosova ambasadoren në SHBA. Takimi i fundit informues i Këshillit të Sigurimit për Kosovën është mbajtur më 31 tetor 2019, ku edhe u vendos reduktimi në të ardhmen i numrit të takimeve.

Ndarjet në KS ekzistojnë

Ndarjet mes anëtarëve të përhershëm të KS lidhur me Kosovën vazhdojnë njësoj: Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA mbështesin pavarësinë e Kosovës, Kina dhe Rusia nuk e njohin pavarësinë dhe mbështesin qëndrimin serb. Securitycouncilreport shkruan se: “SHBA kërkon gjithnjë e më shumë largimin e UNMIK-ut dhe kjo çështje ka mundësi të bëhet e rëndësishme në periudhën e ardhshme”. Mandati i është dhënë UNMIK-ut pa afat, në rezolutën 1244. Çdo përpjekje për ta ndryshuar këtë do të kërkonte rezolutë tjetër.

Presidencën e radhës në Këshillin e Sigurimit e mban në muajin prill Republika Domenikane. Përfaqësuesi i saj, Jose Singer Weisinger, informoi gazetarët gjatë një konference virtuale shtypi në fillim të muajit prill se është duke e drejtuar Këshillin e Sigurimit nga Santo Domingo, kryeqyteti i vendit të tij.

Anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit, përveç pesë anëtarëve “të përjetshëm” dhe Republikës Domenikane, janë aktualisht Gjermania, Belgjika, Estonia, Indonezia, Vietnami, Afrika e Jugut, Tunizia, Nigeria dhe Saint Vincent dhe Grenadinet./DW

Të fundit