E premte, 7 Tetor, 2022

Lubonja: Pse “antiamerikani” Albin Kurti mund të hapë një epokë të re

Fatos Lubonja ka bërë një shkrim fund e krye anti-amerikan, duke u nisur nga presioni që po ushtrohet ndaj Albin Kurtit, për të tequr taksën ndaj Serbisë dhe për t’u ulur në tryezën e bisedimeve.

Lubonja shkruan për “Panorama” se shqiptarët janë infantilë, ndaj dhe i nënshtrohen SHBA-së.

“Më ka shtyrë ta shkruaj nevoja e reagimit ndaj mënyrës arrogante, me të cilën i ngarkuari nga Trump për dialogun Kosovë–Serbi, ishambasadori në Gjermani, Grenell, kërcënoi qeverinë e sapokrijuar të Albin Kurtit.

Më ka shtyrë edhe më tepër aversioni i akumuluar ndër vite ndaj politikanëve shqiptarë që e kanë ndërtuar legjitimitetin e tyre, duke u bërë shërbyes të bindur e hipokritë të të fuqishmëve, për të abuzuar pastaj në mënyrën më të keqe me popullin e tyre. Albin Kurti ka shumë kundërshtarë në konfliktin që ka krijuar, por ata kryesorët nuk janë as amerikanët si Grenell, Pompeo apo Trump dhe as serbët si Vuçiç e Daçiç, por kategoria e shqiptarëve që përmenda dhe kultura dominante që ata kanë përçuar ndër shqiptarë.

Janë sjelljet dhe qëndrimet e tyre, si në Kosovë edhe në Shqipëri, që kanë bërë që shqiptarët të mbeten infantilë, të mos zhvillojnë dot mendimin kritik dhe bashkë me të edhe personalitetin, dinjitetin dhe ndjenjën e lirisë të vetes dhe bashkësisë, së cilës i përkasin. Ideja se çdo kërkesë amerikane duhet zbatuar pa u vënë në diskutim, madje as në dyshim, e ka folenë në trutë e shqiptarëve dhe jo të amerikanëve.

Edhe mënyra arrogante, me të cilën Grenell kërcënoi një qeveri të sapokrijuar, e ka burimin e parë tek infantiliteti i shqiptarëve”, shkruan Lubonja, i cili vijon më tej, duke thënë se nuk duhet t’iu jemi mirënjohës amerikanëve për çlirimin e Kosovës.

Ai hedh tezën se amerikanët ndërhynë duke bombarduar Serbinë për interesa të tyre, jo për të shpëtuar shqiptarët.

“Së pari: shqiptarët e Kosovës (por edhe të Shqipërisë) duhet të çlirohen nga paradigma, sipas së cilës pa amerikanët nuk do të kishim Kosovën, prandaj duhet t’u jemi përherë mirënjohës deri në nënshtrim. Për këtë le të kthehemi pak në origjinën e kësaj paradigme: bombardimet e NATO-s, e të shtrojmë pyetjen: pse bombarduan amerikanët për interesin tonë apo për interesin e tyre?

Ka shumë të dhëna që tregojnë se, përtej retorikës humanitare, bombardimet u kryen më së pari dhe kryesisht për interesa amerikane.

Ndër opinionet më të përhapura është ai se nëpërmjet këtyre bombardimeve justifikohej ekzistenca e NATO-s edhe pas Luftës së Ftohtë, që sipas marrëveshjes (së pashkruar) me Gorbaçovin, do të shkrihej me shkrirjen e Traktatit të Varshavës, pasi kishte lindur pikërisht për t’iu kundërvënë këtij.

Ndërkaq, intelektuali më i rëndësishëm amerikan, Naom Chomsky, duke cituar një burim tepër serioz, librin e zyrtarit të lartë të administratës amerikane, John Norris, “Collision Course – NATO, Rusia and Kosova” (Kursi i përplasjes, NATO, Rusia dhe Kosova) me parathënie të Strobe Talbot, nënsekretar i Departamentit të Shtetit për Europën Lindore, jep një tjetër version.

Chomsky thotë se, sipas Norris, të cilin Strobe Tablod në parathënie e quan njeriu më i informuar mbi atë se si mendonte në atë kohë administrata e Clinton, bombardimet nuk u kryen për shqiptarët e Kosovës, por pasi Millosheviçi nuk po pranonte ende reformat ekonomiko-sociale që kërkonte Perëndimi për ta futur Serbinë në sferën e influencës së vet.

Fakti që amerikanët nuk kanë ndërhyrë në mbështetje të popujve të tjerë që luftojnë për pavarësi dhe shtetin e tyre, siç është rasti i kurdëve, madje i kanë lënë ata edhe në baltë, siç ndodhi së fundi me vendimin e Trumpit, është një nga provat e shumta se amerikanët venë në radhë të parë interesat e tyre.

Pra, nëse do të pranojmë se amerikanët kanë bombarduar për interesat e tyre, konkluzioni i parë që duhet të nxjerrim është se, ndonëse në këtë rast përfituan edhe shqiptarët, për çka duhet t’u jemi mirënjohës, nuk ka pse ta shohim veten vetëm si mirënjohës kurse amerikanët t’i shohim vetëm si mirëbërës.

Le të mos harrojmë se shqiptarët e Kosovës i paguan edhe me jetët e tyre interesat amerikane pasi në 10 000 shqiptarët e vrarë, 8000 janë pas bombardimeve, kurse amerikanët nuk kanë humbur asnjë ushtar.

Së dyti: duhet të çlirohemi nga paradigma se amerikanët mendojnë gjithnjë në interesin e shqiptarëve dhe se çdo veprim i tyre është në anën e frontit të së mirës kundër fronti të së keqes. Fakti që në 1999 u përputhën interesat e tyre me të shqiptarëve nuk është provë e mjaftueshme se sa herë që ata u kërkojnë ndonjë gjë shqiptarëve e bëjnë për interesin e të dyja palëve.

Pa shkuar në shembuj të shumtë nëpër botë, po përmend një rast që e kemi provuar në Shqipëri: presioni i ambasadorit amerikan Arvizu për të sjellë armët kimike siriane në Shqipëri.

Së treti, shqiptarët vuajnë shumë nga paradigma se po iu kundërvure SHBA-ve, ata të rrëzojnë nga pushteti.

Historia tregon se jo gjithmonë ka ndodhur kështu. Venezuela është një nga rastet e fundit. Po ashtu, obligimet që kemi ndaj aleancës së NATO-s nuk duhen barazuar me thënien peqe-lepe çdo kërkese amerikane sepse nuk është kjo sjellja e aleatëve të tjerë shumë më të vjetër e shumë më të pjekur të SHBA-ve.

Për të mos përmendur rastin e Turqisë, që mban qëndrime haptazi antiamerikane duke mbetur në aleancën e NATO-s”, shkruan Lubonja.

 

(Tema)

Të fundit