E enjte, 8 Dhjetor, 2022

A është Islami faktor (shkaktar) që bota islame sot është katandisur në padije, injorancë e dekadencë?

Tek shumë dijetarë, elita politike, poetë, romancierë, disidentë dhe ulema modernë në botën islame kanë lindur pyetjet: “Ku kemi gabuar?” “Kush janë fajtorët, protagonistët e gabimeve?” “A është Islami shkaku që bota islame është katandisur në padije, është zhytur në injorancë e dekadencë?” “A po jetojmë në epokën më të errët të historisë islame dhe nëse po, përse?”

 

Autor: Merxhan Jakupi

Ndonëse perandori romak Kostandini i Madh (272 – 337) u pagëzua në prag të vdekjes, ai u konvertua në të krishter dhe e legalizoi Krishtërimin qysh kur ishte dyzet vjeç. Pas vdekjes së tij, gjysma perëndimore e Perandorisë Romake u shpërbë në vitin 476, kurse gjysma lindore, e nohur si Bizanti apo Perandoria Bizantine me kryeqytet Konstandinopojën (Stambollin e sotëm), jetoi e lulëzoi edhe për 1000 vjet të tjera, deri më 1453. Bota e krishterë oksidentale (perëndimore) u shkëput nga tradita, nga antikiteti, nga Greqia e lashtë që kishte qenë djepi i shkencës, dijes, artit klasik, nga kultura e Romës së lashtë, zhvillimet juridike, artistike e filozofike që kishin bartur prej qytetërimeve të lashta sumere, asiriane, babilonase, etj. Për Europën e krishterë perëndimore filloi epoka e errët e Mesjetës, epoka e prapambetjes dhe dekadencës.

Renesanca (Rilindja) e Parë në Lindjen e Mesme

Sipas historianëve, studjuesve të Lindjes (Europës) perëndimore, Renesanca (Rilindja) e parë (e kulturës dhe qytetërimit) kishte filluar në Lindjen e Mesme. Kurse Europa Perëndimore e zhytur në Mesjetë filloi të dalë në dritën e Renesancës pas përfundimit të Epokës së Artë të dijeve, shkencës, kulturës dhe arësyes së botës islame.

Renesanca në Lindjen e Mesme filloi pas hapjes, ekspansionit të Islamit. Zanafilla dhe rrënjët e kësaj Renesance gjënden në Gadishullin Arabik në vizionin e Profetit Muhamed, doktrina e të cilës përfshinte spiritualen, racionalen dhe universalen. Profeti së pari vuri themelet e qytetit-shtet. Pastaj vizionin dhe punën e tij e vazhduan pasardhësit, kalifët. Me anë të kalifatit Islami u përhap në tre kontinente.

Qytetërimi islam lindi mbi gërmadhat e qytetërimeve asiriane, babilonase, hebraike dhe helene. Kështu, kalifët, pasardhësit e Profetit, vazhduan vizionin, hapjen, ekspansionin e Islamit.

Shumë shtete dhe mbretëri të Bizantit dhe më tej e pranuan Islamin pa rezistencë, pa violencë, pa luftë. Në të gjithë Lindjen e Mesme, në Afrikën veriore – Egjipt, Algjeri, Tunizi, Marok, etj., në Lindjen e Largët – Indi, Kinë, Mongoli, etj., si dhe në perëndim në Andaluzi e në fund në Europën Juglindore – në Ballkan u pranua Islami si religjion e qytetërim universal, kozmopolit e bipolar që filloi me dinastitë e Imeretit, të Abhazisë dhe Perandorisë Osmane. Këto dinasti e perandori ishin nën patronatin dhe udhëheqëjen e arabëve, persianëve dhe turqëve. Epoka e ekspansionit dhe dominimit të botës islame zgjati më shumë se njëmijë vjet.

Sipas studjuesve dhe historianëve, Lindja e afërme dhe Lindja e largët nuk kanë patur nevojë për botën e krishterë të Europës oksidentale. Hegjemonia, ekspansioni dhe dominimi i botës islame zgjati deri në shekullin e 18-të.

Deri në shekullin e 15-të Europa ishte një ishull i mbyllur. Perandoria Osmane e tejkalonte Europën në të gjitha sferat gjeostrategjike, ekonomike, ushtarake e politike. Bota islame nuk kishte rival deri në rrethimin e Vjenës nga turqit, kur u bë kompromisi i parë që shënoi fillimin e ndaljes së hovit ekspansionist dhe ofensivës ndaj Europës.

Observatori dhe teleskopi i parë në botën islame

Epoka e artë e dijes dhe e shkencës ishte trashëguar nga mësimet e lashta babilonase, persiane dhe hinduse. Fillimi dhe bazat e Renesancës ishin nga klasikët e antikitetit grek, fillimi i përkthimeve të veprave të Aristotelit, Platonit, veprave sanskritisht dhe latinisht. Kur kryqëzatat dogjën bibliotekën më të madhe të kohës, atë të Aleksandrisë, arabët kishin mbledhur vepra që mbetur pa u djegur. Një pjesë e këtyre veprave të shpëtuara nga djegia ishin vendosur në Bibliotekën Al-Hakim të Bagdadit.

Në periudhën e Kalifatit Abbasid qw filloi me sundimin e Kalifit Harun Al-Rashid (766 – 809) nw kulmin e Epokws sw Artw tw Islamit, u hapën shumë shkolla, në të cilat studjohej logjika, metsafizika, politika dhe estetika nën ndikimin e veprave të Aristotelit. Në këtë kohë u ndërtua edhe observatori dhe teleskopi i parë nga njëri prej kozmologëve e astronomëve, Teki Dini. Mirëpo turma e fanatikëve dhe ulemave konservatorë e shkatërruan dhe e dogjën observatorin deri në themele. Sipas këtyre ulemave fanatikë e teologëve dogmatikë, ky observator ishte herezi dhe në kundërshtim me parimet e Islamit.

Nga shkollat e ndjekura të filozofëve dhe dijetarëve klasikë të antikitetit që quheshin ‘shkolla aristoteliane’ ishin sufistët, ndjekësit e doktrinës së haditheve të frymëzuara nga Profeti Muhamed. Këta sufistë ndiqnin një parim dhe doktrinë të inspiruar nga Sokrati dhe stoikët. Por përve agnostikës, gnosit dhe vizionit ndaj hyjnores, predikonin nëpër shkolla etikën, moralin, urtësinë dhe tolerancën. Sufistët pohonin se mes Islamit, Judaizmit dhe Krishtërimit ka shumë pak divergjenca. Burimet e shpalljes së këtyre tre religjioneve, abrahamiste në shpirt, si vizion, bërthamë kanë universin, Logosin, Zotin. Të tre religjionet janë monoteiste, janë në një rrotë, rrotullohen rreth saj, rreth boshtit të saj dhe në fund ngjiten në piedestalin, në universalen. Në të ardhmen këto tre religjione do të bashkohen në një fe, pohojnë sufistët.
Nga poezia islame orientale e poetëve sufistë Ibn Arabi, Rumi, Mulla Sadra e shumë të tjerë kanë qenë frymëzuar shumë rilindas europjanë. Veprat e sufistëve islamikë depërtuan në të gjithë botën oksidentale të krishterë. Nga poezia e këtyre sufistëve kanë qenë të inspiruar dhe admiruar shumë poetë e dijetarë në Mesjetë. Një ndër ta është dhe Dante Aligeri, i cili në veprën e tij poetike “Komedia Hyjnore” shpalos shumë ngjashmëri nga literatura islame dhe sufiste. Poeti i madh gjerman Gëte shkruan si konspiracion se ne shkelim mbi shpatullat e dijetarëve dhe poetëve sufistë të botës islame dhe orientale. Po ashtu kanë qenë të inspiruar dhe admiruar nga literatura arabe dhe sufizmi klasikët rusë Tolstoi, Dostojevski dhe Pushkini.

Abu Hamid Al-Ghazali – një heretik i heshtur

Në Periudhën e Artë Islamike shkenca empirike si nocion quhej shkencë intelektuale (“El-ulūma-akllijjeh”), sidomos filozofia peripatetike që i kishte rrënjët tek filozofia klasike greke e Aristotelit. Al-Ghazali (1058-1111) ishte një nga filozofët, teologët, juristët dhe mistikët sufistë më të mëdhej e më të shquar të Islamit Sunni. Kur Al-Ghazali filloi kritikën dhe skepticizmin ndaj dogmave islamike, disa teologë dhe sufistë e quajtën heretik. Al-Ghazali filloi të përkrahte tezat racionale islame dhe sufizmin. Ky dijetar i shquar i Islamit, si ndjekës dhe përfaqësues i doktrinës ezoterike peripatetike, shkoi në Gadishullin Iberik, në Andaluzi, dhe hapi shkollat ku mësuan shumë filozofë. Pas vdekjes së tij, dishepujt e tij u bënë të famshëm në Lindje dhe në Perëndim. Fillimisht pikëpamjet e tij filozofike racionaliste neo-aristoteliane nuk u pranuan nga disa filozofë e teologë të botës islame, sepse sipas tyre doktrina e tij filozofike binte ndesh me doktrinën islame dhe në fund të fundit ishte herezi. Por më vonë Al-Ghazali u vlerësua, u përkrah dhe u rehabilitua. Veprat, përkthimet dhe shkollat e Al-Ghazalit u përhapën në mbarë Europën, në Universitetin e Sorbonës, Universitetin e Murcias dhe qendra të tjera universitare e studimore.
Orientalisti britanik me prejardhje libaneze Albert Hourani në veprën e tij “Historia e popujve arabë” (botuar me 1991) shkruan se “perëndimorët shumë pak e njohin historinë e botës islame dhe arabe. Shumë kritikë perëndimorë fajsojnë Islamin si fe që nxit intolerancën fetare dhe violencën, Në fakt, komunitetet e krishtera dhe çifute kanë qenë nën mbrojtjen e kalifatit dhe monarkëve muslimanë. Në Damask, Aleksandri dhe shumë qytete të Lindjes së Mesme përballë xhamive ngriheshin kishat dhe sinagogët.”
Orientalisti dhe arabisti italian Françesko Gabrieli (1904 – 1996) në veprat e tij shkruan se depërtimi i ideve racionale të filozofëve, dijetarëve dhe shkencëtarëve arabë dhe persianë filluan ta nxjerrin Oksidentin nga errësira. Pra, Rilindja europjane mori hov falë kultivimit të filozofisë dhe shkencës arabe dhe isamike që depërtoi nga Mesdheu dhe Andaluzia drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Europës mesjetare. Filozofët dhe shkencëtarët rilindas europjanë që kishin trashëguar elemente të kulturës antike, babilonase, hinduiste dhe islamiko-arabe kontribuan në fillimin e Renesancës dhe Humanizmit fillimisht në Itali dhe pastaj në Francë, Gjermani, Angli e gjetkë.

Pa botën arabe dhe kulturën e saj islamike rilindasit europjanë nuk do të arrinin të kultivonin dijen, shkencën, arsyen që e nxorën Europën nga errësira mesjetare. Mjafton të përmendim kontributin e shkencës së mjeksisë arabe, konkretisht “KANUNIN E MEDICINËS” (Al-Qanun fi’t-Tibb) në 5 vëllime të Ibn Sinës (i njohur në Perëndim si Avicenna), pasardhësit imediat të medicinës së Hipokratit. Kjo Enciklopedi e Mjekësisë e jashtëzakonshme pesë-vëllimshe e të madhit Ibn Sina (980 – 1037) është përdorur për më shumë se 800 vjet si teksti themelor i shkencës së Mjeksisë jo vetëm në të gjithë botën Islame por në të gjithë universitetet e Europës.

*KDP jo gjithmonë pajtohet me qëndrimet e publikuara në rubrikën Letra

Të fundit