E enjte, 8 Dhjetor, 2022

Lufta e përhershme në mes të mirës dhe të keqes

Autor: Sefer Selimi Jr. 

Dhe për një çast bota heshti. Rrugët e zhurmshme të metropoleve botërore u zbrazën për t’ia lënë vendin pasigurisë dhe të panjohurës. Qepenët e shitoreve që kishin vite pa u mbyllur u puthën pas shumë kohësh me drynin e dritat e vitrinave që kishin luftuar për vëmendjen e kalimtarëve iu dorëzuan errësirës. Bota rrëshqiti drejt qetësisë së zhurmshme të lutjeve dhe shpresës. 

Njerëzimi është kalitur nga kriza të mëdha që e definojnë trajektoren historike dhe rimodelojnë të ardhmen. Mbijetesa dhe adaptimi janë instinktet më të fuqishme që i kanë mundësuar species tonë të vendos dominancën mbi planetin Tokë duke u zvarritur për miliona vite nga shpellat në pallatet e larta që prekin qiellin. Ne kemi mbijetuar edhe atëherë kur të gjitha shanset kanë qenë kundër nesh andaj do të mbijetojmë edhe kësaj radhe kur jemi në luftë me një armik të vjetër – epideminë.   

Por në këtë luftë që armiku ka ushtarë të padukshëm ne nxjerrim në shesh karakterin tonë duke vënë në luftë të drejtpërdrejtë të mirën me të keqen përmes betejave paralele të arsyes dhe nonsensit, solidaritetit dhe babëzisë, inteligjencës dhe sharlatanizmit – një luftë që kurrë nuk ka rreshtur, por që në këtë kohë ka tjetër kuptim. Triumfi i njërës apo tjetrës do të jetë përcaktues për çmimin që do ta paguajmë, nëse do të kemi një fitore si të Piros apo një fitore të pastër me humbje të paevitueshme. Dhe po, flasim për humbje në jetë njerëzish. 

Lufta mes të mirës dhe të keqes është një luftë hyjnore, e vazhdueshme dhe e përjetshme. Këtu karakteret ligështohen nga urrejtja, smira e inati dhe për të qenë në epërsi në këtë luftë të pafund që ngjanë si përpjekja e Sizifit duhet pasur besim të palëkundur, të ushqesh dashuri shpesh herët të verbër dhe të sakrifikosh nga vetja. Besim të palëkundur që do bëhet mirë, një ide që shpesh herë është utopike por që është e vetmja degë për tu kapur për të mos biesh në humnerën e urrejtjes. Të duash verbërisht, përfshirë edhe armikun e të jesh në gjendje ta falësh pas fitores sepse është e vetmja mënyrë që të mos e luftosh sërish, të paktën për një kohë. Të sakrifikosh nga vetja duke luftuar në një luftë që shumë vetë e shohin nga pozicioni i spektatorit duke bërë tifo herë për Davidin e herë për Goliathin, pa vrarë mendjen se cilat do të jenë pasojat për vetë ata në rast të fitores së njërit apo tjetrit. Megjithatë, kjo betejë do të vazhdoj edhe pas kësaj sfide, me motive të reja e të vjetra, me armiq të vjetër e të rinj sepse është vetë kuptimi i njerëzimit dhe e vetmja luftë që nuk guxojmë ta humbim.  

Në këto kohë pa kohë, kur gjithkush sheh përmes frikës dhe pasigurisë, babëzia sorollatet mbi fatet e njerëzve si çakejtë kur bie mjegulla. Shpirtra të robëruar në vogëlsinë e egoizmit të tyre që presin të kapërdinë ç’të munden nga tragjedia e tjetrit, korba që ushqehen nga kufomat e fatit të trishtë njerëzor dhe që bëhen njësh me armikun në pikun e betejës. Këta janë ata dallaveraxhinjë që hesapin e pazarit ta bëjnë me kandarin e dëshpërimit dhe nevojës, që siç thotë populli edhe gjakun ta pinë me pambuk. Këta oportunistë janë miopë që nuk shohin më larg se interesi i tyre derisa fati i tragjikut njerëzor troket në jetët e tyre dhe për ironi dora e shtrirë drejt tyre është po e njëjta dorë e solidarit, atij që bën diferencën edhe sot. Solidarët janë kalorësit e luftës mes të mirës dhe të keqes dhe në çastet më kritike të një beteje diferencën e bëjnë kalorësit, prandaj kemi nevojë për më shumë të tillë, prandaj kemi nevojë që edhe ne të jemi të tillë. 

 Ajo që më së shumti vuan gjatë situatave të tilla është arsyeja e shëndoshë, një betejë tjetër paralele në luftën mes të mirës dhe të keqes. Nën udhëheqjen e sharlatanëve nonsensi për një moment merr kuptim, transformohet në arsye dhe logjikë. Emocionet tjetërsohen për ta vënë në dyshim edhe atë që gjithmonë e kemi ditur, edhe atë që vetë e kemi parë e dëgjuar. Sharlatanët në momente krize e kanë çastin e tyre për të veshur petkun e famës dhe të rropllasin për konspiracionet imagjinare, për të vërtetat e tyre absolute dhe sekretin që vetëm ata e dinë. Dhe për një moment ata kanë të drejtë sepse instinkti i vetëmbrojtës është i kurdisur për të identifikuar armikun, e kur armiku është i padukshëm duhet shpikur gjithmonë një i tillë. Në fund të kësaj beteje sharlatanët do të harrohen dhe mbamendja kolektive do ti flak anësh deri në krizën e radhës, atëherë kur momenti i tyre do të vijë sërish. 

Ashtu si edhe në të kaluarën edhe kësaj radhe do të triumfojmë por kjo fitore do të varet nga gjithsecili prej nesh. Fatkeqësisht kësaj radhe nuk mund të zgjedhim të rrimë anash dhe të bëjmë tifo nga larg sepse të gjithë jemi të përfshirë ndërkohë që atë që mund ta zgjedhim është në cilën anë do të rreshtohemi dhe kjo është e vetmja zgjedhje që varet prej nesh. /KDP 

 

Të fundit