E mërkurë, 1 Shkurt, 2023

“AUTOPROTESTA” E NARRACIONEVE PARAZGJEDHORE

Në Maqedoninë e Veriut paradokset nuk kanë fund. Ish-regjimi i kryeminstrit Nikolla Gruevski, në kulmin e delirit të pushtetit, në kohën kur opozita protestonte rrugëve kundër kapjes së pushtetit, kishte shpikur të ashtuquajturat ” kundërprotestat”. Një shembull tipik i totalitarzmit që manifestohej si ” shprehje demokratike” në një kohë krize të thellë institucionale.

Autor: Bardhyl Zaimi

Një protestë po aq e pakuptimtë dhe paradoksale ka ndodhur edhe sot, e organizuar nga Lidhja Socialdemokrate e ish-kryministrit Zoran Zaev. Pavarësisht nga justifikimet që kërkojnë ta përligjin këtë protestë, tashmë në opinion po interpretohet si një protestë tërësisht e panevojshme, sidomos për faktin që në asnjë rast drejtësia nuk mund të partizohet dhe mesazhet për funksionimin e sistemit të drejtësisë nuk mund të vijnë në formë protestash nga një parti që drejton me qeverinë.

Por, Maqedonia është vend i çudirave dhe çdo veprim i partive politike mund të duket normalitet. Siç dihet tashmë triumfalizmit të shndërruar në protestë i kishte paraprirë një odiseadë disa mujore ngërçesh politike mbi Ligjin për Prokurorinë Publike, Ligjin për Këshillin e Prokurorëve, që vlerësohej si jetik për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut në rrugën e integrimeve euro-atlantike. Ligji pēr PP-në, votimi i tij para shpërbërjes së parlamentit vinte si rekomandim edhe i përfaqësuesve ndërkombëtar në vend.

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev gjatë tërë kohës kishte bërë thirrje që ky ligj të votohet, ndërkohë partia opozitare VMRO-DPMNE gjatë tërë kohës kishte taktizuar, duke theksuar se nuk duhet ngutur me ligjin dhe duke parashtruar vërejtjet për përmbajtjen e ligjit.

Sidoqoftë, në minutat e fundit të Ditës D, ky ligj sistemor ishte votuar nga 80 deputetë. Ky ligj përveç LSDM-së, deputetëve të shkëputur nga VMRO-DPMNE ishte votuar edhe nga deputetët e partive parlamentare shqiptare. Pavarësisht nga dramat e minutave të fundit është mirë që ky ligj u votua, ndërkohë që nga përfaqësues të BE-së vinte si rekomandim sidomos para një shanse të re për hapjen e negociatave pas shenjave pozitive të dërguara na presidenti francez Makron.

Sigurisht, ky angazhim me shumë të panjohura përbrenda, mbetet për t’u përshëndetur, por në të njëjtën kohë nuk ka vend për triumfalizëm protestash parazgjedhore që vijnë si paradokse deliresh pushtetare.

Kjo protestë mbetet tërësisht e panevojshme, në kohë kur sistemi i drejtësisë në shtet në asnjë rast nuk mund të mbajë prashenjën partiake dhe parazgjedhore. Por, duket se LSDM me këtë protest e hap përfundimisht fushatën parazgjedhore, duke e atakuar VMRO-DPMNE, pikërisht në qasjen ndaj sistemit të drejtësisë pas mospranisë në parlament gjatë votimit.

Është fushatë zgjedhore dhe dikotomitë politike kërkojnë skemën bardh e zi, kërkojnë akuzionet e politikave të korruptuara, përkundër faktit që edhe pushteti aktual ka kaluar nëpër disa afera të rënda. Kjo protestë duhet kuptuar në suaza të fushatēs parazgjedhore, në kuadēr të ndërtimit të naracioneve kundërvënëse politike brenda fushatēs.

Sidoqoftë, vendosja e sistemit të drejtēsisë është shumë më tepër se këto projeksione fushate zgjedhore. Senzibilizimi për konceptin e funksionimit të shtetit të së drejtës duhet të bëhet në forma tjera institucionale dhe jo me “marshe ” parazgjedhore.

Të fundit