E mërkurë, 1 Shkurt, 2023

MARSHIMI I OPOZITËS

Cili do të jetë fati i koalicionit të lidhur midis ASH-së së Selës dhe Alternativës së Gashit?

 

Autor: Xhelal Neziri

Pas nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion, krerët e Aleancës për Shqiptarët (ASH) dhe Aleternativës marshuan bashkërisht drejt Çarshisë së Vjetër të Shkupit, për të promovuar kështu aleancën e re midis këtyre dy subjekteve. Ky marshim, nga pjesa oksidentale e qytetit në pjesën orientale, mund të mos bart me vete mesazhin e zhvendosjeve strategjike të këtyre partive, por dëshiron të përçojë një porosi te votuesit shqiptarë që kanë abstenuar në ciklet e fundit zgjedhore se ja, përfundimisht, u ngjeshën radhët e opozitës ashtu siç kishin kërkuar që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2011.

Formimi i këtij koalicioni midis partive të drejtuara nga Ziadin Sela dhe Afrim Gashi gjithsesi se do të paraqesë një moment të ri në garën zgjedhore te gjeografia politike shqiptare e Maqedonisë së Veriut. Është koalicioni i dytë opozitar i partive të shqiptarëve për zgjedhje parlamentare dhe i katërti në përgjithësi që nga zgjedhjet e para demokratike në Maqedoninë së Veriut në vitin 1994.

Koalicioni i parë midis dy partive shqiptare ka ndodhur në vitin 1998, kur Partia për Prosperitet Demokratik (PPD), e drejtuar nga i ndjeri Abdurrahman Aliti, dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), e udhëhequr nga i ndjeri Arbër Xhaferi, lidhën marrëveshje për të garuar bashkërisht në zgjedhjet parlamentare, duke e unifikuar në maksimum trupin votues shqiptar. Koalicioni i dytë parazgjedhor shqiptar në garën për deputetë është lidhur në vitin 2006 midis Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) i Ali Ahmetit dhe PPD-së, e cila atëbotë drejtohej nga Abdulhadi Vejseli. Dhe koalicioni i tretë – i emëruar Aleanca për Shqiptarët – u jetësua para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit 2016 midis LR-PDSH-së – një fraksion i shkëputur nga PDSH-ja e që udhëhiqej nga Sela, RDK-së së Vesel Memedit – parti që e formoi Rufi Osmani, dhe “Uniteti” – një fraksion i shkëputur nga BDI-ja e që udhëhiqej nga Gëzim Ostreni.

E përbashkëta e të gjitha koalicioneve të deritashme te shqiptarët është paqëndrueshmëria dhe prishja e tyre pas zgjedhjeve. Pas zgjedhjeve të vitit 1998 koalicioni u shpërbë pasi PDSH u bë pjesë e qeverisë me 11 deputetë, duke e lënë kështu PPD-në në opozitë me 14 deputetë; pas zgjedhjeve të vitit 2006 PPD braktisi koalicionin me BDI-në dhe iu bashkëngjit PDSH-së së atëhershme qeverisëse; dhe pas zgjedhjeve të 2016-ës RDK-ja e braktisi Aleancën për Shqiptarët, kurse Ostreni e pasivizoi aktivitetin e tij politik brenda këtij grupimi.

Problemi kryesor i prishjes së koalicioneve te shqiptarët është ngritja e tyre vetëm mbi themelet e numrave dhe matematikave elektorale, që ndërlidhen me interesa të ngushta personale apo partiake, e jo mbi parime dhe vlera të përbashkëta. Është e vërtetë se zgjedhjet janë numra kurse politika interes, por parimet dhe vlerat janë dy shtyllat garantuese për jetëgjatësinë e një platforme politike dhe suksesit zgjedhor. Interesat, vlerat dhe parimet janë ata që përbëjnë çdo parti serioze. Nëse vendimet merren duke respektuar vetëm interesat që për momentin e dhënë janë dobiprurëse për partinë apo një grup të ngushtë, atëherë në një situatë tjetër interesat e tyre do të imponojnë një aleancë apo koalicion të ri.

Cili do të jetë fati i koalicionit të lidhur midis ASH-së së Selës dhe Alternativës së Gashit? Neni 2 i marrëveshjes nënkupton vazhdimin e koalicionit edhe pas zgjedhjeve, pa marrë parasysh konstalacionet e forcave, momentet e reja dhe interesat që mund të shfaqen nga mundësitë që do të jepen gjatë formimit të shumicës parlamentare. Por, nëse merren parasysh statuset e tyre politike – e para në opozitë kurse e dyta në pushtet – duket se ka një bazë që cenueshme që e bën të paqëndrueshëm pas zgjedhjeve të 12 prillit. Aq më tepër kur kihet parasysh momenti se ishte pikërisht Alternativa që e zëvendësoi ASH-në në pushtet pasi kjo e fundit e braktisi në vitin 2017, pas mosmarrëveshjes me LSDM-në e ish-kryeministrit Zaev që buruan nga zgjedhjet lokale të po këtij viti. Kjo e bën që ky koalicion të mos mbajë qind për qind epitetin opozitar, gjë që krijon huti dhe paqartësi në qasjen që do të ketë ky koalicion në fushatë ndaj politikave të deritashme të qeverisë. Problemi i dytë është mungesa e partisë BESA të Bilall Kasamit, një parti e re e formuar paralelisht me ASH-në, e cila gjatë tërë periudhës që nga themelimi ka mbajtur një kurs opozitar. Kjo mungesë pamundëson që koalicioni të emërohet si “i partive të reja shqiptare” që do të garonin kundrejt “partisë së vjetër shqiptare BDI”. Me këtë do të jetë e pamundur që të imponohet në opinionin publik shqiptar opozicioni politikë e re – politikë e vjetër, njerëz të rinj – njerëz të vjetër, fillim i ri – vazhdimësi e vjetër.

Sidoqoftë, koalicioni ASH-AA pritet të sjellë një vlerë të munguar në skenën politike shqiptare pasi do ta bëjë garën elektorale të 12 prillit më të fuqishme dhe më produktive. Deri në këto zgjedhje BDI sikur nuk ka pasur një konkurrent të fuqishëm që do të rrezikonte fitoret e saja, gjë që ka lënë hapësirë që në këtë parti të kandidojnë edhe persona pa bagazh të mjaftueshëm profesional e politik. Një garë e fuqishme zgjedhore do të sjellë vetëm kualitet te etnia shqiptare dhe në skenën politike të Maqedonisë së Veriut, i cili do të prodhojë një konstruktivitet më të madh në drejtim të përmbushjes së nevojave konkrete të qytetarit shqiptar. /KDP

 

 

 

Të fundit