E enjte, 8 Dhjetor, 2022

GRIPI SPANJOLL DHE CORONAVIRUSI: LEKSIONET QË DUHET MËSUAR NGA PANDEMIA E FUNDIT GLOBALE

Autor: The Economist 

Ndërsa dolën lajmet për përhapjen globale të sëmundjes së koronavirusit (COVID-19), tregjet globale financiare reaguan në mënyrë pesimiste dhe silleshin në mënyra që nuk u panë që nga kriza financiare e vitit 2008. Por të kuptuarit e plotë të ndikimit të mundshëm ekonomik të virusit i cili çon në këtë sëmundje mbetet i vështirë – sepse përhapja e një sëmundjeje në këtë shkallë është e paparë në botën moderne.

Paralelja më e afërt është pandemia e gripit të vitit 1918, e njohur gjerësisht si gripi spanjoll (sepse u raportua për herë të parë në gazetat spanjolle). Cilat janë mësimet nga kjo pandemi historike për politikëbërësit sot?

Gripi i 1918 ishte pandemia e fundit e vërtetë globale, fuqia e saj u përkeqësua në një epokë para ekzistencës së organeve ndërkombëtare të shëndetit publik, siç është Organizata Botërore e Shëndetit. Rreth një e treta e popullsisë së botës kapi këtë infeksion akut të traktit respirator.

Vlerësimet thonë se numri i vdekjeve shkoi në 20 milionë  njerëz, por mund të ketë qenë më shumë se 50 milionë pasi nuk kishte evidencë të saktë në tërë globin. Për krahasim, nëntë milionë njerëz vdiqën në luftime gjatë tërë luftës së parë botërore.

Rreth 2-3% e atyre që kapën këtë virus ARN përfunduan me vdekje, por pjesa më e madhe e vdekshmërisë ishte rezultat i komplikimeve – siç është pneumonia – sesa vetë gripi. Kishte disa valë gripi dhe shumica e vdekjeve ndodhën brenda një jave nga çdo shpërthim. Përhapjet e fundit, në 1919, ndodhën një vit pasi u identifikua sëmundja për herë të parë.

Pandemia është përhapur globalisht për shkak të grupit të veçantë të rrethanave në të cilat u ngrit së pari. Lufta e parë botërore sapo kishte mbaruar dhe ushtritë e tëra po demobilizoheshin, duke u kthyer në shtëpi me sëmundjen. Infektimet janë përhapur përgjatë rrugëve kryesore të transportit.

Pjesa më e madhe e popullsisë në botë ishte tashmë e dobët dhe e ndjeshme ndaj sëmundjeve për shkak të dëmeve të kohës së luftës, veçanërisht në Gjermani. Për t’i bërë gjërat më keq, kishte një mungesë në transparencë dhe pak koordinim të politikave. Censura e mediave të kohës së luftës ishte akoma në fuqi dhe qeveritë ishin të preokupuara me planifikimin për paqen.

Ata që vdiqën ishin zakonisht në kulmin e jetës së tyre, midis moshës 15 dhe 40 vjeç. Përveç këtyre vdekjeve, ekspozimi ndaj gripit pati pasoja serioze të përhershme të shëndetit fizik dhe mendor për shumë të mbijetuar, sidomos te të rinjtë. Kishte gjithashtu pasoja të menjëhershme dhe afatgjata për ekonominë.

Popullsitë urbane rezultuan veçanërisht të ndjeshme ndaj kësaj tendence gripi, pjesërisht për shkak të ndotjes. Studiuesit kohët e fundit zbuluan se shumë më shumë njerëz vdiqën në qytetet më të ndotur në 1918 në krahasim me zonat urbane më pak të ndotura, duke sugjeruar një lidhje të drejtpërdrejtë midis ndotjes së ajrit dhe infeksionit të gripit.

Pasojat ekonomike

Pasojat e menjëhershme ekonomike të vitit 1918 rrodhën nga paniku që rrethon përhapjen e gripit. Qytetet e mëdha të SH.B.A.-së, përfshirë Nju Jorkun dhe Philadelphia, në thelb u mbyllën përkohësisht pasi popullsitë e tyre u prekën nga virusi. Ashtu si në Itali tani, bizneset u mbyllën, ngjarjet sportive u anuluan dhe tubimet private – përfshirë funeralet – u ndaluan me qëllim që të frenojnë përhapjen e sëmundjes.

Pasojat ekonomike të pandemisë përfshinë mungesën e punës dhe rritjen e pagave, por edhe përdorimin e shtuar të sistemeve të sigurimeve shoqërore. Historianët ekonomikë nuk bien dakord për një figurë kryesore për PBB-në e humbur, sepse efektet e gripit janë vështirë të ndahen nga ndikimi konfuz i luftës së parë botërore.

Pasojat afatgjata u treguan të tmerrshme. Një pjesë e madhe e shëndetit dhe aftësisë mendore te të rriturit përcaktohej përpara se të lindnin. Hulumtimet kanë treguar që grupi i lindur nga gripi kishte arritje më të ulët arsimore nga mosha e rritur, përjetoi ritme të rritjes së aftësisë së kufizuar fizike, gëzonte të ardhura më të ulëta të jetës dhe një status socio-ekonomik më të ulët se ata të lindur para dhe pas pandemisë së gripit.

Tre mësime nga e kaluara

Mësimet nga 1918 janë të rrepta. Së pari, reagimi i shëndetit publik ndaj përhapjes së sëmundjes duhet të përqëndrohet në kontrollin. Arsyeja pse pandemia e 1918 rezultoi në kaq shumë vdekje ishte se aq shumë njerëz kapën sëmundjen në radhë të parë.

Ata ishin të ekspozuar sepse politikëbërësit nuk arritën të ndalojnë përhapjen. Në të vërtetë, veprimet e tyre ndihmuan në përhapjen e gripit më gjerësisht. Riatdhesimi i trupave në vendet e tyre të origjinës ishte ndoshta fajtori kryesor.

Politika e kontrollit të sëmundjes së transmetueshme funksionon. Studiuesit zbuluan se qytetet amerikane që zbatuan përpjekje për të zvogëluar kontaktin infektues midis njerëzve në fillim të shpërthimit të vitit 1918, kishin nivele të konsiderueshme më të ulëta të vdekjes sesa qytetet që më vonë do të zbatonin politika të përmbajtjes së sëmundjeve.

Mësimi i dytë është se informacioni i mirë është thelbësor për kontrollin e sëmundjeve. Ne nuk mund të lejojmë një ndërprerje të mediave ose, më keq, një fushatë aktive dezinformimi. Tashmë mund të shohim pasojat e tmerrshme të politikave të tilla në Iran.

E vërteta gjithmonë del në shesh – nuk mund të fitohet asgjë nga fshehja e saj. Në të vërtetë, qeveritë duhet të humbasin nëse censura çon në trazira sociale. Shkencëtarët politikë tashmë po spekulojnë për ndikimin politik afatgjatë të manipulimit mediatik të lajmeve të koronavirusit në Kinë.

Përgatitja për skenarin më të keq

Mësimi i tretë është që ne duhet të përgatitemi për pasojat ekonomike dhe njerëzore të virusit dhe të veprojmë për të minimizuar ndikimin e tij. Kjo pandemi është një shok i kërkesës dhe ofertës. Ashtu si sëmundja është shumë ngjitëse, po kështu është edhe kriza ekonomike që shkakton.

Puna e humbur nga zbatimi i 14 ditëve të rekomanduara të izolimit vetëm për raste të dyshuara do të ketë pasoja serioze ekonomike. Mbyllja e rajoneve të tëra apo vendeve, siç u miratua kohët e fundit në Itali, pa dyshim që do të shkaktojë një recesion.

Ulja urgjente e normave të interesit në SH.B.A. dhe në Mbretërinë e Bashkuar duhet të jetë e para nga shumë politika që synojnë zbutjen e ndikimit ekonomik të COVID-19. Masat e reja të politikës fiskale tani duhet të fillojnë gjithashtu. Individët në punë të papaguar me pagë të ulët meritojnë vëmendjen e synuar. Kur kujdesi mjekësor dhe pushimi i sëmurë janë të kushtueshëm, kjo mund t’i detyrojë njerëzit të shkojnë në punë edhe nëse ende mbajnë virusin.

Ashtu si në vitin 1918, njerëzit në zona më të ndotura, urbane, ka të ngjarë të jenë veçanërisht në rrezik. Këto janë popullata që janë tashmë më të ndjeshme ndaj sëmundjeve të frymëmarrjes për shkak të faktorëve mjedisorë. Masat speciale për të ndihmuar këto grupe duhet të merren parasysh.

Dhe foshnjat e lindura tek ata të prekur nga gripi duhet të monitorohen nga afër dhe të hartohen ndërhyrjet përmirësuese. Ne nuk duhet të përqendrohemi vetëm në nivelet e vdekshmërisë së përgjithshme. Ne duhet t’u kushtojmë vëmendje atyre që mbijetojnë nga kjo pandemi, dhe pasardhësve të tyre gjithashtu.

Përktheu dhe përshtati: KDP 

Të fundit