E enjte, 8 Dhjetor, 2022

Kosovë: Takime të krerëve politik për të unifikuar qëndrimin për dialog me Serbinë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi po takon udhëheqësit e partive politike kosovare. Sipas tij një qëndrim i unifikuar ndërmjet opozitës dhe pozitës është thelbësor për çështje me interes kombëtar.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, takoi një nga një të hënën (09.03)në takime të veçuara udhëheqësit e partive politike parlamentare, me qëllim të siç tha “informimit, konsultimit dhe koordinimit për çështje të interesit shtetëror”. Në takim presidentit nuk i shkoi, kryeministri i Kosovës Albin Kurti që është edhe kryetar i Vetëvendosjes. Ndërsa u takua me presidentin kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pjesëtar i loalicionit në qeverinë e drejtuar Albin Kurtit.

Pas takimit me Mustafën, presidenti Thaçi, tha se me kreun e LDK-së, Isa Mustafa u pajtuan që të kenë një qëndrim të unifikuar për çështjet kryesore kombëtare. “Takim i shkëlqyer pune me ish-kryeministrin dhe udhëheqësin e LDK-së, z. Isa Mustafa. Ne u pajtuam të kemi një qëndrim të unifikuar për çështjet kryesore kombëtare. I jam mirënjohës z. Mustafa dhe LDK-së që gjithmonë keni qenë konstruktiv në çështjet shtetndërtimit”, shkroi Thaçi në Twitter. Edhe pas takimit me Haradinajn, Thaçi shkroi se kishte një “diskutim konstruktiv me ish-kryeministrin dhe liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai gjithashtu mbështet përpjekjet e Kosovës për qëndrime të unifikuara në çështjet me interes për vendin. E vlerësoj kontributin e tij”, shkroi Thaçi.

Kryeministri Albin Kurti nga ana e tij, refuzoi ta takojë sot presidentin, duke thënë se si kryetar i Vetëvendosjes nuk dëshiron ta takojë Thaçin, ndërsa, si kryeministër e ka për detyrim, por do ta takojë një ditë tjetër.

“Presidenti sot e paska lënë t’i takojë krerët e partive. Si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk kam as interes e as gatishmëri ta takoj presidentin aktual. Si kryeministër e kam obligim. Takohemi një ditë tjetër kur të mbarojë me partitë”, tha kryeministri Kurti.

Ndërkohë, ish-kryeministri Haradinaj tha pas takimit me Thaçin, se “Presidenti dha shpjegime që është biseduar për mundësinë e një marrëveshjeje përfundimtare, por nuk kishte ndonjë dokument. Ia shpjegova faktin që në rast se trajtohet korrigjimi i kufijve ky proces do të jetë i dështuar”, tha Haradinaj.

Presidenti Hashim Thaçi, i paralajmëroi këto takime me udhëheqësit politik në Kosovë pas kthimit të tij nga SHBA-ja, ku në prani të të ngarkuarit për dialogun Kosovës-Serbi, takoi Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Presidenti Hashim Thaçi, me 4 mars kërkoi t’i drejtohet parlamentit rreth takimit në Shtëpinë e Bardhë, por kjo nuk ju mundësua nga kryetarja e parlamentit Vjosa Osmani, e cila tha se duhet kohë për organizmin e seancës, meqë deputetët janë të angazhuar në veprimtari politike të përcaktuara më parë. Megjithatë presidenti foli në një takim me gazetar ku takimin me Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë e cilësoi “si moment të kthesës kritike dhe pozitive që nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara dhe të presidentit Donald Trump, dinamikës dhe mençurisë së ambasadorit Richard Grenell të arrihet marrëveshja përfundimtare me Serbinë në të ardhmen e afërt. Prandaj, sipas presidentit të Kosovës “këtë momentum dhe këtë mundësi nga Uashingtoni duhet ta shfrytëzojnë edhe Kosova edhe Serbia për arritjen e paqes si garanci për paqe në gjithë Ballkanin Perëndimor”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i kërkojnë Kosovës që të heqë tarifat ndaj mallrave të Serbisë të vendosura në nëntor të vitit 2018, masa këto që çuan në pezullimin e bisedimeve, meqënëse Beogradi kushtëzon vazhdimin e tyre me heqjen e tarifave.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që vazhdon të këmbëngulë se Kosova nuk duhet t’i heqë tarifat ndaj Serbisë, hodhi një propozimin për një konferencë të brendshme në Kosovë për të krijuar, siç tha “një konsensus rreth tarifave ndaj mallrave serbe dhe bisedimeve me Serbinë.

“Konferenca do të ishte dy dyditëshe, e përbërë nga kryetarët e partive politike, por ku do t’i ftonim edhe udhëheqësit e dialogut, Amerikën dhe lehtësuesit e dialogut që është Bashkimi Evropian. Kjo konferencë do të mund të krijonte një qëndrim unik me të cilin ia kishim lehtësuar Amerikës arritjen e marrëveshjes për njohje të ndërsjelltë”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Por kjo ide u hodh poshtë menjëherë nga qeveria e Kosovës. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se “Kosova ka institucione legjitime të dala nga zgjedhjet demokratike të 6 tetorit, të cilat bartin përgjegjësitë kushtetuese, përfshirë edhe dialogun me vendin fqinj Serbinë. Nuk ka nevoje për asnjë konferencë të brendshme e as të jashtme për ketë qëllim”, shkroi Hoti të Facebook, duke shtuar se kryeministri duhet të marrë përsipër dialogun ashtu siç e përkufizon edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.

Në Kosovë udhëheqësit politik vazhdojnë të jenë të ndarë rreth tarifave ndaj mallrave serbe heqjen e të cilave po e kërkon me ngulm SHBA-ja përmes të ngarkuarit të Presidentit Tramp për dialogun Richard Grenell. Ky i fundit hodhi poshtë zërat se në takimin në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit është diskutuar për një marrëveshje mbi idenë e ndarjes së Kosovës. Këto zëra i hodhi poshtë edhe presidenti Thaçi duke thënë se “ka interes të madh nga njerëz të caktuar që të prishin procesin e arritjes së një marrëveshjeje finale të paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Prandaj, më lejoni ta përsëris, zëshëm dhe qartë: Jemi duke biseduar për t’i dhënë fund konfliktit një shekullor, me përqendrim në zhvillimin e ekonomisë për një jetë më të mirë për qytetarët tanë dhe njohje të ndërsjellë. Asgjë më shumë, apo më pak”, shkroi Thaci në Twitter duke përsëritur, se “roli i Shteteve të Bashkuara është i domosdoshëm”.

Sidoqoftë, rreth kërkesës amerikane që Kosova të heq tërësisht tarifat ndaj mallrave serbe dhe t’i hapet rruga dialogut, ka përplasje edhe mes partnerëve të koalicionit lëvizjes Vetëvendosja dhe LDK-së. Kryeministri Kurti ka propozuar që nga 15 marsi ta heqë tarifën vetëm për lëndën e parë që vjen nga Serbia, por lideri i LDK-së Isa Mustafa po kërkon që tarifa të hiqet tërësisht ashtu siç po kërkon SHBA-ja në mënyrë që të lëvizet përpara drejt një marrëveshjeje finale Kosovë-Serbi me angazhim të drejtpërdrejt të SHBA-së.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një shkrim për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) shkroi se marrëveshjet e arritura me detyrim dhe kërcënime nuk do të kenë vlerë.

Të fundit