E enjte, 8 Dhjetor, 2022

Ende asnjë rast i konfirmuar, por Kosova pezullon linjat ajrore dhe tokësore me disa vende të Evropës

Ministri i Transportit dhe Ambientit në Qeverinë e Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se ka marrë vendim për pezullimin e përkohshëm të të gjitha linjave ajrore dhe tokësore nga Gjermania, Franca, Zvicra dhe Italia, në përpjekje për të penguar përhapjen e koronavirusit.

Abdixhiku tha se vendimi është vazhdimësi e vendimit të datës 11 mars të Qeverisë së Kosovës për pezullimin e mësimit në shkollat e të gjitha niveleve.

Abdixhiku po ashtu tha se vendimi i tij bazohet në rekomandimin e Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës për zonat me rrezik të mesëm dhe rrezik të lartë.

“Për qëllim të organizimit, vendimi hyn në fuqi 24 orë nga tani; pra nesër, më 13 mars, në ora 15:00”, tha Abdixhiku.

Kosova dhe Mali i Zi aktualisht janë vendet e vetme në Ballkanin Perëndimor që nuk kanë raste të regjistruara me koronavirus.

Koronavirusi besohet se e ka origjinën në Kinë.

Rastet e para atje janë shfaqur në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa më pas janë përhapur edhe në dhjetëra vende të botës.

Aktualisht, numri i personave të infektuar me koronavirus në të gjithë botën është mbi 127 mijë, ndërsa mbi 4,700 pacientë kanë vdekur.

Të fundit