E martë, 29 Nëntor, 2022

Ballkani Perëndimor, kopshti i brendshëm i shtëpisë Europa

Që Ballkani Perëndimor si kopshti i brendshëm i Europës të jetë anëtar i denjë në BE, kjo është në dorën e vetë njerëzve dhe politikanëve të këtyre vendeve, mendon Adelheid Feilcke.

Në kohët e Corona-s shumë gëzohen që kanë një kopsht brenda shtëpisë. Ndonëse ai nuk është një oborr pompoz, që do të ishte më i preferuar, por një kopsht i lënë disi pasdore, ai është një qoshëz e mbrojtur me potencial. Me pak më shumë vëmendje, më shumë përkujdesje për bimëzat e lëna pasdore ky kopsht mund të bëhet një pjesë e vlefshme e ansamblit, në të cilin do të qëndrosh dhe që i bashkon banorët dhe forcon bashkësinë e shtëpisë.

Si kopshti i brendshëm i Europës konsiderohet tani Ballkani Perëndimor. Me këtë metaforë të goditur ministri gjerman për Europën, Michael Roth, pa u lodhur angazhohet që më në fund vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen në familjen europiane.

Një metaforë me apelin për përgjegjësinë dhe unitetin brenda Europës dhe me Ballkanin Perëndimor, por që edhe nxjerr në pah njëkohësisht vështirësitë: Mungesën e unitetit brenda vendeve të BE-së për formësimin e integrimit dhe parcelizimin e rajonit: vende si Serbia dhe Mali i Zi ndërkohë ndodhen në procesin e antarësimit, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut tani më në fund duhet të fillojnë negocitatat e antarësimit dhe shtetet si Bosnje-Hercegovina e Kosova, që janë terrene mjaft të ndërlikuara politike dhe për shkak të konflikteve shtetërore brenda rajonit si dhe prej mosunitetit brenda BE-së nuk kanë kanë shanse për bisedime antarësimi.

Feilcke Adelheid Kommentarbild App
Feilcke Adelheid, drejtuese e seksionit Europa

Edhe pse banorët e shtëpisë Europa qysh më 2003 njëzëri u shprehën për perspektivën europiane të këtyre vendeve, ata vazhdimisht kanë qenë në dilemë se çfarë të bëjnë me këtë truall, që qartazi ndodhet në mesin e tyre, por në një farë mënyre u ka shkaktuar më shumë telashe se sa kënaqësi.

Vazhdimisht ata kanë qenë në dilemë se çfarë donin të mbjellin dhe si të ndanin përgjegjësinë, banorët e rinj shtronin kërkesa të reja, barërat e këqija gëlonin dhe u zinin frymën atyre pak filizave shpresëdhënëse. Së fundi ishte bashkëbanori Macron ai që papritur vendosi rregulla të reja për kopshtin e brendshëm duke e penguar fazën e dytë të planifikuar prej kohësh për konceptimin e tij – pra hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Koha për një sinjal të rëndësishëm në rajon”

Në kohët e Corona-s lipset më shumë se kurrë uniteti ndër banorët dhe përgjegjësia e përbashkët për kopshtin e brendshëm. Në mënyrë që ndihma e shpejtë për sistemet e rënuara shëndetësore të mbërrijë shpejt dhe të merren masa të bashkërenduara në Ballkanin Perëndimor. Për politikanët dhe banorët e Ballkanit Perëndimor integrimi në BE përgjatë shumë viteve të pritjes është bërë një perspektivë gjithnjë e më e vështirë për t’ua përçuar njerëzve. Së fundi presidenti serb Aleksandar Vuçiç vlerësoi lart ndihmën kineze dhe kritikoi ashpër BE-në për mbylljen e kufijve dhe ndihmat e çala.

Ndaj ishte koha për të dhënë një sinjal të rëndësishëm në rajon, që BE tani ka vendosur hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Rruga është ende shumë shumë e gjatë deri tek antarësimi i plotë, derisa gjithçka të formësohet në atë mënyrë që vlerat europiane të rriten e të lulëzojnë pa u trazuar, që farat e këqia, korrupsioni dhe populizmi të jenë çrrënjosur aq sa të mos mund t’u zenë më frymën e të hedhin hijen e tyre mbi shtetin ligjor dhe lirinë e mendimit.

BE-ja duhet ta shoqërojë këtë proces me mjeshtëri dhe ta mbështesë e ta nxisë atë e po ashtu duhet edhe ta kultivojë e vadisë fort, aq më tepër tani kur Rusia dhe Kina me paketa ndihmash për shkak të krizës Corona si një substrat i freskët synojnë ta mbulojnë shtratin europian të këtij kopshti. Sidoqoftë kopshtarët nuk mund të bëjnë gjë, në rast se toka dhe fara nuk kanë cilësi. Fara e këtij kopshti janë vetë njerëzit dhe politikanët në Shqipëri e në Maqedoninë e Veriut. Eshtë në dorën e tyre që në shtëpinë e përbashkët Europa të bëhen anëtarë të denjë.

Këto vende duhet të zhvillohen vet dhe t’i përvetësojnë standardet europiane. Shqipërisë i është dhënë në këtë rrugëtim një katalog i tërë masash, për të mposhtur strukturat e korruptuara dhe për të stabilizuar shtetin ligjor. Por tani është e qartë për të dyja palët, për bashkësinë e shtëpisë si edhe për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, se ky kopsht i brendshëm i Europës duhet zhvilluar si një hapësirë e shpalosjes bashkarisht. Menjëherë duhen përveshur mëngët për të nisur punën!

Të fundit