Përplasje brenda koalicionit rreth taksës

Partitë e koalicionit qeverisës në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, sërish kanë shprehur qëndrime të ndryshme sa i përket heqjes së taksës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha sot se ende nuk e ka bindur LDK-në që ta heqë taksën pjesërisht, ashtu siç ka paralajmëruar ai.
Kurti, në fund të shkurtit kishte paraqitur një plan për heqjen e taksës. Ai kishte thënë se nga 15 marsi, taksa do të hiqej për lëndën e parë. Megjithatë, ky plan i kryeministrit nuk u shndërrua në vendim të qeverisë që ai udhëheq.
“Ende nuk kam arritur ta bind partnerin tonë të koalicionit qeverisës, LDK-në, për atë që vetë jam i bindur: zëvendësimi gradual i tarifës me reciprocitetin është mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme”, tha Kurti.
Dy kërkimfaljeTë nderuar qytetarë,Sot, me datë 15 mars 2020, është dashur që të hiqet tarifa 100% në lëndën e parë…
Gepostet von Albin Kurti am Sonntag, 15. März 2020
I menjëhershëm ishte reagimi i zëvendëskryeministrit të parë, Avdullah Hoti nga LDK-ja. Ai tha se taksa duhet të hiqet menjëherë, e pa kushte, ashtu siç po kërkojnë Shtetet e Bashkuara, duke porositur që të mos bëhen taktizime politike me “partneritetin tonë me SHBA-n”.
“Vëmendja e jonë duhet të jetë në menaxhimin e situatës së krijuar nga Covid-19, e jo në lojëra politike që çojnë në DISTANCIM të SHBA-së nga Kosova, siç ka nisur me bllokimin e fondeve të MCC-së për Kosovë, të nënshkruara nga Qeveria Mustafa”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Taksa duhet të hiqet SOT, MENJËHERË, PLOTËSISHT. Nuk ka vend për taktizim politik me partneritetin tonë me ShBA.Lojërat…
Gepostet von Avdullah Hoti am Sonntag, 15. März 2020
Në planin e Kurtit, taksa për lëndën e parë do të duhej të hiqej më 15 mars. Ai kishte deklaruar se nëse Serbia ndalë fushatën për çnjohje dhe zotohet për heqjen e barrierave jotarifkore, nga 1 prilli, taksa do të hiqej për një periudhë 90 ditëshe. Nëse Serbia nuk i përmbahet këtyre zotimeve, sipas Kurtit, nga 15 qershori, do të rivendosej taksa 100 për qind dhe do të zbatohet parimi i reciprocitetit.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar këtë plan, duke kërkuar heqjen e taksës pa kushte. Madje, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell e kishte cilësuar “gabim serioz” nëse Kosova heqë taksën pjesshëm, ashtu siç ka propozuar Kurti.
Zyrtarët në SHBA po ashtu paralajmëruan tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova, nëse qeveria në Prishtinë nuk heq taksën pa kushte.
Ishte senatori amerikan, David Perdue, i cili tha se nëse Kosova nuk heq taksën, SHBA-ja duhet ta shqyrtojë mundësinë e tërheqjes së trupave nga Kosova.
“Për më shumë se dy dekada, forcat amerikane kanë ndihmuar në ruajtjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Tani, me përparimin e bërë historik, Kosova duhet të bëjë pjesën e vet dhe të shfuqizojë të gjitha tarifat e vendosura ndaj Serbisë. Nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqe, atëherë SHBA. duhet të rishqyrtojë praninë e saj atje”, ka shkruar a senatori Perdue.
For over two decades, US forces have helped keep the peace between Kosovo & Serbia. Now, with historic progress in sight, Kosovo must do its part & abolish all duties imposed on Serbia.
If Kosovo is not fully committed to peace, then the US should reconsider its presence there.
— David Perdue (@sendavidperdue) March 10, 2020
Kjo deklaratë e senatorit Perdue u mbështet nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell dhe nga zyrtarë të tjerë amerikanë.
Po ashtu, Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA-së (MCC), konfirmoi më 13 mars se ka pezulluar programe të zhvillimit ekonomik për Kosovën.
“Pozicioni i Shteteve të Bashkuara lidhur me tarifat e Kosovës ndaj mallrave nga Serbia është i qartë. Heqja e këtyre tarifave do të përmirësojë ekonominë e Kosovës dhe do të ndihmojë në uljen e varfërisë përmes rritjes ekonomike. Derisa të zgjidhet çështja e tarifave të Kosovës, MCC do të pezullojë programet e saja në Kosovë”, është thënë në njoftim.
MCC ka thënë se “vendimi për të vazhduar me programet varet nga veprimet e Qeverisë së Kosovës”.
Më herët, REL ka raportuar se një nga programet e pezulluara nga MCC-ja është ai në vlerë prej rreth 50 milionë dollarë amerikan. Ky program tanimë i pezulluar ishte fokusuar në reformat e dy fushave më kritike të identifikuara si pengesa për zhvillim në Kosovë, siç janë: mungesa e qëndrueshmërisë së energjisë elektrike si dhe dobësitë dhe mangësitë reale në sundimin e ligjit.
Taksa 100 për qind u vendos në nëntor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës, që atëbotë udhëhiqej nga Ramush Haradinaj. Kjo taksë është vlerësuar si pengesë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi kjo e fundit ka refuzuar që të kthehet në tavolinën e bisedimeve pa u hequr taksa.