E martë, 6 Dhjetor, 2022

Gjilan: Policja vret prindërit, dy vëllezërit dhe pastaj veten

Një zyrtare e Policisë së Kosovës në Gjilan ka vrarë katër anëtarë të familjes së saj dhe më pas ka kryer vetëvrasje.

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar përmes një komunikate se policja, me inicialet V.B., “me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa pastaj ka kryer vetëvrasje”.

Nënkoloneli, Remzi Azemi, dhe prokurori i rastit Arben Kadriu, kanë konfirmuar se vrasja nga policja, ka ndodhur me armë zyrtare.

“Ishte zyrtare policore aktive dhe dyshohet se ka përdorur armën zyrtare”, ka thënë zoti Kadriu, duke tërhequr vërejtjen se hetimet janë në fazën fillestare.

“Është ngjarje e rëndë dhe e ndjeshme, nuk mund të japim më shumë informacione”, tha nënkoloneli Azemi, duke shtuar se informacionet rreth rastit do të transmetohen në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Inspektoratin e Policisë.

Ndërkohë, vendin e ngjarjes e ka vizituar edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Ai tha se kjo “ishte një tragjedi e madhe që i ndodhi në një familjeje të ndershme dhe të respektuar në komunitet”.

Haziri tha se organet e rendit po i vazhdojnë hetimet, ndërkaq komuna do të jetë afër familjarëve të mbijetuar. Kryetari i komunës gjithashtu ka propozuar edhe një ditë zie në Gjilan.

Të fundit