E premte, 7 Tetor, 2022

Fituesit dhe humbësit nga koalicioneve parazgjedhore 

Autor: Sefer Selimi Jr. 

Të ndërtosh bashkëpunim kërkon që palët gjithmonë të sakrifikojnë në emër të atij bashkëpunimi, sakrificë e njohur si kompromis. Gjithçka vjen me një çmim dhe kosto oportune. Tani më kur dihen koalicionet parazgjedhore dhe listat e deputetëve mund të bëhen kalkulimet për humbësit dhe fituesit e këtyre koalicioneve në kampin politik shqiptar. Dy fituesit më të mëdhenj janë nga e njëjta parti e ndarë në dyshë. Lëvizja Besa (LB) e Bilall Kasamit dhe Alternativa (AAA) e Afrim Gashit vetëm para një muaji ishin në luftë për mbijetesë politike, në ndërkohë që sot pas koalicioneve parazgjedhore të dyja jo vetëm që kanë siguruar ekzistencën e tyre por falë partnerëve të koalicionit kanë trefishuar numrin e mundshëm të deputetëve. 

Nëse do të dalin parashikimet e anketave dhe duke i analizuar zgjedhjet e fundit parlamentare dhe ato lokale, LSDM i dhuroi Lëvizjes Besa 5 vende potenciale për deputet në përbërjen e ardhshme parlamentare, në ndërkohë që kalkulimet para koalicionit sugjeronin që e vetme në garë Lëvizja Besa mund të fitonte 1 por në asnjë skenar më shumë se 2 deputet. LSDM nga ky koalicion përfiton në faktorin psikologjik duke u munduar të dëshmoj që votat e shqiptarëve që bënë diferencën në 2016-tën do të derdhen sërish në konton e saj përmes Lëvizjes Besa, një situatë win-win për të dyja partitë. Ky koalicion ka gjasë reale që të fitoj mandatarin për krijimin e qeverisë së ardhshme dhe energjia e Lëvizjes Besa tani më nuk është e koncentruar për mbijetesë në skenën politike por në shënjestrimin e votave nga partitë tjera, kryesisht nga koalicioni Aleancës për Shqiptarët  (ASH) me Alternativën duke përdorur kartën e qeverisjes së sigurt, një strategji që funksionon shpesh kur hidhet faktori psikologjik i të qenurit në një anë me ‘’fituesin’’. 

Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët u mundua ta rris entuziazmin tek votuesit duke tentuar ta bashkojë  opozitën por përfundoi në grackën e Alternativës, një parti që shtrirjen tek votuesit e ka të kufizuar gjeografikisht dhe ideologjikisht. Njëjtë si në rastin e parë, parashikimet pa koalicion për Alternativën nuk tejkalonin 2 deputet, ndërkohë që me koalicionin parazgjedhor në qoftë se dalin parashikimet Alternativa do të fitoj 3 dhe ndoshta edhe 4 deputet në përbërjen e ardhshme parlamentare. Në pazarin politik të koalicionit, Alternativa ruajti bartësit e listave në dy zonat ku potencialisht mund të fitonte deputet, në zonën zgjedhore 1 dhe 2, ndërkohë ka një deputet të sigurt dhe shanse reale për të dytit në zonën e 6 zgjedhore, aty ku qëndron mjaft dobët në elektorat. Megjithatë, fitorja më e madhe për Alternativën është legjitimiteti që ajo do të kërkojë të thithë nga partneri i koalicionit për ideologjinë sociale konservatore të kombinuar me dogmën fetare, koncept i cili është sfiduar pikërisht nga Aleanca për Shqiptarët në zgjedhjet e 2016. 

Si përfundim, humbësi më i madh nga koalicionet parazgjedhore është Aleanca për Shqiptarët e cila, edhe sikur të fitojë zgjedhjet dhe të jetë pjesë e qeverisë, nuk do ta ketë shansin e plotë për të sjell ndryshimin të cilin e proklamon, por do të duhet të bëj kompromis me principet dhe njerëzit e saj, një shans që rrallë jepet për së dyti. 

Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) vazhdon luftën e brendshme për ndryshim gjeneratash – një luftë të cilën nuk do të arrij ta fitoj për sa kohë ndryshimi nuk fillon nga kreu, lideri i tyre Ali Ahmeti. BDI tani është para sfidave për të ndërtuar koalicionet e brendshme duke ‘’rehatuar’’ gardën e vjetër dhe t’i mobilizojë ata që të përkrahin deputetët e rinj, një sfidë që rënd tejkalohet pa kompromise të dhimbshme, kompromise që e përgjysmuan dhe kërcënojnë ta përgjysmojnë edhe një herë në të ardhmen.    

Të fundit