E enjte, 1 Dhjetor, 2022

Kurti ballafaqohet me mocionin e mosbesimit në Kuvend

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën për të shqyrtuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, që është iniciuar nga partia në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Arben Gashi nga Grupi Parlamentar i LDK-së në arsyetimin e tij për mocionin e mosbesimit tha se kryeministri Kurti me veprimet e bëra vendosi siç ishte edhe shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendëshme Agim Veliu, t’i jap fund koalicionit qeverisës.

“Qeveria e Kosovës erdhi në pushtet me besimin për ndryshim, për një momentum të ri në aspekte të zhvillimit ekonomik të vendit, sundimit të ligjit luftës kundër korrupsionit dhe konsolidim të subjektivit ndërkombëtar të Kosovës ndërsa kryeminstri Kurti për më pak se 50 ditë pune përmes mos eprimit dhe pozicionimit jokonstruktiv në raport me partnerët në përgjithësi dhe ne veçanti më SHBA ka pamundësuar funksionimin e qeverisë”.

Gashi ju ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që përmes votës së mosbesimit ta votojnë këtë mocion.

“Me këtë veprim, Kuvendi krijon mundësinë e një qeverie të stabilitetit me kohëzgjatje të kufizuar që do të adresonte sfidat imediate me të cilat po ballafaqohet vendi si në pozicionet e politikës së jashtme si në dinamikat e brendshme”, thotë Gashi.

Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se ky mocion po bëhet në një kohë mjaft të vështirë.

“LDK sot bashkë me aleatët e vjetër që duken si aleat të ri po kërkojnë mocion mosbesimi në kohën më të vështirë për Kosovën deri më tani pra kërkojnë rrëzimin e qeverisë kur bota po përballet me këtë pandemi si problem global. Kur qytetarët e Kosovës sot kanë sytë nga qeveria nga ministrat, kah doktorët serish LDK nuk ka nxjerr aleat tjetër përveç kundërshtarëve të kësaj qeverie”, tha Selimi.

Kurti: Pazari presidencial për territore kërkon rrëzimin e qeverisë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se ky mocion i mosbesimit ka ardhur për për shkak siç thotë ai, pazareve të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për shkëmbim territorial me Serbinë.

“Jam i bindur që ka marrëveshje praktikisht këtë ma ka konfirmuar edhe presidenti në takim që ishim”, tha Kurti.

“Ky mocion mosbesimi synon ta lë popullin pa qeveri, atë qeveri që ata e kanë votuar. Për bindjen time të fuqishme motori për të shkakruar qevrinë nuk ka të bëjë as shkarkimin e minstrit Veliu e as me tërheqjen e trupave amerikane, por ka të bëjë asgjë më pak me një marrveshje të gatshme për shkëmbim territorial midis Kosovës dhe Sebrisë, ky është motorri që po e shkakton këtë nxitim në Kosovë”, tha Kurti

Kurti shtoi se ‘ky pazar presidencial e kërkon rrëzimin e qeverisë’.

“Motori i kësaj është si të largohet kjo qeveri në mënyrë që t’i hapet shpalljes së gjendjes së jashtzakonshme dhe pazarit të gatshëm për shkëmbim territorial”, tha Kurti.

Kurti shtoi se nuk është ideja të hiqet tarifa doganore ndaj Serbisë dhe të fillojnë negociata, por sipas tij, ideja është të hiqet tarifa dhe të publikohet marrëveshja me Serbinë.

“Por në këto pazare presidenciale të dëmshme dhe të rrezikshme nuk mund të më kenë mua si bashkëpunëtor dhe meqenëse jam në këtë pozitë të kryeministrit nuk është e mundur që ato të bëhen”, tha Kurti.

Mocioni për mosbesim të Qeverisë të udhëhequr nga Grupi Paralamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës është mbështetur nga partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe Lista Serbe.

Ndërkohë që thirrja e kësaj seance në kohën e pandemisë së COVID-19 është vlerësuar në forma të ndryshme nga SHBA-ja dhe disa vende evropiane.

Përderisa ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett ka shkruar në Twitter se është i kënaqur të shoh kuvendin që ka vendosur të mbajë seancë, ministritë e jashtme të Francës dhe Gjermanisë i kanë kërkuar LDK-së të heq dorë nga mocioni dhe seanca.

Mustafa u jep sqarime Francës dhe Gjermanisë për mocionin

Pas demarshit të Francës dhe Gjermanisë, drejtuar LDK-së që të heq dorë nga mocioni, ka reaguar lideri i saj, Isa Mustafa duke thënë se bashkëpunimi me Gjermaninë dhe Francën sikurse edhe me vendet e tjera të Bashkimit Evropian është me rëndësi themelore për LDK-në dhe për Kosovën.

“Kosova ka gëzuar përherë përkrahje të fuqishme të këtyre vendeve. Prandaj edhe e mirëkuptojmë brengën e tyre për situatën aktuale në Kosovë.
LDK ka bërë të gjitha përpjekjet ta bindim partnerin tonë të koalicionit për bashkëpunim me mirëkuptim por nuk kemi arritur. Në vend të kësaj ka bërë vazhdimisht veprime të njëanshme dhe për LDK-në të dëmshme”, ka shkruar Mustafa.

https://www.facebook.com/IsaMustafaKS/posts/2795785693820983

Në seancën e sotme mediat dhe mysafirët nuk do të jenë të pranishme, pasi në hapësirat e tyre do të vendosen deputetët për të respektuar distancën mes njëri-tjetrit pas situatës së krijuar me koronavirusin e ri.

Në hapësirat e Kuvendit të Kosovës është bërë dezinfektimi dhe deputetët që në hyrje të sallës ku do të mbahen seanca, do të kontrollohen në mënyrë të detajuar.

Partnerët e koalicionit gjatë këtyre muajve të bashkëqeverisjes kanë pasur vazhdimisht mosmospajtime.

Kriza qeveritare, për shkak të mospajtimeve ndërmjet dy partive të koalicionit, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike erdhi në kohën kur e gjithë bota, përfshirë edhe Kosova, po ballafaqohet me luftën kundër koronavirusit të ri.

Mospajtimet të mëdha mes LDK-së dhe Vetëvendosjes dolën në shesh në lidhje me shfuqizimin e tarifës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, masë kjo që ishte vendosur nga qeveria e kaluar e Kosovës, e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Pas thirrjeve nga SHBA-ja dhe BE-ja që tarifa të shfuqizohet, kryeministri Kurti mori vendim që ta heqë pjesërisht atë, duke nisur me lirimin nga tarifa të lëndës së parë që importohet nga Serbia. Por, kjo masë ishte e pamjaftueshme për LDK-në e cila kërkoi që tarifa të hiqet plotësisht.

Finalja e kësaj krize nisi me një deklaratë të ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu pasi ai doli në favor të dekretit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, masë kjo që u kundërshtua nga kryeministri Kurti.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i kërkoi Kurtit ta anulojë vendimin, në të kundërtën, ai paralajmëroi këtë mocion të mosbesimit të qeverisë Kurti.

Të fundit