E enjte, 8 Dhjetor, 2022

Koalicioni qeverisës drejt krizës

Një deklaratë e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu në favor të dekretit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, është pasuar me vendimin për shkarkimin e tij, nga ana e kryeministrit, Albin Kurti.

Por, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili i kërkoi Kurtit ta anulojë vendimin, në të kundërtën, gjithë kjo situatë, sipas tij, mund të çojë në prishjen e koalicionit.

Kriza eventuale qeveritare për shkak të mospajtimeve ndërmjet dy partive të koalicionit, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike po vjen në kohën kur e gjithë bota, përfshirë edhe Kosova, po ballafaqohet me luftën kundër koronavirusit të ri. Gjendja është treguar alarmante, andaj edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur gjendje pandemie.

Në një njoftim për media nga Zyra e kryeministrit Kurti thuhet se Veliu, për televizionin Klan Kosova, “u deklarua kundër qëndrimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme” për shkak të situatës me koronavirus dhe se Veliu ka përhapur panik, duke thënë se “numri i të prekurve po rritet prej ore në orë”.

Sipas Kurtit, “as Ministria e Shëndetësisë e as Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk kanë thënë se numri i të infektuarve me COVID-19 po rritet nga ora në orë”.

Përmes deklaratave të bëra publikisht, “por jo edhe të mbështetura me qëndrime të tij në mbledhje të brendshme”, Veliu ka “dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë”, thuhet në njoftimin e zyrës së Kurtit.

“Në këto rrethana, jam i detyruar të veproj, andaj edhe kam vendosur të shkarkoj z. Veliu nga detyra e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike”, tha Kurti, duke shtuar se deri në zgjedhjen e ministrit të ri, detyrën do ta kryejë zëvendësministri aktual, Xhelal Sveçla.

Në anën tjetër, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se shkarkimi i Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm të Kosovës është “i papranueshëm”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi të mërkurën se ka shkarkuar Veliun, për shkak të, siç tha, deklaratave kundër qëndrimit të tij mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe për “përhapje të panikut”, në lidhje me rastet me koronavirus.

Mustafa, kryetar i partisë partnere në koalicionin qeverisës, kërkoi nga Kurti që të anulojë vendimin për shkarkimin e Veliut.

“Kjo është shkelje e marrëveshjes së koalicionit. Me marrëveshje kemi përcaktuar se ministrat mund të shkarkohen nga kryeministri në konsultim me kryetarin e subjektit politik me të cilin është bërë koalicioni, bazuar në një arsyetim që e pranon kryetari i LDK-së. Si kryetar i LDK-së nuk jam konsultuar nga kryeministri dhe aq më pak i pranoj arsyet e tij të bëra publike”, shkroi Mustafa në një postim në Facebook.

“Veprimet e njëanshme të kryeministrit janë të dëmshme dhe të papranueshme dhe çojnë në prishje të koalicionit”, shtoi ai.

https://www.facebook.com/IsaMustafaKS/posts/2780638425335710

Mustafa kërkoi nga Kurti që të marrë vendim edhe për heqjen e taksës ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnja deri në fund të javës.

Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë hap të guximshëm dhe të heqë tarifat ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Kosova u ka vënë taksë 100% këtyre importeve qysh në fund të vitit 2018.

“Në rastet si këto, bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar është thelbësor. Është koha që Kosova dhe fqinjët t’i ndërpresin pengesat për qarkullimin e lirë të mallrave”, thuhet në një deklaratë të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, të postuar në Twitter.

Të martën, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka propozuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, ku aktualisht 19 persona janë të prekur me koronavirus.

Qeveria e Kosovës, përmes zëvendëskryeministrit Haki Abazi, ka thënë se këtë propozim e konsideron si masë ekstreme.

Qeveria Kurti është votuar më 3 shkurt, 2020.

Agim Veliu ka hequr dorë nga posti i kryetarit të Podujevës, për t’u bërë ministër, duke e çuar këtë komunë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Veliu mban postin e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës – parti partnere në koalicionin qeverisës.

Të fundit