E enjte, 8 Dhjetor, 2022

SHBA e konsideron të pamjaftueshëm vendimin e Kurtit për taksën

Qeveria amerikane i ka konsideruar të pamjaftueshme masat e marra nga Qeveria e Kosovës për heqje të tarifës 100 për qind në lëndën e parë në prodhimet e importuara nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.

Një burim brenda Qeverisë së Shteteve të Bashkuara ka thënë me shkrim për Radion Evropa e Lirë se vendimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti shihen si mënyrë për të blerë kohë.

“Kjo nuk është e mjaftueshme për SHBA-në. Pse të presim? Kjo duket sikur mënyrë për të blerë kohë. Qëndrimi ynë është se tarifat duhet të largohen plotësisht sepse ato dëmtojnë ekonominë e Kosovës”, ka thënë ky zyrtar amerikan.

Kjo deklaratë vjen pas vendimit të marrë të premten nga Qeveria e Kosovës për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar në Facebook se “u votua me 10 vota për dhe 2 abstenime vendimi për të liruar nga tarifa 100% importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina”.

Kuri mes tjerash ka thënë se deri më 1 prill Qeveria e Kosovës do të nxjerrë një vendim tjetër për vënien e masave të reciprocitetit në vend të tarifës 100%.

Të fundit