E enjte, 29 Shtator, 2022

90 minuta me përralla

Nga Enver Robelli

Në fillim të nëntorit – nëse në SHBA do të mbahen zgjedhjet presidenciale – Donald Trumpin do ta sfidojë, sipas të gjitha gjasave, Joseph Biden. Për shkak të krizës me virusin e koronës, nuk është e sigurt nëse do të mbahen zgjedhjet, tani për tani duket se po. Por, nëse deri në fund të verës numri i të vdekurve në SHBA i afrohet shifrës alarmante prej 100 mijë, siç supozuan ekspertët, gjërat mund të ndryshojnë.

Për Donald Trumpin edhe kriza e koronës është një shans për fushatë elektorale. Ndërsa rivali i tij Joe Biden është mbyllur në shtëpi dhe herë pas here i drejtohet opinionit me disa video të incizuara, që nuk bëjnë aq jehonë në opinion, Donald Trump e ka një skenë tjetër, më të madhe: shfaqet në konferenca për shtyp në Shtëpinë e Bardhë për të folur mbi krizën e koronës – dhe e shndërron atë në tubim elektoral. Ose për të bërë reklamë për një ilaç që nuk është dëshmuar se ka efekt kundër koronavirusit, por Trump në stilin e tyxharit thotë: “Provojeni! Çfarë keni për të humbur?” Nëse nuk ka efekt ilaçi, punë e madhe. Ky është mentaliteti i presidentit të SHBA-ve.

Dhe me këtë mentalitet nuk po pajtohet tanimë as “Wall Street Journal”, tempulli i neokonservatorëve amerikanë, gazeta që e ka përkrahur Trumpin shpesh me besnikëri skllavëruese. Në një koment të ashpër bordi editorial i “Wall Street Journal” shkruan se në tri javët e kaluara Trump, me gjasë, ka arritur në përfundimin se konferencat për media mund t’i shfrytëzojë si dritare për fushatë elektorale. Këto konference zgjasin 90 minuta apo edhe më tepër dhe Trump dominon skenën. Ekspertët e tij të mjekësisë janë figura anësore, që mund të përgjigjen në dy-tri pyetje teknike. Nënpresidenti Mike Pence, i cili drejton ekipin kundër koronavirusit, shfaqet në skenë në 15 minutat e fundit të konferencës për media.

Pastaj Trump përgjigjet në pyetjet e gazetarëve, por kjo pjesë e konferencës për media është “një kacafytje dekurajuese” mes presidentit dhe kundërshtarëve të tij në mesin e gazetarëve që raportojnë nga Shtëpia e Bardhë. “Çfarë dëshiron të di publiku është se çfarë po bën zoti Trump dhe qeveria e tij për të penguar vdekjen e më të dashurve të tyre apo për t’iu ndihmuar ushqyesve të familjeve për të ruajtur vendet e punës”, shkruan “Wall Street Journal”. Opinionit nuk i intereson se si Trump do ta mposht Joe Bidenin, por si do ta mbajë në këmbë ekonominë. Këshilla e gazetës konservatore amerikane për Trumpin është kjo: dilni dy herë në javë para mediave, lëreni Mike Pence të flasë, sepse ai ka informata që Trump nuk i ka dhe as që do t’i kuptojë. Gjasat janë të vogla që Trump të ndryshojë pas kritikës së gazetës amerikane.

Në Shtëpinë e Bardhë po flet Princi Prospero, shkruan gazeta e përjavshme gjermane “Die Zeit” në një koment të shkurtër në faqet e kulturës. Princi Prospero është personazh i tregimit “Maska e Vdekjes së Kuqe” të shkrimtarit amerikan Edgar Allan Poe. Prospero largohet nga shtëpia e tij për shkak të murtajës dhe gjen vend në një ranç luksoz, ku me ditë e net të tëra feston dhe beson se është i sigurt nga rreziku. Por në dhomën e fundit të pallatit atë e pret fundi: Vdekja e Kuqe. “Deri më tani për komentatorët Prospero ishte natyrisht Trumpi. Por tani, pas konferencave të tij të fundit në Shtëpinë e Bardhë, imponohet një interpretim i ri. Trump më pak mund të krahasohet me Prosperon dhe më shumë me vetë Vdekjen e Kuqe. Sepse edhe ai po ngopet me frikën e huaj. Dhe nga mjerimi përreth tij po bëhet gjithnjë e më i fuqishëm. Duket se Trump po e shijon frikën, të cilën po ia fut popullit të tij. Ai po i shfrytëzon paraqitjet e tij publike që panikun, i cili gjen vend edhe brenda tij, ta transportojë edhe te nënshtetasit e tij. Paraqitjet e tij janë aktivitete terrori. Ai gënjen, fyen, fantazon, shkakton huti kudo ku mundet, ndëshkon kundërshtarët politikë duke ua refuzuar përkrahjen, informacionin dhe materialin me rëndësi jetësore”, shkruan “Die Zeit”.

Deri të enjten në mbrëmje – sipas kohës europiane – në SHBA kanë vdekur afër 16 mijë njerëz nga korona. Këshilltarët e shëndetësisë të Trumpit, Anthony Fauci dhe Deborah Birx, harxhuan mjaft kohë dhe nerva që t’ia bëjnë të qartë presidentit se pakujdesia ndaj virusit mund të shkaktojë vdekjen e 2,2 milionë njerëzve në SHBA. Nëse pushon jeta publike, do të ketë rreth 100 mijë të vdekur. Këtë diferencë Trump e sheh si meritë të tij, por ajo është meritë e presionit të profesionistëve. Një president si Trumpi edhe virusin e sheh si shou. Andaj nuk është fare befasi që Trump lavdërohet në Twitter se konferencat e tij për shtyp po i përcjellin miliona njerëz. Gjithçka është kuotë, pazar, fushatë.

Të fundit