E mërkurë, 1 Shkurt, 2023

ZIGZAG: PËR ‘PRINCËRIT E PRINCIPATAT’

Çështja është: Të bëhemi zot’i vetëvetes, apo thënë më mirë: Si të bëhemi? Nëse kanë pasur të drejtë latinët kur kanë thënë se ‘historia është nënë e së vërtetës’, përse të mos e vëmë gishtin në mendje, apo ta fusim në unazë e të shohim se ku jemi e nga po vemi? Para shumë shekujsh kemi pasur princër e principata, më duket se janë nja dhjetë. Kronikanët kanë folur për aleanca nga më të ndryshmet… Të tilla, pse jo, do kemi dhe në këtë pragfushate, ndaj të gjithë, kur vezët i kanë klluk, nuk hezitojnë që ato t’i bëjnë edhe deve, edhe me dy të kuqe!

Autor: Seladin Xhezairi

1.Një është rrufa e tjetër rrufjanët! Llërëpërveshur, ustallarët e shitjes së mjegullës, në këtë mjegullnajë me ndotje enorme të mjedisit, japin e marrin për të krijuar stuhinë, qoftë ajo edhe në gotë! Nga dita në ditë po na e shpalosin fjalorthin e rrugicë-mëhallave, vetëm e vetëm për të prekur në tel të paprekshmin votues. Më shumë me llafe sesa me punë. Nuk është se e kanë vetëm me të dëgjuar atë të moçmen se trimi i mirë është me shokë shumë e as se bashkimi bën fuqinë, ndaj për të ruajtur a për të ngritur ‘principatën’ e tyre, nuk denjojnë të bëjnë krushqi as me atë kundër të cilit deri dje hudhnin gur’e dru… Më tregon, këto ditë, një miku im, atë meselenë e pehlivanit axhami që kishte kërkuar ‘hajmali’ tek hoxha që, kur të dalë në mejdan, t’i ndimonte për të fituar kundërshtarët: I mençuri i kishte pas shkruar, me do hieroglife me këmbë laraske: ‘Rrudhe’! Prandaj, kur po dëgjoj klithmat për ardhjen e tajfunit, sikur nisi t’i frikësohem më shumë koronavirusit të sotëm, nga droja e sarsit të djeshëm!

2.Veton Surroi, një ndër aktorët kryesorë të zhvillimeve politike të këtyre katër dekadave në hapësirat shqiptare në ish-Jugosllavi, këto ditë në Prishtinë më foli për nevojën e një komunikimi pa barriera jotarifore mes Prishtinës e Tiranës, më tha se vendosja e tarifave doganore ishte bërë ‘në një zhvillim dramatik në të cili presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë ishin ulur mbi harta dhe po bënin vizatimin e këmbimit të territoreve dhe taksa e parandaloi ecjen e mëtutjeshme në këtë drejtim’. Tani, më tha ai, pushteti dhe opozita, duhet të ulen e të shohin se cili është efekti i kësaj takse për produktet serbe, por edhe cili ka për të qenë efekti i reciprocitetit që po paralajmërohet nga Qeveria e kryeministrit Kurti. Zoti Surroi tha se nuk është ithtar i ndarjes: ‘Mos harrojmë, kjo nuk është ide e re, nuk është ide e cila nuk i ka prekur shqiptarët edhe më herët dhe, unë dhe ju mbajmë mend mirë, sepse angazhimi i shqiptarëve në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, siç quhej atëherë, gjegjësisht në Maqedoninë Veriore, ka qenë m’u kjo: Që të mos ketë ndarje terriotoriale të Republikës së Maqedonisë, sepse kjo do të ishte receta e cila do t’i fuste qytetarët në një luftë të tmerrshme, që do të kalonte nëpër oborret e shtëpive. Dhe për fat të mirë, tash pas sa vjetësh, mund të kethehemi prapa dhe të shohim se ka pasur një avancim të madh në Republikën e Maqedonisë Veriore në integrimin, në kuptimin se Maqedonia Veriore nuk bën as me ndarje nga shqiptarët, por as me mos inkuadrim të shqiptarëve si të barabartë në shtet. Dhe, kjo është esenca e Marrëveshjes së Ohrit,’- vlerëson Surroi duke rikujtuar hedhjen poshtë të propozimit për ndarje të Maqedonisë, më 2001: ‘Nëse në atë kohë e kemi refezuar, e kemi refuzuar sepse ka qenë kundër parimeve dhe interesave të shqiptarëve, gjithandej në Ballkan, që të fillojmë me procesin e rivizatimit të hartave, sepse çdo here kur dikush e ka kapur lapsin për të vizatuar harta në Ballkan, çdo herë shqiptarët kanë dalë palë e cila ka pësuar’. Ardhmëria jonë, më tha Vetoni, nuk është në tkurrjen e territoreve, por në heqjen e  barrierave, do të shtoja, pa i hyrë në hak askujt.

3.Tirana vlon: Presidenti Ilir Meta, ka denoncuar zyrtarisht në Prokurorinë e Posaçme Anti-korrupsion ministren e Drejtësisë për shkelje të Kushtetutës, që sipas tij, ajo ka bërë me procedurat e zgjedhjes së një anëtari të Gjykatës Kushtetuese: ‘Nuk ka ndodhur ngjarje më e rëndë në historinë e shtetit tonë se sa ky akt mafioz, ku së fundmi në bazë të provave zyrtare, rezulton e përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë, edhe celula e strukturuar në krye të Ministrisë së Drejtësisë, që përmes shkeljes së Kushtetutës, dhunimit të shumë ligjeve dhe përmes falsifikimeve të mirëprovuara, ka tentuar një grusht shteti duke rrëmbyer haptazi, në mënyrë mafioze, një kompetencë që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ia jep vetëm Presidentit të Republikës, me qëllim shndërrimin e Gjykatës Kushtetuese, nga garante e të drejtave kushtetuese të qytetarëve shqiptarë, në një polici anti-kushtetuese për të dhunuar të drejtat e qytetarëve shqiptarë në të ardhmen’ – citon Zëri i Amerikës Presidentin Meta, duke sjellur dhe akuzat e tij për Kryeministrin Edi Rama dhe socialistët e tij për shkeljen e Kushtetutës: ‘Nuk ka asnjë vend në Europë që të ketë ngelur një minutë pa Gjykatë të Lartë. Nuk ka ndodhur asgjëkundi që të zgjidhet Prokurori i Përgjithshëm me 69 vota, kur Kushtetuta e thotë qartë me 84 vota. Nuk ka ndodhur asgjëkundi që të bëhen zgjedhje vendore në kundërshtim me Kushtetutën dhe në kundërshtim me ligjet e vendit…Nuk ka ndodhur askund një grusht i tillë shteti për të kapur Gjykatën Kushtetuese” – tha zoti Meta. Socialistët ndërkaq janë mjaftuar duke i cilësuar si të pavërteta pretendimet e Shefit të shtetit për grusht-shteti dhe si përçapje të tij për të penguar integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Sidoqoftë, edhe shikuar nga Tetova, duket se ‘ku ka tym, ka edhe zjarr’!

Dreq o punë: Nëse kanë pasur të drejtë latinët kur kanë thënë se ‘historia është nënë e së vërtetës’, përse të mos e vëmë gishtin në mendje, apo ta fusim në unazë e të shohim se ku jemi e nga po vemi? Para shumë shekujsh kemi pasur princër e principata, më duket se janë nja dhjetë. Kronikanët kanë folur për aleanca nga më të ndryshmet. Për disa thuhet se i kanë rënë thumbit, e për disa patkoit… Çfarë do të shkruhet për këtë që po e shohim sot? Ishalla, për hajër!

Të fundit