E enjte, 8 Dhjetor, 2022

Merkel: “Solidariteti ynë është në provë”

Për herë të parë, kancelarja Merkel u shpreh gjerësisht mbi krizën e virusit Corona. Ajo tha se kryesorja është të ngadalësohet përhapja e virusit. Merkeli gjithashtu bëri thirrje për përgjegjësi nga të gjithë.

“Virusi ka mbërritur në Evropë, ka ardhur. Të gjithë duhet ta kuptojmë këtë”, tha Angela Merkeli në fillim të konferencës së saj të shtypit. Për aq kohë që nuk është gjetur një vaksinë ose mundësi tjetër terapeutike, një përqindje e lartë e popullsisë do të infektohet me virusin Corona. Ekspertët thonë se nga kjo mund të preken rreth 60 deri në 70 përqind e njerëzve në vend, tha Merkel. Njerëzit e moshuar dhe njerëzit me sëmundje të mëparshme janë veçanërisht të rrezikuar. Prandaj, qasja duhet të “mbajë parasysh që të mos mbingarkojmë sistemin tonë shëndetësor”, tha kancelarja. Në Gjermani, aktualisht nga virusi Corona janë infektuar më shumë se 1200 vetë. Deri tani, kanë vdekur tre vetë nga sëmundja e mushkërive COVID-19.

Veprimet politike duhet të bazohen në ato që thonë shkencëtarët dhe ekspertët, tha kancelarja në një konferencë shtypi me Ministrin e Shëndetësisë Jens Spahn dhe Presidentin e Institutit Robert Koch, Lothar Wieler. Përhapja e virusit së pari duhet të ngadalësohet. “Pra, është fjala që të fitojmë kohë,” tha Merkeli. Mbi të gjitha, duhet të sigurohet që personeli mjekësor të mund të punojë. E rëndësishme është më tej që të funksionojnë të gjitha nivelet e qeverisjes. Nuk është ngjarja më e keqe kur nuk mund të zhvillohen si zakonisht ndeshjet e futbollit. “Atë që është e nevojshme, do ta bëjmë ,” tha Merkeli.

“Të vënë në provë”

Merkel raportoi për samitin e BE, i cili u zhvillua për herë të parë me konferencë me video, për shkak të përhapjes së virusit Corona. Tani është veçanërisht e rëndësishme një koordinim i ngushtë midis partnerëve në Evropë, tha ajo. Komisioni i BE do të krijojë tani një grup ekspertësh me virologë. Vendet e BE-së gjithashtu do të mbështesin studimin dhe zhvillimin e një vaksine. Qeveria në Berlin do të përdorë rreth një miliardë euro për të luftuar virusin Corona. Kësaj i shtohen, 145 milionë euro si pjesë gjermane në rrjetin kërkimor Cepi – një iniciativë ndërkombëtare për studime për vaksinat.

Virusi nuk kalon pa gjurmë edhe në ekonomi, tha Merkeli. Prandaj qeveria federale veproi shpejt. Që këtë javë ajo do të sigurojë mbështetje të aftësisë paguese për kompanitë, veçanërisht përmes Bankës shtetërore Gjermane për Zhvillimin KfW. Krerët e shteteve dhe qeveritë e BE kishin rënë dakord të mbajnë të dyja Paktin e Stabilitetit dhe të Rritjes dhe rregullat e ndihmës shtetërore.

Merkeli i bëri thirrje përgjegjësisë së çdo qytetari që të kujdeset për veten dhe të afërmit e tij. Veçanërisht në lidhje me të moshuarit dhe shtetasit tashmë të sëmurë, ajo tha: “Solidariteti ynë, arsyeja jonë, zemra jonë tashmë është vënë në provë për njëri-tjetrin, të cilën unë dëshiroj ta kalojmë me sukses”.

aud/pgr/fab (dpa, rtr, afp)

Të fundit