E premte, 7 Tetor, 2022

PËRGJEGJSHMËRIA POLITIKE DHE PAPËRGJEGJSHMËRIA SHOQËRORE

Autor: Xhelal Neziri 

Shpërthimi i virusit COVID-19 ua prishi të gjitha strategjitë zgjedhore partive politike në Maqedoninë e Veriut. Fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit po kalon nën hijen e frkës nga ky lloj mikroorganizmi, i cili në dhjetor të vitit të kaluar u paraqit në Kinë që sot të jetë përhapur në tërë botën.

Numri i të prekurve vazhdon të rritet me intensitet në vendet ku është i pranishëm, sidomos në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kroaci. Mungesa e masave adekuate mbrojtëse, – siç është izolimi dyjavor i personave që udhëtojnë në vendet me rrezik nga infektimi dhe ndaljen e përkohshme të komunikimeve me ato shtete – ka sjellë që numri i të testuarve pozitivë me koronavirus të rritet dita ditës. Ende nuk dihet se sa mund të jetë numri i të infektuarve asimptomatikë, pra të cilët ende janë në fazën e inkubacionit.

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut të enjten kumtuan se do ta përshtatin fushatën e tyre konform zhvillimit të gjendjes me virusin. Kjo nënkupton anulimin e mitingjeve masovike dhe transformimin e tërësishëm të fushatës parazgjedhore. Lideri i BDI Ali Ahmeti, i ASH Ziadin Sela, i LSDM, Zoran Zaev dhe i VMRO-DPMNE Hristian Mickovski me këtë dëshmuan pjekuri politike dhe gatishmëri për të vënë shëndetin e njerëzve para interesit zgjedhor.

Zhgënjyese dhe e frikshme në këtë moment është papërgjegjshmëria e një pjese të mirë të popullatës të cilët ende nuk e kuptojnë seriozisht situatën. Ata nuk e dinë se Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur Pandemi 102 vjet pas asaj të fundit, që mori milionë jetë njerëzish. Pandemia e fundit është regjistruar në vitin 1918. Në pranverën e atij viti u lajmërua në versionin e butë – sikurse tash coronavirusi, – që në shtator të pësojë mutacion e të kthehet i ashpër duke i vrarë njerëzit brenda një dite. Mori emrin Gripi Spanjoll, por origjina besohet të jetë sërish Kina. Epilogu ishte një e treta e popullsisë botërore e infektuar, 20-50 milionë të vdekur (5% e popullsisë së përgjithshme botërore në atë kohë) dhe pasoja të tmerrshme ekonomike. Ilaçi nuk iu gjet! U zhduk me izolimin në shtëpi!

Sot kur SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia, Spanja, Kina, Bullgaria…kanë ndezur alarmin për rrezikun që sjell COVID-19, “ekspertët” e kafeneve ende besojnë se ky është një komplot i illuminatit, masonerisë, Amerikës apo Kinës. Kështu gjejnë arsye për ta larguar frikën e për t’u sorollatur pa nevojë jashtë shtëpisë në kohën kur ka një tentim për t’i dhënë një përgjigje globale kësaj pandemie. Këto njerëz, në fakt, mbajnë gjallë rrezikun nga përhapja e mëtejshme e virusit pasi paraqesin kanal potencial për bartjen e tij nga personat e infektuar në ato të shëndoshë. As krerët fetarë nuk morën guximin të ndërpresin lutjet në objektet e kultit, duke e bërë kështu rrezikun edhe më të madh.

Nëse vazhdohet me këtë papërgjegjshmëri kolektive, nuk është larg dita kur në spitale nuk do të ketë shtretër për kurim kurse doktorët do të duhet të vendosin se kujt t’ia shpëtojnë jetën shkaku i mungesës së aparaturave për oksigjen. Maqedonia e Veriut nuk është as Kinë për të ndërtuar spitale për 5 ditë, e as Itali për të siguruar kushte optimale për të prekurit.

Pra, në këtë rast kemi një elitë politike të përgjegjshme dhe një pjesë të madhe të qytetarëve të papërgjegjshëm. Nëse do të vazhdohet me këtë injorim të rekomandimeve zyrtare për izolim në shtëpi, atëherë situata lirisht mund të dalë jashtë kontrollit në formën e rritjes drastike të të infektuarve dhe pamundësisë së sistemit shëndetësor për t’i trajtuar të gjithë. Nëse ky skenar bëhet realitet, atëherë do të ishte e pamundur dhe jashtë arsyes së shëndoshë që të organizohen zgjedhjet parlamentare.

Në këtë periudhë është e nevojshme që partitë politike të punojnë intensivisht me anëtarësinë që të vihen në funksion të mposhtjes së kësaj pandemie, e jo të përhapjes. Vetëm më këtë mënyrë do të mund të sigurojnë një situatë të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve dhe vijim të jetës normale.

Të fundit