E enjte, 1 Dhjetor, 2022

Nga karantina kundër demokracisë 

Autor: Sefer Selimi Jr.  

Shpërthimi i pandemisë së Covid-19 vendosi botën në karantinë. Aktualisht, një e treta e popullatës botërore është në vetizolim në përpjekje për të frenuar përhapjen e virusit për të cilin ende nuk ka një trajtim specifik apo një vaksinë parandaluese, ndonëse laboratorët shkencorë janë turrur me vrull dhe me të gjitha kapacitet e tyre për të gjetur ilaçin magjik. Natyrisht që kjo përveç mirënjohjes, prestigjit dhe mbase edhe çmimit Nobel do të sjellë miliarda dollarë në llogaritë e kompanive farmaceutike. 

Përskaj përpjekjeve mbinjerëzore të mjekëve, forcave të sigurisë, gazetarëve, vullnetarëve e luftëtarëve tjerë në vijën e parë të frontit kundër virusit, përplasje paralele zhvillohen kur bota është në karantinë. Skena globale që është mbushur me frikë dhe pasiguri kthehet në tokë pjellore për përplasjet e vjetra në forma të reja.

Edhe para shpërthimit të pandemisë relacionet e ShBA-ve dhe Kinës zhvilloheshin në kuadër të luftës tregtare me tarifa të ndërsjella, në përpjekje për të rinegociuar marrëveshjet tregtare mes dy vendeve, marrëveshje të cilat presidenti Trump i cilëson si të dëmshme për ekonominë e ShBA-ve dhe përparësi e pandershme e Kinës kundrejt ShBA-ve. Konflikti kryesor zhvillohej në volumin e shkëmbimit tregtar dhe çështje tjera të rëndësishme siç janë të drejtat autoriale, spiunimi, kopjimi dhe inovacioni teknologjik të cilat Kina pandershmërisht, në shkelje të rregullave tregtare dhe të konkurrencës së ndershme i keqpërdorte për avantazh tregtar. 

Kjo përplasje u përshkallëzua tani edhe në një front tjetër. Shpërthimi i pandemisë globale filloi nga Wuhan, kryeqyteti i provincës së Hubeit të Republikës Popullore të Kinës. Partia Komuniste e Kinës në fillim të krizës u mundua që ta fsheh shpërthimin e virusit të ri Korona duke kontrolluar informacionin zyrtar dhe duke siguruar liderët botëror që gjithçka është nën kontroll. Madje mjeku nga Spitali Qendror i Wuhan-it, Li Wenliang i cili i pari foli publikisht dhe paralajmëroi kolegët për Covid-19 u shkarkua dhe u përndoq për alarm të rremë nga autoritet kineze. Fatkeqësisht, mjeku hero vdiq nga infeksioni i virusit korona të cilin e morri duke iu shërbyer pacientëve të tij. 

Ashtu siç përhapet me shpejtësi virusi në nivel global me të njëjtën shpejtësi përhapet edhe loja e fajtorit mes SHBA-ve dhe Kinës, deri në atë masë që Presidenti amerikan tani e quan ‘’Virusi kinez’’ ndërkohë që propaganda shtetërore kineze, përfshirë edhe zëdhënësin e qeverisë kineze akuzojnë ushtrinë amerikane për fabrikim dhe shpërndarje të virusit në Kinë. Faktet janë që virusi u përhap  fillimisht në Kinë dhe hulumtime nga qendra të ndryshme shkencore konfirmojnë se virusi nuk u fabrikua në një laborator por është një mutacion i virusit korona i cili me gjasë vjen nga tregjet ilegale të gjitarëve në Kinë, tregje në të cilat shërbehen edhe lakuriqët që besohet të jenë transmetuesit e virusit tek njerëzit. Kjo luftë u ashpërsua edhe më tepër kur Ministria e punëve të jashtme Kineze njoftoi që do të dëboj një sërë gazetarësh të The New York Times, The Wall Street Journal dhe The Washington Post. Edhe pse ky akt u ndërlidh me kufizimin deri në 100 gazetar që e vendosi administrata e presidentit Trump për disa nga mediumet shtetërore që operojnë në SHBA dhe të cilat cilësohen si mjete propaganduese të Parisë Komuniste të Kinës, arsyja e vërtetë qëndron tek puna e gazetarëve amerikan të cilët kanë raportuar që nga fillimi i epidemisë në Wuhan por edhe për një sërë skandalesh korruptive të zyrtarëve kinez.

Loja e fajtorit do të thellohet edhe më tepër dhe natyrisht që Kina, vendi nga i cili shpërtheu epidemia do të kërkoj që  të përfitojë nga kjo situatë për të avancuar interesat e veta strategjike. Fillimisht po shohim përpjekjet që pas tejkalimit të krizës së saj, Kina tenton të shfaqet si shpëtimtar global në luftën kundër pandemisë që lindi, u mundua të kamuflohet dhe u përhap prej vetë saj. Aq më e paskrupullt është nxitja e teorive të konspiracionit që virusi u fabrikua kundër tyre, në ndërkohë që ekonomia që pëson goditjen më të madhe është pikërisht ajo e SHBA-ve. 

Sikur edhe në shumë raste tjera, kjo përpjekje si në sinkron bashkohet me përpjekjet e Rusisë dhe presidentit Putin për të përçarë dhe thelluar krizën në Bashkimin Evropian. Raportet e fundit sugjerojnë se qendra të lidhura ngushtë me Kremlinin kanë nisur një fushatë të koordinuar për dezinformim rreth pandemisë, me qëllim të rrënimit të besimit tek institucionet evropiane me shpresën e shkatërrimit përfundimtar të Unionit. 

Edhe në këtë kohë pandemie kur lufta me virusin korona është fokusi dhe brenga kryesore, nga karantina vazhdon lufta kundër demokracisë për të paraqitur një model tjetër qeverisës, me udhëheqës autoritar që mund të prodhojnë zgjidhje të shpejta. Kohë të vështira pasojnë, por çdo krizë vjen me një mundësi të re.   

 

Të fundit