E enjte, 8 Dhjetor, 2022

SHPALLET GJENDJA E JASHTËZAKONSHME: ÇFARË DO TË THOTË KJO?

Presidenti i Republikës, Stevo Pendarovski, shpalli sot pasdite gjendjen e jashtëzakonshme duke e ngarkuar qeverinë me kompetenca të mëdha për ta menaxhuar krizën e virusit korona. Më herët gjatë ditës, kryeministri teknik Oliver Spasovski kërkoi nga Parlamenti dhe presidenti i shtetit shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, për t’u përballur në mënyrë sa më efikase me pandeminë, njofton KDP.

Sipas tij, për shkak të pamundësisë së mbledhjes së kuvendit, që tashmë është shpërndarë, shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme mund ta bëjë presidenti, Stevo Pendarovski.

“Kërcënimi për përhapjen masive të virusit kërkon masa radikale. Vetëm me gjendje të jashtëzakonshme, qeveria do të mund të përballet me përshkallëzimin e situatës me virusin, të ndihmojë qytetarët, kompanitë dhe shtetin në përgjithësi që të kalojnë këtë gjendje të rëndë”, tha Spasovski.

Nga ana tjetër, lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski thotë se ka dyshime se mund të keqpërdoret pushteti i koncentruar te një person.

“Unë kërkova shpalljen e gjendjes së krizës sepse qëndron më lart në nivelin e seriozitetit të veprimit, cilësisë dhe fleksibilitetit të menaxhimit me pasojat e virusit korona për dallim prej zbatimit të gjendjes së jashtëzakonshme me të cilën gjithë pushteti përqendrohet në duart e një njeriu dhe do të pajtoheni se kjo nuk është aq demokratike. Por kjo, edhe në këtë rast është sekondare. Primare është shëndeti i qytetarëve dhe veprimi urgjent. Kjo do të hapë mundësinë e miratimit të masave me fuqinë e ligjit të cilat do të mund të keqpërdoren dhe është gjendje e cila është pse është kushtetuese, nuk është e definuar qartë me ligj”, ka thënë ai.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në deklaratë për MEDIAL-n thotë se e pret propozimin e kryetarit të Qeverisë teknike, Oliver Spasovski që do t’ia dërgojë presidentit të vendit i cili ka kompetenca për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme në shtet.

Xhaferi e ndan mendimin me ekspertë të caktuar se pas vetëshpërndarjes de shpalljes së zgjedhjeve Parlamenti nuk mund të thirret sërish.

Zgjedhjet sipas kryetarit të Kuvendit do të shtyhen me dekret nga ana e Qeverisë, në bazë të nenit 126 të Kushtetutës.

Çka parashikon Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut në rastin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme? KDP u sjell nenet që rregullojnë këtë situatë:

Neni 54

Liritë dhe të drejtat e njeriut e të qytetarit mund të kufizohen vetëm në rastet e përcaktuara me Kushtetutë.

Liritë dhe të drejtat e njeriut e të qytetarit mund të kufizohen gjatë kohës së gjendjes së luftës ose gjendjes së jashtëzakonshme sipas dispozitave të Kushtetutës. Kufizimi i lirive dhe të drejtave nuk mund të jetë diskriminues në bazë të gjinisë, racës, ngjyrës së lëkurës, gjuhës, fesë, prejardhjes kombëtare ose sociale, pozitës
pronësore ose shoqërore.

Neni 125

Gjendja e jashtëzakonshme paraqitet kur ndodhin fatkeqësi të mëdha natyrore ose epidemi.
Ekzistimin e gjendjes së jashtëzakonshme në territorin e Republikës së Maqedonisë ose të një pjese të saj e cakton Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës, Qeverisë ose së paku të 30 deputetëve.
Vendimi me të cilin caktohet ekzistimi i gjendjes së jashtëzakonshme merret me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve dhe vlen më së shumti 30 ditë.
Nëse Kuvendi nuk mund të mblidhet, vendimin për ekzistimin e gjendjes së jashtëzakonshme e merr Presidenti i Republikës dhe ia paraqet Kuvendit për konfirmim sapo ai të ketë mundësi të mblidhet.

Neni 126

Në rast të ekzistimit të gjendjes së luftës ose gjendjes së jashtëzakonshme Qeveria në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjin miraton urdhëresa me fuqi ligjore.
Autorizimi i Qeverisë që të miratojë urdhëresa me fuqi ligjore zgjat deri në përfundimin e gjendjes së luftës ose gjendjes së jashtëzakonshme, për të cilën vendos Kuvendi.

Neni 127

Gjatë kohës së gjendjes së luftës, nëse Kuvendi nuk mund të mblidhet, Presidenti i Republikës mund ta emërojë dhe shkarkojë Qeverinë dhe të emërojë dhe shkarkojë funksionarë, zgjedhja e të cilëve është në kompetencë të Kuvendit.

Neni 128

Mandati i Presidentit të Republikës, Qeverisë, gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor Republikan vazhdohet për aq kohë sa zgjat gjendja e luftës ose gjendja e jashtëzakonshme.

Të fundit